Kërko

Shtegtimi i ministrantëve në vitin 2018 Shtegtimi i ministrantëve në vitin 2018 

Papa, ministrantëve francezë: t’i shërbeni Jezusit me jetë

Në një videomesazh për ministrantët francezë, Papa Françesku i fton në shtegtimin, që do të mbahet në Romë, nga 24 deri më 28 gusht 2020.

R.SH. - Vatikan

“Rast unik” për të takuar Zotin. Kështu u thotë Papa Françesku në një videomesazh, ministrantëve apo xhakojve të vegjël francezë, duke i ftuar në Romë për shtegtimin e planifikuar nga 24 deri më 28 gusht 2020, organizuar nga Kisha lokale.

Të dërguar me mision

         “Jezu Krishti Zot ju ka thirrur për t’i shërbyer në liturgjinë e meshës”, prandaj shtegtimi është një mënyrë “për ta dashur më shumë, për t’u impenjuar me shumë me Të”. “Pasi t’i kemi shërbyer Jezusit në meshë - thotë Papa - të gjithë jemi të thirrur t’i shërbejmë Atij në jetën tonë të përditshme, në takimin me vëllezërit dhe motrat tona: jemi të dërguar me mision. Ne jemi dërguar në mision, mos harroni!”

Në gjurmët e shën Pjetrit e të shën Palit

         Ati i Shenjtë kujton se në Romë, ministrantët do të vizitojnë varret e Apostujve Pjetër e Pal. “Dëshmia e tyre e guximshme - shpjegon Papa - do t’ju inkurajojë të ngulni këmbë në angazhimin dhe në jetën tuaj të krishterë, megjithë kundërshtitë dhe kritikat përreth jush, pavarësisht nga pyetjet që i bëni vetes, pavarësisht nga përpjekjet që nevojiten”.

Së bashku, keni më shumë guxim

Shtegtimi, kujton Papa, do të jetë edhe një mënyrë për të takuar të rinj të tjerë, që kryejnë të njëjtin shërbim. “Ftojini ata që dëshirojnë të bëjnë si ju! Ne nuk jemi të krishterë të vetmuar: të gjithë së bashku – nënvizon Françesku - jemi më të fortë, kemi më shumë guxim, shkojmë më tej”. Së fundi, ftesa për në Romë. “Deri atëherë,  - i dejtohet Papa secilit prej ministrantëve - unë lutem për ty dhe për të gjithë ata që të rrethojnë e, të kërkoj të mos harrosh të lutesh për mua. Kam nevojë, kjo punë nuk është e lehtë! Shën Maria Virgjër ju mbroftë e Zoti ju bekoftë!”

13 nëntor 2019, 11:43