Kërko

1573657454475.JPG

Papa e kryeipeshkvi i Kanterbërit dëshirojnë ta vizitojnë së bashku Sudanin e Jugut

Dje pasdite, në Vatikan, takim ndërmjet Françeskut dhe kryeipeshkvit të Kanterbërit, Justin Welby. Në qendër të bisedës, gjendja e vështirë e të krishterëve, krizat ndërkombëtare dhe ndjeti për të vizituar së bashku Sudanin e Jugut

R.SH. - Vatikan

Zemra e Papës Françesku dhe ajo e kryeipeshkvit të Kanterbërit, Justin Welby, rrahin në unison, kur është fjala për popullsinë e Sudanit të Jugut. Të dy, që u takuan dje në Vatikan, shprehën dëshirën për të vizituar së bashku vendin afrikan. Një dëshirë që mund të përmbushet nëse - siç thuhet në njoftimin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – “situata politike do të mundësonte krijimin e një qeverie tranzicioni të bashkimit kombëtar në 100 ditët e ardhshme, kur do të skadojë marrëveshja e nënshkruar ditët e fundit në Ugandë”. Audienca e Papës me kryeipeshkvin anglikan Justin Welby u zhvillua pasdite. I pranishëm edhe kryeipeshkvi Ian Ernest, drejtor i Qendrës Anglikane të Romës dhe përfaqësues i Bashkësisë Anglikane në Selinë e Shenjtë. Ati i Shenjtë dhe autoriteti më i lartë shpirtëror i Kishës Anglikane u ndalën edhe “në gjendjen e të krishterëve në botë dhe në disa kriza ndërkombëtare, duke iu referuar veçanërisht realitetit të dhimbshëm të shtetit afrikan”. Ty dy e kanë shprehur disa herë shqetësimin e tyre për Sudanin e Jugut.

Vëmendja për Sudanin e Jugut

Në prill të vitit 2019, u mbajtën në Vatikan ushtrimet shpirtërore të autoriteteve civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut. Propozimi për t’i bashkuar të gjithë në Shtëpinë e Shën Martës iu bë Papës pikërisht nga kryeipeshkvi i Kanterbërit, Justin Welby, me synimin për t’i dhënë Kishës “mundësi për reflektim dhe lutje, ndërsa atyre, që kanë si mision dhe përgjegjësi të punojnë për të ardhmen në paqe dhe prosperitet të popullit të Sudanit të Jugut, mundësi për takim e pajtim, në frymën e respektit dhe të besimit”. Në fund të Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, Papa Françesku shprehu dëshirën për të vizituar Sudanin e Jugut vitin e ardhshëm. E Ati i Shenjtë e pati shprehur këtë dëshirë që në audiencën me presidentin e Republikës së Sudanit të Jugut, Salva Kiir. Edhe më parë, në shkurt 2017, duke iu përgjigjur një pyetjeje në famullinë anglikane të “Gjithë shenjtorëve” në Romë, Papa Françesku bëri të ditur se po studiohej një vizitë një-ditore në Sudanin e Jugut, bashkë me kryeipeshkvin e Kantërbërit, Justin Welby. Kjo vizitë ishte planifikuar atë vit, por u anullua për shkak të konfliktit të përgjakshëm, që vijonte në këto troje që prej 2013-ës.

Situata e vështirë në Sudanin e Jugut

Papa Françesku i ka inkurajuar gjithnjë palët kundërshtare në Sudan të lënë mënjanë problemet dhe të formojnë sa më shpejt qeverinë e koalicionit për të mirën e vendit, por në vështirësi për të krijuar një qeveri koalicioni, e cila duhej të ishte formuar më 12 nëntor, marrëveshja e paqes, nënshkruar nga të dyja fraksionet, u shty edhe 100 ditë të tjera.

Konflikti filloi kur presidenti Salva Kiir Mayardit, nga etnia Dinka, akuzoi zëvendësin e tij Riek Machar, i etnisë Nuer, se po organizonte një grusht shteti. Kështu filluan luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve, besnikë të Machar-it. Ndeshjet e para nisën më 15 dhjetor 2013 në rrugët e Juba-s, kryeqyteti i vendit, e u përhapën shpejt. Tani është arritur një marrëveshje paqeje, që mbahet në këmbë për të krijuar një qeveri tranzicioni, e cila vonon të formohet.

14 nëntor 2019, 10:21