Kërko

Vatican News

Marrëzia e dashurisë dhe e ndihmës për të tjerët: fjalët e Françeskut për Karitasin

Takim familjar ai i Papës me vullnetarët dhe me personat, që ndihmohen nga Karitasi i Romës – vizitë e ipeshkvit në dioqezën e vet. Në fjalën pa letër që u drejtoi, Ati i Shenjtë nguli këmbë në dy pika: brishtësia, që na bashkon të gjithë, dhe “marrëzia” për ta ndihmuar të afërmin.

R.SH. - Vatikan

Dëshmitë e Ornelës dhe të Alesios, një vullnetare dhe një “mik i Karitasit” i shpëtuar nga rruga, ndikuan thellë në zemrën e Papës, gjatë vizitës së pasdites së sotme, në “Cittadella della Caritas” (Qyteza e Karitasit), me rastin e 40 vjetorit të organizmit dioqezan romak. Në fjalën e tij, pa letër, Ati i Shenjtë theksoi brishtësinë, që na  bashkon të gjithëve: ata, që kanë nevojë për ndihmë e trokasin në derë dhe ata që vendosin të ndihmojnë e të përkulen mbi plagët e vëllait. Para 220 vetëve, që e dëgjonin me mallëngjim e mirënjohje, Papa Françesku nënvizoi se edhe Zoti u bë i brishtë për ne: nuk kishte as shtëpi ku të lindte, vuajti persekutimin, përjetoi dramën e ikjes në një vend tjetër, ishte i varfër dhe emigrant, prandaj mund t’i flasim si të ishte njëri prej nesh:

         “Mund të ndihemi të afërt me Jezusin, sepse ai është për udhë si ne, të ecim me Jezusin në jetë, sepse kemi të njëjtin letërnjoftim: jemi të brishtë e Zoti na deshi e na shpëtoi. Kjo është udha. Nuk mund t’i ndihmojmë të varfërit, duke u mbajtur distancë. Duhet t’i prekim, t’ua prekim plagët; ato janë plagët e Jezusit”.

“Marrëzi” për hir të dashurisë

         Duke iu përgjigjur sfidës së don Benoni Ambarus, drejtori i Karitasit, që e pyeti si të kumtohet Ungjilli i Bamirësisë dhe i Dashurisë, Françesku pohoi se i vetmi kumtim i mundshëm është dëshmia, kurrë proselitizmi. Mori shembullin e Samaritanit të mirë, i cili edhe pse nuk ishte fetar, e ndihmoi njeriun e plagosur nga hajdutët dhe e çoi në bujtinë, duke e paguar hanxhiun që t’i jepte për të ngrënë:

         “Unë them: ai hanxhi, ç’do të ketë menduar vallë? Ky është i marrë! Kjo është fjala, që dua t’ju them: marrëzia. Marrëzi nga dashuria, çmenduri për të ndihmuar, marrëzi për të ndarë brishtësinë tënde me të brishtët. Nuk e di. Marrëzi!. ‘Po këta priftërinjtë, në vend që të qëndrojnë në kishë e të thonë meshë, të rrinë të qetë, lëvizin kaq shumë… Janë të marrë’ – ‘Të lumtë, ashtu është: janë të marrë!’ Ky është programi: marrëzia. Mendoni për hanxhiun”.

29 nëntor 2019, 19:58