Papa: vizita ime në Tajlandë, për të vënë në dukje dialogun ndërfetar

Papa Françesku, në prag të udhëtimit apostolik në Tajlandë, në një videomesazh drejtuar popullit tajlandez, nënvizon se vendi aziatik “ka punuar shumë për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore”.

R.SH. - Vatikan

“Kam besim se vizita ime do të kontribuojë në theksimin e rëndësisë së dialogut ndërfetar, të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit vëllazëror, veçanërisht në shërbim të të varfërve, të më nevojtarëve dhe në shërbim të paqes”. Këtë shpresë nënvizon Papa Françesku në videomesazhin e sotëm drejtuar popullit tajlandez, në prag të udhëtimit apostolik në Tajlandë, planifikuar për 20-23 nëntor. “Shpresoj gjithashtu të forcoj lidhjet e miqësisë - shton Papa - me shumë vëllezër dhe motra budiste, që japin dëshmi të qarta për vlerat e tolerancës dhe të harmonisë, kaq karakteristike për popullin tuaj”.

Nga Tajlanda, përpjekjet për të promovuar bashkëjetesën paqësore

Ati i Shenjtë kujton se, gjatë udhëtimit apostolik në Tajlandë, do të takojë bashkësinë katolike të vendit “për ta inkurajuar në fe”. Në videomesazh, Françesku thekson gjithashtu se Tajlanda “ka punuar shumë për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore, jo vetëm në mesin e njerëzve të saj, por edhe në të gjithë rajonin e Azisë Juglindore”. “Në këtë botë, që shumë shpesh përjeton mosmarrëveshje, përçarje, përjashtime - shpjegon Papa - ky kompromis për të farkëtuar një unitet, që respekton dinjitetin e çdo burri, gruaje dhe fëmije, mund të jetë frymëzim për përpjekjet e njerëzve vullnetmirë në të gjithë botën, që të promovojnë zhvillimin e gjithanshëm e të vërtetë të familjes sonë njerëzore, në solidaritet, drejtësi dhe paqe”.

Udhëtimi apostolik në Tajlandë

Papa Françesku do të niset të martën e ardhshme nga aeroporti i Romës për në Bangkok. Pasi të arrijë në Tajlandë, programi i udhëtimit parashikon, ndër të tjera, të enjten, më 21 nëntor, ceremoninë e mirëseardhjes, vizitën tek patriarku suprem i budistëve dhe meshën në stadiumin kombëtar. E premtja, 22 nëntor, do të fillojë me një takim me meshtarët, rregulltarët, seminaristët dhe katekistët. Pas takimeve me ipeshkvijtë e Tajlandës dhe me krerët e krishterë e të feve të tjera, Papa do të kryesojë meshën me të rinjtë në katedralen e Zojës së Madhe. Të shtunën, 23 nëntor, pas ceremonisë së lamtumirës, Françesku do të largohet nga Bangkoku për në Tokio, etapa e dytë e shtegtimit të tij apostolik.

15 nëntor 2019, 12:36