Kërko

Papa, kubanëve të Havanës: miqësia shoqërore e ndihmon popullin të ecë përpara

Me rastin e 500-vjetorit të themelimit të katedrales së Shën Kristobalit në Havanë, Papa Françesku u dërgon një videomesazh banorëve të kryeqytetit kuban, duke i nxitur ata të përforcohen në fe, në dashuri dhe në shpresë.

R.SH. - Vatikan

Kremtimet për 500-vjetorin e themelimit të katedrales së Shën Kristobalit në Havanë të Kubës, të jenë rast për të përtërirë tre “aspekte historike” të qytetit, të cilat, edhe sot, janë shtylla për ta mbështetur jetën: feja, dashuria dhe shpresa. Ky është urimi i Papës Françesku në videomesazhin për banorët e kryeqytetit të ishullit të Karaibeve, me rastin e 500-vjetorit të historisë së “atij populli të dashur”, vite, gjatë të cilave - nënvizon Ati i Shenjtë – “u dhanë shumë jetë për të tjerët, u bashkëndanë shumë ëndrra, përpjekje, sakrifica, për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen e bijve të Kubës”.

Feja

         Feja, kujton Françesku, është pjesë e rrënjëve të qytetit, që, si i tilla, “ushqejnë jetën”. Papa fton të mos harrohen ato rrënjë, të mos harrohet “dëshmia e fesë së të parëve tuaj”, u thotë kubanëve, duke përmendur aktin themelues të qytetit të Havanës, “kremtimin e meshës shenjte”. Në Eukaristi, shpjegon më tej, gjejmë “qendrën e jetës së krishterë”: është “sakramenti, që na mbledh ne të krishterët, si popull, para Zotit, i cili na flet, na ushqen, na dërgon të jemi dëshmitarë në botë”, “dëshmitarë të Ungjillit”.

Dashuria

         Dëshmia e fesë na bën të jemi edhe “dëshmitarë të bamirësisë dhe të dashurisë”. Populli kuban, nënvizon Papa, e ka “mësuar” bamirësinë nga Maria, Nëna e Jezusit, “e cila - vëren - që në fillim ka qenë e pranishme ndër ju, me emrin e Virgjërës së Dashurisë së Kobres”. Dashuria e transmetuar nga Virgjëra, vazhdon Papa, “është dashuri e dhuruar” me “dhembshuri” dhe “përkushtim” në jetën e përditshme, pra “në familje, ndërmjet fqinjëve, në punë, me të gjithë e gjithmonë”. Nuk ka rëndësi, vëren Françesku, nëse mendoni ndryshe nga njëri-tjetri: është thelbësore, rithekson ai, “të ketë dashuri, të ketë harmoni”. Kështu farkëtohet bashkimi i popullit, pajtimi ndërmjet kubanëve. Ati i Shenjtë lutet që Zoja t’ua mësojë të gjithëve këtë dashuri, e cila nuk është vetëm t’u japësh diçka të tjerëve, por sidomos të dhurosh vetveten, duke e jetuar “miqësinë shoqërore, që e ndihmon popullin të ecë përpara”.

Shpresa

Ky Jubile, shpreson Papa, duke evokuar “popullin e madh”, që pati përqafuar gjatë udhëtimit të tij apostolik në vitin 2015, të jetë rast për të përtërirë edhe shpresën. Duke marrë si shembull shën Kristobalin, i cili “ngarkonte dhe mbante mbi shpinë vëllezërit e tij”, Françesku nxit vëllezërit dhe motrat e Havanës, me gëzimin që i karakterizon, të mbështesin, të ndihmojnë, të inkurajojnë njëri-tjetrin dhe “të ecin përpara pa u shkurajuar”, me vështrimin drejt objektivave. “Gjithmonë do të hasen vështirësi në jetë”, por - siguron Françesku - “uniteti i një populli” e ndihmon atë “të zhvillohet i fortë”.

15 nëntor 2019, 14:14