Vatican News

Papa, tajlandezëve, në Bangkok: misionarë, për të çuar kudo mëshirën e Zotit

Në homelinë e meshës, në stadiumin kombëtar të Bangkokut, Papa Françesku i ftoi katolikët tajlandezë të dalin në rrugë, të bëhen dishepuj misionarë, si ungjillëzuesit e parë. Ati i Shenjtë kërkoi afërsi me fëmijët e gratë e shfrytëzuara për prostitucion dhe trafikim, me skllevërit e rinj të drogës, me migrantët pa shtëpi dhe familje, me peshkatarët e shtypur dhe me lypësit e injoruar.

R.SH. - Vatikan

Dilni me gëzim “për të ndarë jetën e re, që vjen nga Ungjilli, me të gjithë anëtarët e familjes, që ende nuk i njohim”. Kështu u tha Papa Françesku rreth 60 mijë tajlandezëve, mbledhur në stadiumin kombëtar “Supachalasai” për meshën e parë në “Tokën e njerëzve të lirë” dhe atyre, që e ndiqnin përmes ekraneve në stadiumin aty pranë. Homelia e tij ishte ftesë e vazhdueshme për 400 mijë besimtarët katolikë të Tajlandës që të bëhen dishepuj misionarë, duke ndarë me të tjerët “përqafimin e mëshirshëm të Zotit”, siç bëri Jezu Krishti.

Fara e hedhur 450 vite më parë vetëm nga dy dishepuj misionarë

         Në një kremtim mbushur me këngë tradicionale fetare, Papa kujtoi misionarët e parë, që mbërritën në Mbretërinë e Siamit, domenikanët portugezë, Jeronimo da Cruz dhe Sebastiao da Canto, vrarë më 1569, 450 vjet më parë. “Vetëm dy misionarë - nënvizoi Françesku - gjetën guximin për të mbjellë farën”, e cila rritet edhe sot, duke bërë të lindin një mori nismash apostolike, “që kontribuojnë në jetën e kombit”. Një shekull më vonë, më 1669, u krijua Vikariati Apostolik i Siamit. Udhëtimi apostolik i Papës bëhet pikërisht në 350-vjetorin e themelimit të tij.

         “Ky përvjetor nuk do të thotë nostalgji për të kaluarën, por zjarr shprese, sepse sot, edhe ne mund të përgjigjemi me të njëjtën vendosmëri, forcë dhe besim. Është kujtim festiv dhe mirënjohës, i cili na ndihmon të dalim me gëzim për të ndarë jetën e re, që vjen nga Ungjilli, me të gjithë anëtarët e familjes, që ende nuk i njohim”.

Pa misionarët e parë, Kishës do t’i mungonte buzëqeshja tajlandeze

         Në ditën kur Kisha përkujton Paraqitjen e Zojës së Bekuar në Tempull, Papa komentoi Ungjillin sipas Mateut, duke u përqëndruar në pyetjen e Jezusit: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?” Përgjigjja i pati lënë dhe i lë gojëhapur të gjithë: “Kush bën vullnetin e Atit tim, që është në qiell, ai është për mua vëlla, motër dhe nënë”. Duke i dëgjuar e duke i vënë në jetë këto fjalë, nënvizoi Ati i Shenjtë, dishepujt misionarë kuptuan se bënin pjesë në një familje më të madhe se ajo e lidhjeve të gjakut apo ajo e së njëjtës kulturë, fe a përkatësi kombëtare. Prandaj, u vunë për udhë në kërkim të “nënës, vëllait, motrës” tajlandeze, që mungonte në tryezën e tyre. Pa ta, theksoi Papa, “krishterimit do t’i mungonte fytyra juaj; do t’i mungonin këngët, vallet, që përfaqësojnë buzëqeshjen e Tajlandës”. E Françesku nuk mungoi të japë modelin e misionarit, të vlefshëm për të gjithë:

         “Dishepulli misionar nuk është mercenar i fesë, as person që gjen ithtarë, por një lypës, që e pranon se i mungojnë vëllezërit, motrat dhe nënat, me të cilat mund të kremtojë e të festojë për dhuratën e pakthyeshme të pajtimit, që Jezusi u jep të gjithëve: tryeza është gati, dilni dhe thirreni këdo takoni në rrugë”.

Mos kini frikë të uleni në tryezë me mëkatarët

         Papa e vijoi reflektimin e tij për mënyrën se si duhet të sillet një dishepull misionar në botën e sotme. Ai imiton Krishtin, i cili u ul në tryezë me mëkatarët, për t’u dëshmuar se në tryezën e Atit Qiellor kishte një vend të rezervuar për ta; preku njerëzit, që konsideroheshin të papastër, madje, i la ta prekin, duke i ndihmuar të kuptojnë se ishin të lum. E Papa foli për ditët tona:

         “Mendoj veçanërisht për ata djem e vajza të vogla, për ato gra, të ekspozuara ndaj prostitucionit dhe trafikimit, të shpërfytyruara në dinjitetin e tyre më të thellë; për ata skllevër të rinj të drogës dhe për mungesën e kuptimit të jetës, që ua errëson shikimin dhe ua djeg ëndrrat; mendoj për migrantët pa shtëpi dhe pa familje, si dhe për shumë të tjerë që, si ata, mund të ndiehen të harruar, jetimë, të braktisur… Mendoj për peshkatarët e shfrytëzuar, për lypësit e injoruar. Ata janë pjesë e familjes sonë, janë nënat dhe vëllezërit tanë; të mos i privojmë bashkësitë tona nga fytyrat, plagët, buzëqeshjet, nga jeta e tyre; e të mos i privojmë plagët dhe varrët e tyre nga vojimi i mëshirshëm i dashurisë së Zotit”.

Në gjurmët e dishepujve të vërtetë të Krishtit

         Së fundi, para se t’i nxiste të pranishmit në meshën e Bangkokut të ecin në gjurmët e misionarëve të parë, Ati i Shenjtë nuk mungoi të theksojë, edhe një herë, sa e rëndësishme është të jesh misionar i krishterë, që shkon për t’u çuar njerëzve Krishtin, por jo për t’ua imponuar Birin e Hyjit:

         “Dishepulli misionar e di se ungjillëzim nuk do të thotë të grumbullosh ithtarë e as të dukesh i pushtetshëm, por të hapësh dyert për ta jetuar e për ta ndarë me të tjerët përqafimin e mëshirshëm e ngushëllues të Hyjit Atë, që na bën familje”.

21 nëntor 2019, 14:37