Kërko

Papa, çifteve të krishtera: të jeni Kishë shtëpiake, skulpturë e gjallë e Zotit

Akuila dhe Prishila, bashkëshortët hebrenj, që Pali i takon në Korint, janë modelet që u propozoi Papa Françesku çifteve të krishtera, në audiencën e përgjithshme, ende të përqendruar mbi Veprat e Apostujve. I ftoi të jenë “humus” për kultivimin e fesë, si edhe ta ndiejnë përgjegjësinë për sivëllezërit e persekutuar - siç janë hebrenjtë edhe sot - dhe për të gjithë ata, që privohen nga liria fetare. Pastaj, mendimi për udhëtimin në Tajlandë dhe Japoni.

R.SH. - Vatikan

Megjithë klimën e ftohtë të kësaj së mërkure nëntori, Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, ishte mbushur plot me njerëz, këngë, muzikë dhe dashuri plot ngrohtësi për Papën Françesku, i cili, falë një pauze gjatë shiut të vazhdueshëm, mundi të bëjë xhiron tradicionale ndërmjet besimtarëve, duke i përshëndetur e duke puthur me butësi edhe fëmijë shumë të vegjël, përveç atyre, që patën privilegjin të ulen me të në papamobil. Pak më parë, përshëndetja dhe bekimi për rreth 250 të sëmurë në Sallën Pali VI, që vetë Papa ua përmendi besimtarëve, të cilët morën pjesë në audiencën e sotme të përgjithshme.

Të persekutosh hebrenjtë nuk është as njerëzore, as kristiane

         Qendra e katikizmit, edhe sot, ishin Veprat e Apostujve dhe përhapja e Ungjillit në botë, realizuar nga shën Pali. Papa Françesku komentoi kapitullin 18, në të cilin pasqyrohet faza e “ungjillëzuesit të palodhur”, në Korintin kozmopolit, ku, i ardhur nga Athina, gjen mikpritje dhe punë në shtëpinë e Akuilës dhe Prishilës. Ishin bashkëshortë hebrenj, edhe ata “të huaj”, sepse ishin detyruar të lëviznin nga Roma, pas dekretit të perandorit Klaudio, që jepte urdhër të dëboheshin të gjithë judeasit, të krishterë e jo. E Papa la mënjanë letrat dhe u kushtoi disa fjalë “vëllezërve hebrenj”, ende të persekutuar sot në botë:

“Populli hebraik ka vuajtur shumë gjatë historisë. U dëbua, u persekutua... Edhe ata, apo jo? Në shekullin e kaluar, kemi parë shumë e shumë brutalitete kundër popullit hebraik e të gjithë ishim të bindur se e gjithë kjo kishte marrë fund tashmë. Por sot, fillon të rizgjohet aty-këtu, zakoni për të përndjekur hebrenjtë. Vëllezër dhe motra, kjo nuk është as njerëzore e as e krishterë. Hebrenjtë janë vëllezërit tanë! E nuk duhet të persekutohen. Kuptuat?”

Bashkëshortët bujarë dhe arti i krishterë i mikpritjes

         Në bashkëshortët Akuila dhe Prishila, në shërbim të bashkësisë së re të krishterë në Korint, shihet imazhi i shumë laikëve të impenjuar në ungjillëzim, për t’i shtrirë rrënjët e Fjalës së Zotit në botë dhe për të mbrojtur të përndjekurit e shumtë. Papa e fillon këtu reflektimin e tij. Shtëpia e tyre ishte me të vërtetë e veçantë. Së pari, ishte vend ku zbatohej “arti i krishterë i mikpritjes”, falë një “zemre plot besim te Zoti” dhe bujare për të huajt:

         “Kjo ndjeshmëri e tyre i bën të dalin nga vetvetja për të praktikuar artin e krishterë të mikpritjes dhe për të hapur dyert e shtëpisë së tyre që të mirëpresin shën Palin apostull. Kështu, ata presin jo vetëm ungjillëzuesin, por edhe kumtin, që ai mbart: Ungjillin e Krishtit, i cili është ‘fuqia e Zotit për shpëtimin e të gjithë atyre, që besojnë’. Që nga ai çast, shtëpia e tyre mbruhet me aromën e Fjalës ‘së gjallë’, e cila u jep jetë zemrave”.

