Kërko

Vatican News

Papa, jezuitëve: revolucion kulturor, në shërbim të “të kryqëzuarve të kohës sonë”

Në një fjalim të gjatë dhe intensiv në spanjisht, Papa Françesku inkurajoi punën e Sekretariatit për Drejtësi Shoqërore dhe Ekologji të Shoqërisë së Jezusit. U tha jezuitëve se për t’u shërbyer “të kryqëzuarve të kohës sonë”, nevojitet një revolucion i vërtetë kulturor.

R.SH. - Vatikan

Shërbimi për të varfërit, edukimi, vëmendja për refugjatët, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Këto ishin argumentet e fjalës së Papës Françesku për pjesëmarrësit në Takimin e Sekretariatit për Drejtësi Shoqërore dhe Ekologji të Shoqërisë së Jezusit, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan. Ati i Shenjtë u kërkoi jezuitëve “impenjim krijues” në misionin e tyre. Lindur në vitin 1969, me dëshirën e atë Pedro Arrupes – që pati qenë Epror i Përgjithshëm nga viti 1965 deri në vitin 1983 - Sekretariati është mbledhur nga e hëna e deri nesër në Romë, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Misionar në Hiroshima gjatë dhe pas shpërthimit të bombës bërthamore më 1945, atë Pedro Arrupe ishte teolog, u bë Epror i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit më 1965, pas Koncilit II të Vatikanit, duke vënë në jetë opcionin e Kishës për të varfërit dhe impenjimin për drejtësi shoqërore – shtyllat mbi të cilat mbështetet puna e Sekretariatit edhe sot.

Impenjim krijues në kohën e globalizimit

         Papa i këshilloi jezuitët ta ndjekin Krishtin në shërbimin “për të kryqëzuarit e kohës sonë”, duke iu referuar shumë padrejtësive, që fillojnë me trafikun e qenieve njerëzore e vijojnë me shprehjet e ksenofobisë, kalojnë nga egoizmi i nacionalizmit të skajshëm në pabarazitë ndërmjet vendeve dhe zonave të ndryshme e, deri tek keqtrajtimi i Shtëpisë sonë të përbashkët, nga i cili vuajnë sidomos më të varfërit.

         Papa kërkoi një revolucion të vërtetë kulturor, që shndërron këndvështrimin dhe qëndrimin ndaj botës. Fillimisht duhen shndërruar strukturat, përmes pjesëmarrjes në dialogun publik, aty ku merren vendimet. Pastaj, duhet ndihmuar Kisha të shqyrtojë apostullimet e veta për të vendosur ç’duhet më tepër sot. Së fundi, duhet bashkëpunuar në rrjet me organizata kishtare e civile në shërbim të më të mënjanuarve, në këtë botë gjithnjë e më të globalizuar. Sipas Papës, globalizimi aktual i zhduk identitetet kulturore, fetare dhe personale, është i tipit “sferik”, ndërsa duhet të jetë “poliedrik”, t’i bashkojë njerëzit dhe popujt, duke u ruajtur veçoritë.

Të varfërit të ndihmohen ta krijojnë vetë të ardhmen

         Papa Françesku kërkoi, më pas, që ndryshimi të fillojë nga vetë të varfërit. Duke iu referuar Takimit me lëvizjet popullore në Bolivi, në vitin 2015, kujtoi se kur më të përvuajturit organizohen vetë, kthehen në “poetë shoqërorë” të vërtetë, krijues të punës, ndërtues shtëpish, prodhues ushqimi, veçanërisht për ata që mbeten jashtë tregut botëror.

“A është apostullimi shoqëror për të zgjidhur problemet? – pyeti Ati i Shenjtë. - Po, por mbi të gjitha, ai duhet për të promovuar proceset dhe për të inkurajuar shpresat. Procese, që i ndihmojnë njerëzit dhe bashkësitë të zhvillohen, që i bëjnë ata të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, i nxisin t’i shprehin aftësitë e tyre dhe ta krijojnë vetë të ardhmen”.

Shërbimi i jezuitëve për të fundmit

Në fjalën e tij, Papa Françesku kujtoi se Shoqëria e Jezusit u impenjua që në fillim në shërbimin për të varfërit, gjë që Shën Injaci e përfshiu në Rregullën e vitit 1550. Kështu, jezuitët duhej t’i kushtoheshin “mbrojtjes dhe përhapjes së fesë dhe fitimit të shpirtrave për jetën dhe doktrinën e krishterë”, por edhe “pajtimit të të dëshpëruarve”, pra, ndihmës për të burgosurit, për të sëmurët e për çdo njeri, që kishte nevojë për bamirësi. Tradita e shën Injacit, vërejti Papa, ka ardhur deri në ditët tona. Françesku përmendi fjalët e atë Arrupes, që me themelimin e Sekretariatit Shoqëror, 50 vite më parë, deshi ta përforconte edhe më shumë atë. Pasi kishte provuar kontaktin me dhimbjen njerëzore, ai shkroi se e kishte parë Zotin aq afër atyre që vuajnë, sa të ndizte në të dëshirën e zjarrtë për ta imituar. Prandaj, për atë Arrupen, kumtimi i fesë dhe promovimi i drejtësisë ishin dy sfida të lidhura që në rrënjë. Kështu, me dëshirën e tij, impenjimi për të varfërit, që deri atëherë ishte detyrë e disa jezuitëve, u kthye në impenjim për gjithë Shoqërinë e Jezusit.

Papa e përfundoi fjalën pikërisht me testamentin e atë Arrupes, në kampin e refugjatëve të Tajlandës. “Mos e lini uratën – u tha Françesku jezuitëve të pranishëm – sepse ajo ishte testamenti i tij”. Kujtojmë se atë Pedro Arrupe pësoi një iktus, pikërisht gjatë fluturimit me avion, ditën që u largua nga Tajlanda. Vijoi edhe më pas të shërbejë si epror i përgjithshëm, por qe i pari i Shoqërisë së Jezusit, që dha dorëheqjen, kur s’ishte më në gjendje të shërbente. Papa i atëhershëm, Gjon Pali II, ia pranoi dorëheqjen vetëm pas iktusit, që e la të paralizuar e pa gojë. Vdiq në Romë, 10 vjet më vonë, në vitin 1991. Për të është hapur çështja e lumnimit.

07 nëntor 2019, 12:06