Kërko

Françesku për studentët e Universitetit Sofia: mësohuni të zgjidhni më të mirën

Pak para se të largohej nga Japonia, Papa Françesku u takua me bashkësinë e Universitetit Sofia në Tokio. Ajo është “dalluar gjithnjë për identitetin e saj humanist, të krishterë dhe ndërkombëtar”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Universiteti Sofia, ku shumica e studentëve nuk janë katolikë, është një nga universitetet më të shquara të Japonisë. U themelua në vitin 1913 nga Shoqëria e Jezusit me ftesë të Papës Piu X. Kjo strukturë me 8 fakultete dhe 18 departamente dallohet për natyrën e saj ndërkombëtare. Aty studiojnë çdo vit rreth një mijë studentë të huaj, ndërsa më se 2 mijë studentë japonezë mund të bëjnë kurse jashtë vendit. Pak para se të largohej nga Azia, Papa e vizitoi këtë universitet prestigjoz dhe u takua me më se 700 studentët dhe pedagogët e tij, ndër të cilët edhe sivëllezër e miq jezuitë.

Përtej rregullit dhe rezultateve

         Në fjalën e tij, Papa Françesku kujtoi se në Japoni, ku shumë martirë kanë dhënë “dëshminë e fesë”, prania e të krishterëve ndihet, pavarësisht se janë pakicë. Në këtë vend, shtoi Ati i Shenjtë, “përveç rezultateve dhe rregullit” karakteristik të shoqërisë japoneze, njeriu e kupton se kërkohet diçka më shumë: “një shoqëri gjithnjë e më njerëzore, më e dhembshur dhe më e mëshirshme”. Papa theksoi se qendrat e studimit “duhet ta ruajnë autonominë dhe lirinë e tyre”. “Në një shoqëri kaq në konkurrencë dhe kaq teknologjike, ky universitet - shpjegoi Ati i Shenjtë - nuk duhet të jetë vetëm qendër formimi intelektual, por edhe vend, ku të marrë formë një shoqëri më e mirë dhe një e ardhme më e pasur me shpresë”.

Zgjidhni më të mirën

Tema të tjera, që u prekën nga Françesku, ishin mbrojtja e shtëpisë së përbashkët dhe identiteti ndërkombëtar i universitetit. Në frymën e Enciklikës “Laudato Si’”, Papa vuri në dukje se dashuria për natyrën, “kaq tipike për kulturat aziatike”, duhet ta vërë në lëvizje inteligjencën, në mënyrë që të shqetësohet e të parandalojë shkatërrimin e tokës. Që nga themelimi i tij, universiteti Sofia është pasuruar me pedagogë nga vende të tjera, ndonjëherë edhe nga shtete “në konflikt me njëri-tjetrin”. “Të gjithë - nënvizoi Bergoglio - ishin të bashkuar nga dëshira që të jepnin më të mirën për rininë e Japonisë”.

“Asnjë student i këtij universiteti nuk duhet të diplomohet pa mësuar si të zgjedhë, me përgjegjësi dhe liri, atë që, e ndien në ndërgjegje se është më e mira. Në çdo situatë, edhe në ato më të ndërlikuarat, interesohuni për gjithçka është e drejtë dhe njerëzore, e ndershme dhe e përgjegjshme në qëndrimin tuaj, bëhuni mbrojtës të vendosur të më të brishtëve, që t’ju njohin për atë integritet, aq të nevojshëm në çastet, kur fjalët dhe veprimet shpesh janë të rreme, ose mashtruese”.

Vështrimi mbi të rinjtë

         Brezat e rinj janë e ardhmja e Kishës dhe e botës. “Kisha universale - shpjegoi Papa – i sheh me shpresë dhe interes të rinjtë e gjithë planetit”:

“Universiteti juaj, në tërësinë e vet, është i thirrur të përqendrohet tek të rinjtë, të cilët jo vetëm që duhet të përfitojnë nga një edukim cilësor, por duhet edhe të marrin pjesë në këtë edukim, duke dhënë ide e duke ndarë me të tjerët këndvështrimin dhe shpresat e tyre për të ardhmen. Universiteti juaj u bëftë i njohur për këtë model konfrontimi dhe për frytin e pasurimit e të gjallërisë njerëzore”.

Ecni me të varfërit

Në një kohë dhe në një shoqëri, fragmentuar thellësisht nga pasojat e kulturës së hedhurinave, Françesku i nxiti studentët dhe padagogët japonezë “të ecin me të varfërit dhe me të mënjanuarit e botës”. Universiteti, nënvizoi Papa, duhet të jetë gjithnjë dyerhapur për të krijuar “një arkipelag të aftë të lidhet me çdo njeri, që shoqëria dhe kultura e shohin si veç të tjerëve”:

“Të mënjanuarit duhet të përfshihen në mënyrë krijuese në kurrikulumin universitar, duke u përpjekur të krijohen kushte për promovimin e një stili arsimor, në gjendje të reduktojë distancat. Studimi cilësor universitar, në vend që të konsiderohet privilegj i pak vetëve, duhet të shoqërohet me vetëdijen se jemi shërbëtorë të drejtësisë dhe të së mirës së përbashkët; shërbim për t’u kryer në zonën, që secili prej nesh është i thirrur ta zhvillojë. Çështje që i prek të gjithë; këshilla e Pjetrit për Palin është akoma e vlefshme edhe sot: të mos i harrojmë të varfërit”.

Ati i Shenjtë nxiti të rinjtë, profesorët dhe gjithë personelin e universitetit, ta “kërkojnë, ta gjejnë dhe ta përhapin Urtinë hyjnore” dhe “t’i dhurojnë gëzim e shpresë shoqërisë së sotme”. Papa shprehu edhe mirënjohjen për popullin japonez, i cili e priti si jo më mirë gjatë vizitës së tij në Japoni. Pas takimit në universitet, Françesku shkoi në aeroport, për t’u nisur për në Romë e Vatikan. Përfundoi kështu, udhëtimi i 32-të apostolik i tij.

26 nëntor 2019, 12:07