Shtëpia si Kishë, kur mungon liria fetare

         Por Akuila e Prishila nuk ndajnë vetëm hapësirën fizike me Palin. Si Apostulli, edhe ata ishin ndërtues tendash, një “punë me dorë”, që Pali e konsideronte “hapësirë të privilegjuar dëshmie të krishterë, përveçse një mënyrë të drejtë për t’u mbajtur, pa u bërë barrë për të tjerët”. Kështu, shtëpia e bashkëshortëve hebrenj kthehet në një “domus ecclesiae”, në një “shtëpi të Kishës”, “në një vend për të dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për të kremtuar Eukaristinë”, me dyer të hapura për vëllezërit dhe motrat në Krishtin:

“Edhe sot, në disa vende ku nuk ka liri fetare dhe nuk ka liri për të krishterët, ata mblidhen në një shtëpi, pak si të fshehur, për t’u lutur dhe për të kremtuar Eukaristinë. Edhe sot ka nga këto shtëpi, nga këto familje, që bëhen tempull për Eukaristinë”.

Laikët, përgjegjës për mbrojtjen dhe për përhapjen e fesë

         Ky çift, vijoi Papa, mbeti përgjithmonë në zemrën e shën Palit. Në fakt, kur, së bashku, ata largohen nga Korinti për të shkuar në Efes dhe më pas në Romë, shtëpia e tyre vazhdon të jetë “vend katekizmi”, aq sa ndër lëvdatat e mrekullueshme të Letrës drejtuar Romakëve, shën Pali do t’i përshëndeste si “bashkëpunëtorët e tij në Krishtin Jezus” dhe do t’i falënderonte, sepse patën rrezikuar jetën për ta shpëtuar, siç ndodh akoma edhe sot – shtoi Ati i Shenjtë - në shumë familje që “në kohë persekutimi rrezikojnë kokën për t’i fshehur të përndjekurit”.

         Papa ua jep gjithë çifteve të krishtera e gjithë laikëve si model jetën e Akuilës e të Prishilës, duke vënë në dukje edhe karakteristikat e saj: përgjegjësia, shërbimi për bashkësinë, impenjimi për ungjillëzimin. Në fund, thirrja:

“Ju laikët jeni përgjegjës, për hir të Pagëzimit, që ta çoni përpara fenë. Ishte ky, impenjimi i shumë familjeve, i këtyre bashkëshortëve, i këtyre bashkësive të krishtera, i besimtarëve laikë, që i dhanë ‘humusin’ rritjes së besimit. Është e bukur kjo frazë e Papës Benedikti XVI: laikët i japin humusin zhvillimit të fesë. T’i lutemi Atit Qiellor, që ka vendosur t’i bëjë bashkëshortët ‘skulpturën e tij të vërtetë jetësore’ - besoj se këtu ka bashkëshortë të rinj. A janë aty? A ka këtu? Ja ku janë! Ndiqeni thirrjen tuaj: duhet të jeni skulptura të vërteta jetësore – pra, t’i lutemi Atit të dikojë Shpirtin e Tij mbi të gjitha çiftet e krishtera, në mënyrë që, duke ndjekur shembullin e Akuilës dhe Prishilës, të jenë në gjendje të hapin dyert e zemrave për Krishtin dhe vëllezërit e t’i shndërrojnë banesat në kisha shtëpiake. Fjalë e bukur: banesa është kishë shtëpiake, ku jetohet në bashkësi dhe ofrohet kulti i jetës së jetuar me besim, shpresë dhe bamirësi”.

Udhëtimi i ardhshëm në Tajlandë e Japoni

         Gjatë përshëndetjeve për shtegtarët e gjuhëve të ndryshme, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa foli për Burkina Fason, tronditur nga “dhuna e vazhdueshme”, që të mbizotërojnë dialogu dhe mbrojtja e më të brishtëve. Më pas, i ftoi të gjithë të luten për udhëtimin e tij të ardhshëm në Tajlandë dhe Japoni, i cili do të fillojë më 19 nëntor, “që Zoti - tha Ati i Shenjtë – të dikojë mbi popujt e vizituar dhurata të begata hiri”.

13 nëntor 2019, 14:36