Në Universitetin Chulalongkorn të Bangkokut, Papa Françesku takoi 18 krerë fetarë të Tajlandës, si edhe botën akademike Në Universitetin Chulalongkorn të Bangkokut, Papa Françesku takoi 18 krerë fetarë të Tajlandës, si edhe botën akademike 

Papa: të mbrohet e drejta dhe liria e ndërgjegjes dhe e fesë

Në Universitetin Chulalongkorn të Bangkokut, Papa Françesku takoi 18 krerë fetarë të Tajlandës, si edhe botën akademike. Globalizimi, shpjegoi ai, konfliktet planetare dhe kriza e ambientit kërkojnë që “logjika e izolimit” të zëvendësohet me “takimin dhe dialogun e ndërsjellë”. Shkatërrimi i kulturës, tha Papa, është po aq i rëndë sa zhdukja e llojeve të kafshëve e të bimëve.

R.SH. - Vatikan

“Me prirjen në rritje për të diskredituar vlerat dhe kulturat vendase, për të imponuar kështu një model të vetëm, vërehet edhe prirja për t’i ‘homologuar’ të rinjtë, për t’i zhdukur ndryshimet tipike të vendeve të tyre të origjinës e për t’i shndërruar në subjekte të manipulueshëm, bërë në seri. Kështu, hyn në botë shkatërrimi kulturor, që është po aq i rëndë sa zhdukja e llojeve të kafshëve dhe të bimëve”. Më këto fjalë, Papa Françesku tërhoqi vëmendjen e krerëve të krishterë dhe të feve të tjera, që i takoi sot në Bangkok, gjatë udhëtimit të tij të 32-të apostolik. Para tyre, Ati i Shenjtë takoi privatisht sivëllezërit e tij jezuitë, që jetojnë dhe shërbejnë në Tajlandë.

Budistë, myslimanë, brahma-hinduistë, sikë dhe të krishterë

Në auditoriumin e universitetit Chulalongkorn, Papa u prit nga autoritetet kishtare dhe civile, ndërsa dy studentë i dhuruan lule e 1500 të pranishmit e shoqëruan me duartrokitje të stuhishme. Në skenën e auditoriumit, 18 krerë të feve tradicionale vendase, nga përfaqësues të budizmit e të Islamit tek liderët e brahma-hinduizmit dhe të sikëve, përfshirë përfaqësuesit e konfesioneve të ndryshme të krishtera.

Larg mendësisë ishullore, nevojitet takim

         Papa kujtoi takimin e Papës Leoni XIII me mbretin Chulalongkorn, 122 vite më parë, më 1897, për të theksuar se marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Tajlandën kanë rrënjë të thella e bazohen mbi takimin e dialogun. Më pas, e përqendroi vëmendjen në realitetin e krijuar nga globalizimi, sidomos ai ekonomik, dhe në konfliktet planetare, të cilat mund të zgjidhen vetëm me uljen në të njëjtën tryezë.

         “Ka kaluar koha e mbizotërimit të logjikës ishullore të izolimit si konceptim i kohës dhe i hapësirës, si edhe koha e imponimit të saj si mjet i vlefshëm për zgjidhjen e konflikteve. Sot, me guxim, duhet të imagjinojmë si rrugë, logjikën e takimit dhe të dialogut; si qëndrim, bashkëpunimin; si metodë e kriter, njohjen e anasjelltë. Në këtë mënyrë, përcaktohet një paradigmë e re për zgjidhjen e konflikteve, duke kontribuar në mirëkuptimin ndërmjet njerëzve dhe në mbrojtjen e krijimit”.

Kujdesi për të moshuarit në Tajlandë

         E Papa nënvizoi më pas, rëndësinë e ruajtjes së kulturës dhe të vlerave të një populli, si udhë për t’i bërë ballë globalizimit homologues.

         “Këtu në Tajlandë – vërejti Bergoglio – vend me bukuri të mëdha natyrore, dua të nënvizoj një aspekt dallues, që e konsideroj thelbësor dhe, në një farë mase, pjesë të trashëgimisë ‘për t’u eksportuar’ e për t’u ndarë me rajonet e tjera, ku jeton familja jonë njerëzore. Ju i vlerësoni dhe kujdeseni për të moshuarit, i respektoni dhe u jepni atyre një vend nderi që t’ju sigurojnë rrënjët e nevojshme. Kështu, populli juaj nuk korruptohet, duke ndjekur lloj-lloj parrullash, që arrijnë deri sa ta boshatisin e ta hipotekojnë shpirtin e brezave të rinj”.

Roli i universitetit dhe i institucioneve edukative

         Që këtej, thirrja e Papës Françesku: “Vazhdoni t’i nxisni të rinjtë të zbulojnë bagazhin kulturor të shoqërisë, ku jetojnë. T’i ndihmosh të rinjtë të zbulojnë pasurinë e gjallë të së kaluarës, të takohen me rrënjët e tyre, duke i ngulitur në kujtesë, është akt i vërtetë dashurie ndaj tyre, duke pasur parasysh se do të rriten e do t’u duhet të marrin vendime për jetën. Kjo perspektivë përfshin domosdoshmërisht rolin e institucioneve edukative, si universiteti ku jemi – vijoi Ati i Shenjtë, duke përmendur ateneun më të lashtë e më prestigjoz të Tajlandës, ku studiojnë edhe anëtarët e familjes mbretërore. – Puna kërkimore-shkencore, dija, ndihmojnë të hapen udhë të reja për zhdukjen e pabarazisë ndërmjet njerëzve, për forcimin e drejtësisë shoqërore, për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, për gjetjen e formave paqësore të zgjidhjes së konflikteve dhe për ruajtjen e pasurive, që i japin jetë kësaj tokës sonë”.

Universtiteti Chulalongkorn

         I ngritur në qendër të Bangkokut, jo shumë larg Pallatit Mbretëror, Universiteti Chulalongkorn u themelua në fillim të viteve 1900, nga mbreti Rama VI, i cili e ndërtoi në kujtim të të atit, Rama V, sovran që bëri shumë për zhvillimin e vendit, i vlerësuar nga popullsia sidomos për heqjen e skllavërisë. Fillimisht, struktura ishtë Shkollë formimi për shërbimin civil , më pas, Shkollë për pazhët mbretërorë, ndërsa, në vitin 1911, u kthye në Kolegj, për t’u shpallur zyrtarisht Universitet, më 26 mars 1917. Aktualisht ka 19 fakultete.

22 nëntor 2019, 13:08