Kërko

 Takimi organizuar nga Instituti i Argjentinës për Dialogun ndërfetar Takimi organizuar nga Instituti i Argjentinës për Dialogun ndërfetar  

Papa: integralizmi është kolerë, dialogu ndërfetar, përgjigje për plagët e botës

Duke pritur pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Instituti për dialogun ndërfetar i Argjentinës, kushtuar Dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar shkurtin e kaluar, në Abu Dabi, Papa ripohon se dialogu ndërmjet feve nuk është shenjë ligështie, por rast për t’i dhënë përgjigje të suksesshme luftërave, mjerimit, dhunës!

R. SH. - Vatikan

Në botën e sotme, krejt të pasigurt, dialogu ndërmjet feve nuk është shenjë ligështie, sepse besimtarët janë faktorë paqeje për shoqërinë njerëzore. Përballë atyre, që i akuzojnë padrejtësisht fetë si mbjellëse të urrejtjes e shkaktare të dhunës, përgjigjemi se “integralizmi është kolerë”. E kur japim këtë përgjigje e kemi mirë parasysh se të gjitha fetë kanë në gjjrin e vet edhe grupe integraliste.

Kështu u shpreh Papa Françesku, duke pritur në Vatikan, pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Instituti i Argjentinës për dialogun ndërfetar, përqendruar tek dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar shkurtin e kaluar në Abu Dabi nga Papa  dhe Imami i Madh i Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb.

Lexim e mirëkuptim

Françesku nënvizoi sa rëndësi ka që ky tekst, me karakter universal, të përhapet edhe në Amerikë, që të gjitha vendet e kontinentit të mund të kontribuojnë me të vërtetë për leximin e hollësishëm të dokumentit dhe për kuptimim e tij sa më të mirë. Gjatë takimit ndërfetar të shtegtimit tim apostolik në Emiratet e Bashkuara Arabe - kujtoi Papa - pata nënvizuar se në rrethanat e sotme për fetë nuk ka “alternativë”: “Ose do ta ndërtojmë së bashku të ardhmen, ose nuk do të ketë të ardhme!”.

Këtë pati theksuar Papa në Founder’s Memorial të Abu Dabit. E tani ripohoi se traditat fetare janë burim i nevojshëm frymëzimi për promovimin e kulturës së takimit, sipas “dialogut të Zotit me njerëzimin”. Është themelor - sqaroi - bashkëpunimi ndërfetar, i bazuar  mbi promovimin e dialogut të sinqertë e respektues. Dialog që duhet t’i kapërcejë edhe paktet politike, ndonëse, duke folur në nivel politik, Papa kujtoi se është e nevojshme të bëhet ajo që mund të bëhet, sepse është gjithashtu shumë e rëndësishme.

Por, sidomos, Ati i Shenjtë ngulmoi tek kultura e dialogut, pa harruar edhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare.

Kultura e dialogut

Bota - kujtoi akoma Papa - i vëren vazhdimisht besimtarët, për të parë cili është qëndrimi ynë ndaj shtëpisë së përbashkët dhe të drejtave të njeriut, edhe duke bashkëpunuar me burrat e gratë jo besimtarë, për t’u dhënë përgjigje  të frytshme plagëve të shumta, që shqetësojnë botën tonë: “luftërave, urisë, mjerimit që peshon rëndë mbi kurrizin e miliona njerëzve, krizës ambientale, dhunës, korrupsionit,  zvetënimit moral, krizës së familjes, të ekonomisë e, sidomos, mungesës së shpresës. Sot duhet t’i jepet fund atyre sjellje, që shkaktuan në rrjedhë të historisë luftërat e pafundme ndërmjet feve. Mjafton të kujtosh Natën e Shën Bartolomeut, masakrën e hugenotëve, në gusht të vitit 1572, në Paris. Pa shkuar më tej! Prandaj Dokumenti mbi vëllazërimin kërkon me ngulm “kulturën e dialogut”, si rrugë që çon në bashkëpunim, njohje reciproke, si metodë e kriter aksioni! Vetëm kështu mund të pohojmë se “fetë nuk janë sistem i mbyllur, që nuk mund të ndryshojë, por janë ‘për udhë’”.

18 nëntor 2019, 15:29