Zoja e Nagasakit Zoja e Nagasakit  Editorial

Heshtja e Hiroshimës dhe britma e Papës

Françesku i quajti “Atentat, që bërtet në kupë të qiellit”, paratë e shpenzuara për prodhimin e armëve atomike

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Ishte britmë, që grisi heshtjen e madhe në kujtim të viktimave të Hiroshimës dhe të Nagasakit. E dënimi i vendosur jo vetëm kundër përdorimit, por edhe pasjes së armëve, që Françesku e shqiptoi në dy vende-simbol të holokaustit bërthamor të Luftës II Botërore, shënon një hap të ri të magjisterit shoqëror  të Kishës.

Në Nagasaki, e pikërisht në Atomic bomb Hypocenter Park, Papa pohoi  se paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të pajtohen me asnjë tentativë për krijimin e frikës së shkatërrimit reciprok ose me kërcënimin për zhdukjen e plotë. I quajti “atentat, që bërtet në kupë të qiellit” paratë e shpenzuara  e  edhe të fituara për të fabrikuar, për të modernizuar, për të mbajtur e për të shitur armë, gjithnjë më shkatrrimtare, në botën e sotme, “ku miliona fëmijë e familje jetojnë në kushte çnjerëzore”. E denoncoi edhe ligështimin e përpjekjeve shumëpalëshe, fenomen edhe më i rëndë përballë zhvillimit të teknologjive të reja të armëve, që po jep shtytjen drejt Luftës III Botërore, ndonëse sot luftohet vetëm vende-vende, siç na e kujton shpesh vetë Françesku.

Papa në Hiroshimë: imoral, perdorimi dhe pasja e armëve bërthamore

Në Hiroshimë, etapa e fundit e ditës së gjatë japoneze, Papa deshi të pohojë  se “përdorimi i energjisë atomike për qëllime luftarake është, sot më shumë se kurrë, krim jo vetëm kundër njeriut dhe dinjitetit të tij, por edhe kundër çdo mundësie për ardhmërinë e shtëpisë sonë të përbashkët. “Do të gjykohemi për këtë”. Por, në gjurmët e fjalimit, shqiptuar në nëntor 2017, në Vatikan,  shtoi edhe se imoral nuk është vetëm përdorimi i armëve atomike. Është edhe pasja e grumbullimi i tyre, gjë që krijon çdo ditë rrezikun e vëtëshkatërrimit të botës.

Paqja e vërtetë - përfundoi Papa - mund të jetë vetëm paqe e çarmatosur, fryt i drejtësisë, i zhvillimit, i solidaritetit, i vëmendjes për shtëpinë tonë të përbashkët e për promovimin e së mirës së përbashkët. Duke nxënë nga mësimet e historisë, që gremina e dhimbjes, e jetuar në Hiroshimë e Nagasaki vijon ta dëshmojë. Ajo greminë dhimbjeje u pasqyrua plotësisht në Fytyrën e Zojës prej druri, që doli rishtas në dritë nga rrënojat e Nagasakit e që e shoqëroi, me praninë e saj, qortimin dhe kremtimin e Meshës së Françeskut.

24 nëntor 2019, 13:28