Nagasaki: Papa para monumentit të martirëve, kujton të krishterët e persekutuar

Papa Françesku u lut para monumentit të martirëve të Nagasakit, pa harruar të krishterët, që vuajnë për fenë në të katër anët e botës.

R. SH. - Vatikan

Lutja e heshtur para monumentit të martirëve në Nagasaki, që i parapriu përshëndetjes së Papës dhe lutjes së Engjëllit të Tënzot, u gërshetua me një histori dramatike: me Udhën e Kryqit, jetuar nga 26 të krishterë të kryqëzuar më 5 shkurt 1597. Pesëdhjetë vjet para kësaj dite dramatike, Shën Françesk Saveri, i sapozbarkuar në Kagoshima, në vitin 1549, kishte themeluar bashkësinë e parë katolike në Japoni. Disa dhjetra vjet pas kësaj date, për të krishterët nisi një kohë tragjike: u persekutuan, nga frika se krishterimit mund të kërcënonte unitetin kombëtar.

Dëshmia e Shën Pal Mikit

Në vitin 1596, shoguni Hideyoshi u dha urdhër guvernatorëve të Osakës dhe Miyakos t’i burgonin të gjithë rregulltarët katolikë. U arrestuan tre jezuitë, gjashtë françeskanë dhe shtatëmbëdhjetë terciarë françeskanë, ndërmjet të cilëve, tre fëmijë. I detyruan të ecnin 800 kilometra në këmbë. Pas 26 ditësh arritën tek një kodër, në Nagasaki. Mbi këtë Golgotë japoneze ngriheshin 26 kryqe. Njëri nga martirët, Shën Pal Miki, para se të vdiste, i ftoi të gjithë të ndiqnin fenë e Krishtit, i fali kryqëzuesit e përsëriti fjalët e Krishtit mbi Kryq: “Në duart tua, o Zot, po e jap shpirtin tim”!

Monument, që kumton Pashkët

Para monumentit  të martirëve të Nagasakit, Papa Françesku ndezi një qiri, që ia dha një nga  pasardhësit e  të krishterëve të persekutuar. Pasaj u lut në heshtje dhe kujtoi faqet tragjike  të historisë, që nuk u mund nga vdekja:

“Pa asnjë dyshim kjo shenjtërore, më shumë se për vdekjen, na flet për ngadhënjimin e martirëve, porsi një mal i vërtetë i Lumnive, ku mund të perceptojmë dëshminë e njerëzve përplot me Shpirtin Shenjt, të lirë nga egoizmi, nga rehatitë, nga krenaria. Sepse drita e Ungjillit shkëlqeu në dashurinë, që ngadhënjente mbi persekutimin e mbi shpatën”.

Ky vend, para së gjithash, është monument që kumton Pashkët! Shpall se fjala e fundit nuk i përket vdekjes, por jetës – vijoi Papa. - Nuk jemi të thirrur për vdekjen, por për një jetë të përkryer: ata e kumtuan. Këtu vërtet është errësira  e vdekjes dhe e martirizimit, por kumtohet edhe drita e ringjalljes, ku gjaku i martirëve bëhet farë e jetës së  re, që Krishti deshi të na e dhurojë të gjithëve.

Kujtesë e gjallë

Dëshmia e tyre na përforcon në fe e na ndihmon ta  përtërijmë përkushtimin tonë dhe angazhimin tonë për ta jetuar dishepullatin misionar, që di të punojë në shërbim të një kulture të aftë për të mbrojtur gjithnjë çdo jetë, përmes “martirizimit” të shërbimit të përditshëm e të heshtur ndaj të gjithëve, posaçërisht më nevojtarëve:

“Vij tek ky monument kushtuar martirëve, për t’i takuar këta burra e gra të shenjta, e dua ta bëj këtë  me vogëlsinë  e atij jezuitit të ri , që vinte “nga kufijtë e tokës” e që gjeti një burim të thellë frymëzimi e risimi në historinë e misionarëve të parë e të martirëve japonezë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë dashurinë e flijimit të tyre. Duke uruar të mos mbetet thjesht relike e lavdishme e heroizmit të së kaluarës, e ruajtur mirë dhe e nderuar në një muze, por të jetë gjithnjë zjarr i ndezur në shpirtin e çdo apostullimi në këtë tokë, i aftë për ta përtërirë e për  ta ndezur flakë zellin ungjillëzues”.

Martirët e së djeshmes e të së sotmes

Françesku, në përfundim, kujtoi martirizimin e jetuar nga shumë të krishterë, viktima të persekutimit të shekullit XXI:

“Vëllezër, në këtë vend bashkohemi edhe me të krishterët që, në të katër anët e botës, vijojnë të vuajnë e të martirizohen për shkak të fesë. Martirë të shekullit XXI, që na bëjnë thirrje me dëshminë e tyre për të marrë me guxim, udhën e Lumnive. Të lutemi me ta e për ta, e ta ngremë zërin edhe kundër manipulimeve të feve, tipike për politikat e integralizmit e të përçarjeve, si dhe nga sistemet e fitimit  të tepruar e të prirjeve ideologjike të urryera, që manipulojnë veprimet dhe fatet e njerëzve”.

Të krishterët persekutohen në më se 20 vende

Në botë, në çdo shtatë të krishterë, njëri persekutohet për fenë e tij. Mbi bazën e Raportit të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”,  më se 300 milionë të krishterë jetojnë në toka, ku vijon drama e persekutimit. E në botë, në më se 20 vende, ta shpallësh fenë tënde, do të thotë  të vësh në rrezik  lirinë dhe jetën. Kjo ndodh kryesisht në Lindjen e Mesme, në Afrikë e në Azi, ku është zhvendosur boshti i fundamentalizmit me vulë islamike. E pikërisht në Azi vijon shtegtimi i 32-të apostolik i Papës Françesku!

24 nëntor 2019, 12:03