Françesku në Nagasaki bëri thirrje për një botë pa armë bërthamore

Françesku arriti nga Tokio, në Nagasaki rreth orës 9.30. Pranë Memorialit të Paqes, në kujtim të viktimave të bombës atomike, e priste një turmë e vogël njerëzish. Papa foli fjalë të forta, duke paralajmëruar se nuk mund të ndërtohet mbi themelet e frikës.

R. SH. - Vatikan

Nuk mund të garantohen paqja dhe stabiliteti mbi bazën e sigurisë së rreme, sepse e udhëhequr nga mosbesimi. Nuk mund të investohet mbi garën e armatimeve, duke shkaktuar dëme pa fund  e duke  përdorur burimet, që i takojnë zhvillimit: mesazhi i Papës është i qartë e i pakundërtueshëm, sidomos këtu, në Nagasaki, qytet dëshmitar i shkatërrimeve të shkaktuara nga bombat bërthamore,

Papa, në Nagasaki

Në Atomic Bomb Centre, Memorial i paqes, Françesku u prit nga guvernatori dhe kryebashkiaku i qytetit. Dy japonezë, të shpëtuar gjallë nga tragjedia bërthamore, i ofruan një kurorë me lule të bardha e Papa i vuri tek këmbët e monumentit, kushtuar viktimave të kësaj tragjedie  bërthamore, duke qëndruar gjatë në lutje. Ndezi, më pas, një qiri, në atmosferën e një emocioni të thellë.

Papa: paqja nuk mund të ndërtohet mbi frikën

Papa më pas preku thelbin e problemit të sigurimit, duke pohuar: paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të përkojnë me kurrfarë tentative për t’i ndërtuar mbi frikën e shkatërrimit reciprok ose mbi kërcënimin e zhdukjes së plotë; mundësohen vetëm duke u nisur nga etika globale e solidaritetit dhe e kooperimit, në shërbim të një ardhmërie  të modeluar nga ndërvartësia dhe bashkëpërgjegjësia në mbarë familjen njerëzore të së sotmes e të së ardhmes.

Britmë, që arrin deri në qiell

Nuk do të jenë kurrë të tepërta përpjekjet për ta ngritur zërin kundër garës së armatimeve. Kjo garë shpërdoron burimet e çmuara, që mund të përdoreshin në dobi të zhvillimit të gjithanshëm të popujve dhe të mbrojtjes së ambientit natyror:

“Në botën e sotme, ku miliona fëmijë e familje jetojnë në kushte çnjerëzore, paratë e shpenzuara  e të fituara për të fabrikuar, modernizuar, mirëmbajtur e për të shitur armë gjithnjë më shkatrrimtare, janë atentat i vazhdueshëm, që e ngre zërin deri në qiell”.

Duhet një vendim kolektiv, e i përqendruar

Miliona gra e burra nga të katër anët e ëndërrojnë botën në paqe, të lirë nga armët bërthamore. Shndërrimi i këtij ideali në realitet, kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve: njerëzve të veçantë, bashkësive fetare, shoqërisë civile, Shteteve që kanë armë bërthamore e edhe atyre, që nuk i kanë, sektoreve ushtarake e private si dhe organizatave ndërkombëtare. Përgjigjja, që i japim kërcënimit të armëve bërthamore duhet të jetë kolektive, e njëzëshme, e bazuar mbi krijimin e një besimi reciprok, që e copëton dinamikën e mosbesimit, sot sunduese. Në vitin 1963, Papa Shën Gjoni XXIII, në Enciklikën “Pacem in terris”, duke kërkuar ndalimin e armëve atomike, pati pohuar se paqja e vërtetë edhe e qëndrueshme ndërkombëtare, nuk mund të mbështetet mbi ekuilibrin e forcave ushtarake, por vetëm mbi besimin reciprok ndërmjet njerëzve” (cfr 61).

