1574518773006.JPG

Papa takon ipeshkvijtë në Tokio: mbrojtja e jetës dhe kumtimi i Ungjillit janë i njëjti mision

Në etapën e parë të udhëtimit të tij në Japoni, Papa Françesku takon ipeshkvijtë e vendit dhe u kërkon të promovojnë “zhvillimin e gjithanshëm të njerëzve”, të luftojnë kundër dëshpërimit të të rinjve, duke u dhënë të gjithëve mundësinë për një jetë të lumtur e jo vetëm atyre, që janë “dikushi”.

R.SH. - Vatikan

Takimi i vetëm i ditës së parë të Papës Françesku në Japoni ishte ai me ipeshkvijtë e vendit, në krye të një pakice të vogël katolikësh, shumë prej të cilëve janë punëtorë të huaj, që kanë shkuar në Japoni si emigrantë. Megjithatë, Konferenca Ipeshkvnore Japoneze përfshin ipeshkvij nga tri kryedioqeza metropolitane e 13 dioqeza sufragane, në përfaqësi të 0,42% të popullsisë, aq sa është numri i katolikëve, që, gjithsesi, e kalojnë 500 mijëshin.

Hovi i parë misionar i Papës Bergoglio

         “Pjetri – u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve, duke e bërë të qartë ndjetin e vizitës së tij në Japoni – dëshiron t’ju përforocojë në fe, por vjen edhe për të prekur me dorë dhe për t’u përtërirë në gjurmët e martirëve, dëshmitarë të fesë; lutuni që Zoti të ma japë këtë hir”.

         Papa u takua me prelatët japonezë në nunciaturën apostolike të Tokios e, menjëherë, i siguroi se që i ri ndiente simpati e dashuri për trojet, ku ata shërbejnë. Vërtet, në rininë e vet, Bergoglio dëshironte të shkonte si misionar në Japoni, në gjurmët e një jezuiti tjetër të madh, përmes të cilit u përhap krishterimi në këtë vend, shën Françesk Saverit. Janë mbushur tashmë 470 vjet që nga mbërritja e shenjtit në Japoni. Por Ati i Shenjtë përmendi edhe figurat e tjera të krishterimit japonez, si shën Pal Miki me shokët e tij martirë, të Lumin Justo Takayama Ukon, që pas shumë sprovash, dha dëshminë e fesë deri në vdekje. Pastaj, “të krishterët e fshehur” të rajonit të Nagasakit, ku Papa do të shkojë nesër.

         “ADN-ja e bashkësive tuaja – theksoi Papa – është shenjuar nga kjo dëshmi, ilaç kundër çdo dëshpërimi, që na tregon udhën drejt së cilës të orientohemi. Ju jeni Kishë e gjallë, që e ka ruajtur veten, duke shqiptuar Emrin e Zotit e duke kundruar si ju udhëhiqte Ai në mesin e persekutimit”.

Mbërritja e Papës në takimin me ipeshkvijtë

Nagasaki dhe Amakusa, Trashëgimi Kulturore Botërore

Dëshmia e martirëve, vijoi Ati i Shenjtë, e ka mbrujtur kulturën japoneze e, edhe fytyrën e Kishës. “Ky kapitull i rëndësishëm i historisë së vendit dhe të Kishës universale është i njohur tani me caktimin e kishave dhe të fshatrave të Nagasakit e të Amakusës si Trashëgimi Kulturore Botërore; por sidomos, si kujtesë e gjallë e shpirtit të bashkësive tuaja, shpresë e frytshme e çdo ungjillëzimi”.

Të mbrohet çdo jetë

Papa Françesku përmendi moton e udhëtimit të tij apostolik në Japoni: “Të mbrohet çdo jetë”. Pikërisht ipeshkvi, nënvizoi, është ai, që Zoti e ka thirrur të mbrojë çdo jetë. Së pari, kjo do të thotë se ai duhet të jetë i aftë ta dojë jetën e gjithë grigjës, që i është besuar, sepse ajo është dhuratë e Zotit. “Pasi – vërejti Papa – vetëm ajo që duhet, mund të shpëtohet. Vetëm ajo që përqafohet, mund të shndërrohet”. Ati i Shenjtë theksoi se mbrojtja e jetës është e lidhur ngushtë me kumtimin e Ungjillit. Të dyja kërkojnë kujdes e vigjilencë për gjithçka mund ta pengojë zhvillimin e gjithanshëm të njerëzve, në dritën e Ungjillit të Krishtit.

E ky kujdes duhet shtrirë edhe mbi punëtorët e huaj, që përbëjnë më se gjysmën e katolikëve të Japonisë. Ata, nënvizoi Papa, “jo vetëm shërbejnë si dëshmi e Ungjillit në gjirin e shoqërisë japoneze, por dëshmojnë edhe universalitetin e Kishës”.

Nga takimi i Papës me ipeshkvijtë në Tokio
Nga takimi i Papës me ipeshkvijtë në Tokio

Nagasaki e Hiroshima

         Më pas, Ati i Shenjtë përmendi etapën e ditës së nesërme, gjatë së cilës do të shkojë në Nagasaki dhe Hiroshimë, ku do të lutet për viktimat e bombës atomike, gjatë Luftës II Botërore, dhe do të takohet me të dëmtuarit nga e ashtuquajtura “fatkeqësi e trifishtë”. Kujtojmë se më 11 mars 2011, bregu verior i Japonisë u godit nga një tërmet 9 ballësh, që shkaktoi një tsunami të fuqishëm dhe aksidentin e mirënjohur në centralin bërthamor të Fukushimës. Duke folur për viktimat e djeshme e të sotme, Papa Françesku nënvizoi: “Vuajtja e tyre e zgjatur është paralajmërim i qartë për detyrën tonë njerëzore e kristiane që të ndihmojmë ata, të cilët vuajnë në trup e në shpirt dhe t’u japim të gjithëve mesazhin ungjillor të shpresës, të shërimit e të pajtimit. E keqja nuk bën dallime ndërmjet njerëzve dhe nuk informohet për përkatësinë e tyre; thjesht, vërshon me forcën e saj shkatërrimtare, siç ndodhi edhe kohët e fundit me tajfunin, që shkaktoi kaq shumë viktima e dëme materiale”.

Impenjimi edukativ i Kishës

         Papa u përqendrua më pas në detyrën e Kishës për të edukuar besimtarët, por edhe për të thënë fjalën e saj në shoqërinë japoneze. Vuri në dukje rritjen e numrit të vetëvrasjeve në qytete, shtimin e akteve të bullizmit e të formave të ndryshme të izolimit, sidomos ndër të rinjtë.  “Me zellin, idetë dhe energjinë, që ju mund t’u jepni – u tha Françesku ipeshkvijve – përveç formimit dhe shoqërimit të përshtatshëm, të rinjtë mund të jenë burim i rëndësishëm shprese për bashkëmoshatarët dhe mund të japin dëshminë e gjallë të bamirësisë e të dashurisë së krishterë”. Ati i Shenjtë i nxiti ipeshkvijtë të dalin, për t’i takuar njerëzit aty ku jetojnë, për të njohur më mirë zakonet dhe problemet e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi t’i shoqërojnë me Ungjillin e dhembshurisë dhe të mëshirës. Së fundi, Papa u dha të pranishmëve dhe bashkësive të krishtera japoneze, bekimin e tij apostolik.

23 nëntor 2019, 12:38