1574417960110.JPG

Papa Françesku, në meshën me të rinjtë: një zemër e lumtur i ka rrënjët në Krishtin

Propozimet tërheqëse të botës e shuajnë shkëndijën e jetës, që Zoti ka ndezur në shpirtin e secilit. Kështu Papa Françesku, duke iu drejtuar tajlandezëve të rinj, në homelinë e meshës së kremtuar në katedralen e Zojës së Madhe, në Bangkok, vizituar edhe nga shën Gjon Pali II, më 1984.

R.SH. - Vatikan

Rreth 10 mijë besimtarë ishin të pranishëm në meshën me rininë, me të cilën Papa Françesku përfundoi vizitën e tij apostolike në Tajlandë, para se të niset nesër për në Japoni, etapa e dytë e udhëtimit të tij të 32-të apostolik. Të shumtë, ata që e dëgjuan Atin e Shenjtë nga sheshi para kishës, mbushur plot. Ta ëndërrojnë të ardhmen, por duke u kujdesur për rrënjët e për traditën e tyre: kjo qe thirrja e Bergoglio-s për të rinjtë katolikë, në katedralen me stil neoromak, ndërtuar falë misionarit francez, atë Pascal.

Të rinjtë tajlandezë në meshën me Papën
Të rinjtë tajlandezë në meshën me Papën

Zemra të rrënjoset në Krishtin

         Duke komentuar ungjillin e ditës, që flet për dhjetë virgjërat, të cilat prisnin Dhëndrrin, Papa vuri në dukje se është gjithnjë Zoti që vjen i pari për të na takuar. Krishti vjen tek ne gjithmonë, prandaj duhet të kujdesemi ta mbajmë gjithnjë ndezur llambën për ta pritur, pa i lënë vështirësitë e jetës të na hidhërojnë e të na bëjnë ta ndryshojmë drejtimin.

         “Të dashur miq, që flaka e Shpirtit Shenjt të mos shuhet e, që ju ta përtërini vështrimin dhe zemrën, - nënvizoi Ati i Shenjtë - duhet të jeni të rrënjosur mirë në fenë e të moshuarve: të baballarëve, të gjyshërve dhe të mësuesve. Jo për të mbetur peng të së kaluarës, por për të mësuar ta keni atë guxim, që mund t’ju ndihmojë të reagoni në situatat e reja historike. Jeta e tyre u ka rezistuar shumë sprovave dhe vuajtjeve. Por, gjatë rrugës, ata zbuluan se sekreti i një zemre të lumtur është siguria e ankorimit, e rrënjosjes në Krishtin: në jetën e Tij, në fjalët e Tij, në vdekjen dhe ringjalljen e Tij”.

Moment nga mesha
Moment nga mesha

Mos e shuani shkëndijën e jetës, ndezur nga Zoti

         Të rinj shtathedhur, që duken si pemë të larta, nëse nuk kanë rrënjë të thella, bien kur mbi ta përplaset stuhia. Prandaj, Papa i këshilloi të rinjtë tajlandezë të mos shkojnë pas atyre, që u propozojnë një të ardhme pa rrënjë, a thua se bota fillon tani. Rrënjosja në Krishtin, theksoi Françesku, nuk i lejon sirenat e botës t’i joshin njerëzit me këngën e tyre.

         “Pa këtë ndjenjë të fuqishme rrënjosjeje, mund të na hutojnë ‘zërat’ e kësaj bote, që kërkojnë me çdo kusht vëmendjen tonë – vërejti Ati i Shenjtë. - Shumë prej tyre janë propozime joshëse, të lyera me lloj-lloj bojrash, që në fillim duken të bukura dhe shprehëse, por, me kalimin e kohës, lënë vetëm zbrazëti, lodhje, vetmi dhe apati, duke e shuar pak nga pak atë shkëndijë jete, që Zoti e pati ndezur dikur në secilin prej nesh”.

         Në përfundim të meshës e, edhe të vizitës së tij në Tajlandë, Papa Françesku falenderoi të gjithë ata, që e bënë të mundur udhëtimin e tij, sidomos mbretin Rama X, qeverinë, autoritetet e vendit, ipeshkvijtë e kardinalin Francis Xavier, si edhe meshtarët, rregulltarët e të gjithë besimtarët e vullnetarët, ndërmjet të cilëve të rinjtë ishin pjesë e rëndësishme. Në mbyllje, kërkesa për t’u lutur për të.

22 nëntor 2019, 14:42