Kërko

Vatican News
Papa, në audiencë me Grupet famullitare të ungjillëzimit Papa, në audiencë me Grupet famullitare të ungjillëzimit  (Vatican Media)

Papa, grupeve të ungjillëzimit: takojini njerëzit aty, ku jetojnë

Papa Françesku priti në Sallën Pali VI, rreth 6000 vullnetarë të Grupeve famullitare të ungjillëzimit, themeluar 30 vjet më parë nga meshtari milanez, don Piergiorgio Perini. “Nëse takimi është fryt i dashurisë së krishterë - pohoi ai – ta ndryshon jetën”.

R.SH. - Vatikan

Nëse, fatkeqësisht, njerëzit largohen nga famullia, ata duhen kërkuar e takuar aty, ku jetojnë e veprojnë. Pasi, “kur takimi është fryt i dashurisë së krishterë, ta ndryshon jetën, sepse mbërrin deri në zemër e të prek thellë”. Kështu iu drejtua Papa Françesku rreth 6 mijë anëtarëve të Grupeve famullitare të ungjillëzimit, që i priti sot në Sallën Pali VI, në Vatikan. Kjo lëvizje kishtare është themeluar 30 vite më parë, nga meshtari milanez don Piergiorgio Pierini, që tani është 90 vjeç.

Gjithçka filloi me 40 vullnetarë

         Gjithçka filloi me 40 vullnetarë në famullinë e shën Eustorxhit në Milano, por tani, Grupet janë shumëfishuar aq, sa janë të pranishme anembanë botës. Papa u bëri thirrje të kujdesen për ata besimtarë, që janë larguar nga kisha:

         “Famullitë tona janë mbytur me nisma të shumta, të cilat, shpesh, nuk kanë ndonjë ndikim të thellë në jetën e njerëzve. Veçanërisht në këtë periudhë, edhe juve ju është besuar detyra e përtëritjes së jetës së bashkësive tona famullitare. Kjo do të jetë e mundur në masën me të cilën ato bëhen vend për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për të kremtuar misterin e vdekjes dhe ringjalljes së Tij”.

Dëshmia mund ta ndryshojë jetën

         Vetëm kështu, vijoi Papa, ungjillëzimi sjell fryte të vërteta. Për ata, që janë larguar nga famullia, duhet parashikuar një lloj takimi, që bazohet mbi dëshminë:

“Është urgjente ta kuptojmë nevojën e takimit me njerëzit, aty ku jetojnë dhe punojnë. Nëse e kemi takuar Krishtin në jetën tonë, atëherë nuk mund ta mbajmë vetëm për vete. Është e rëndësishme që këtë përvojë ta ndajmë edhe me të tjerët; kjo është rruga kryesore e ungjillëzimit. Mos harroni: sa herë që takoni dikë, është në lojë një histori e vërtetë, që mund t’ia ndryshojë jetën personit. E ky nuk është proselitizëm: është dëshmi. Gjithmonë, kështu ka ndodhur”.

Dëshmitarë të mëshirës me të vegjlit e kësaj bote

         Papa Françesku, duke përmendur shën Lukën ungjilltar, kujtoi se “kur kalonte përgjatë bregut të liqenit, Jezusi pa Pjetrin, Andreun, Jakobin dhe Gjonin, që po punonin, ua nguli sytë dhe ua ndryshoi jetën”:

“E njëjta gjë përsëritet edhe në ditët tona, kur takimi është fryt i dashurisë së krishterë. E ndryshon jetën, sepse arrin në zemrat e njerëzve dhe i prek ato thellësisht. Kumti juaj u shndërroftë në dëshmi mëshire, me të cilën ta bëni të qartë se çdo vëmendje për njërin prej më të vegjëlve të kësaj bote, është vëmendje për vetë Jezusin, që identifikohet me ta”.

18 nëntor 2019, 14:54