“Duhet t’i jepet fund dinamikës së mosbesimit, që sundon sot e që krijon rrezikun e shkatërrimit të arkitekturës ndërkombëtare të kontrollit të armatimeve, ndërsa vijon zhvillimi i vrullshëm i teknologjive të reja  të armëve”.  

Kisha mbështet Traktatet mbi çarmatimin

Kisha katolike, nga ana e saj, impenjohet të promovojë paqen ndërmjet popujve e kombeve: është detyrë, para Zotit e para të gjithë burrave dhe grave të kësaj toke. Nuk mund të lodhemi kurrë duke punuar e duke këmbëngulur pa asnjë vonesë në mbrojtje të mjeteve kryesore juridike ndërkombëtare të çarmatimit e të mospërhapjes së armëve bërthamore, duke përfshirë Traktatin mbi ndalimin e këtyre armëve- pohoi Papa- duke bërë më pas thirrje:  

 “Me bindjen se një botë pa armë bërthamore është e mundshme e edhe e nevojshme, u kërkoj liderëve politikë të mos harrojnë se këto nuk na mbrojnë nga kërcënimet e sigurisë kombëtare e ndërkombëtare të kohës sonë. Duhet parë ndikimi katastrofik i përdorimit të tyre nga këndvështrimi  humanitar e ambiental, duke hequr dorë nga fuqizimi i klimës së frikës, mosbesimit, armiqësisë, i nxitur nga doktrinat bërthamore”.

Gjendja aktuale e planetit tonë kërkon një reflektim serioz - kujtoi më pas -  lidhur me mënyrën e përdorimit të gjithë këtyre burimeve, duke pasur parasysh edhe aktualizimin e ndërlikuar e të vështirë të Agjendës 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm, e prej këndej, edhe për arritjen e objektivave të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Këtë pati sugjeruar Papa Pali VI, kur pati propozuar të ndihmohen të varfërit përmes Fondit Botëror, të ushqyer nga një pjesë e shpenzimeve ushtarake(krh Fjalimi drejtuar gazetarëve, Mumbai, 4 dhjetor 1964, Enc, Populorum progessio, 26 mars 1967, 51).

“Askush nuk duhet të jetë indiferent përballë dhimbjes së miliona burrave e grave, që akoma sot vijon t’i prekë ndërgjegjet tona; askush nuk mund të jetë i shurdhër, përballë britmës së vëllait të plagosur, askush nuk mund të jetë i verbër, përballë rrënojave të një kulture të aftë për të dialoguar”.

Të lutemi për kulturën e vëllazërimit

Papa e përfundoi mesazhin, duke u kërkuar të gjithëve të bashkohen në lutje çdo ditë për kthimin e ndërgjegjeve dhe për ngadhënjimin e kulturës së jetës, të pajtimit e të vëllazërimit. Vëllazërim, që di t’i pranojë e t’i garantojë ndryshimet, në kërkim të një fati të përbashkët.

E di se disa nga të pranishmit këtu nuk janë katolikë - kujtoi- por jam i sigurt  se të gjithë mund ta bëjmë tonën lutjen për paqen, që mendohet të jetë e Shën Françeskut të Asizit:

“Më bëj, o Zot, mjet të paqes sate:

Ku ka urrejtje, të çoj dashurinë,

Ku ka fyerje, faljen ta çoj;

Ku ka dyshim, më bëj të çoj fenë

Ku ka dëshpërim, shpresën ta çoj:

Ku ka errësirë, të çoj unë dritë,

e ku ka trishtim, gëzimin  ta çoj!”.

Në këtë vend kujtimi - theksoi në përfundim Papa Françesku - që na prek thellë e nuk mund të na lërë indiferentë, është edhe më domethënëse t’i lutemi Zotit  të na mësojë për të qenë mjete të frytshme të paqes e të punojmë për të mos i përsëritur kurrë më të njëjtat gabime të së kaluarës.

24 nëntor 2019, 10:59