Kërko

 Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton Meshën në Shën Martë 

Papa: djalli e shkatërron njeriun, sepse Zoti u bë si ne

Papa Françesku, në homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke analizuar sot Leximin e Parë nga Libri i Urtisë, nënvizoi se Gënjeshtari i Madh, për inat të Jezusit, që u bë njeri, dëshiron ta shkatërrojë njerëzimin.

R. SH. - Vatikan

Djalli ekziston e, nga zilia për Birin e Zotit, që u bë njeri, mbjell në botë urrejtjen, me pasojë vdekjen. Françesku e pohoi këtë gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, kushtuar fragmentit të Librit të Urtisë (Ur 2,23.3,9), propozuar nga liturgjia në Leximin e Parë.  Papa analizoi versetin, në të cilin profeti kujton se Zoti na krijoi sipas shëmbëllimit të Tij e se jemi bij të Hyjit. E menjëherë pas, shtoi “por për  shkak të zilisë së djallit, në botë hyri vdekja”.

Zilia e engjëllit kryelartë, që nuk e pranon mishërimin

Françesku shpjegoi “se zilia e këtij engjëlli mendjemadh, që nuk donte ta pranonte mishërimin, e nxiti të rrënonte njerëzimin. Kështu edhe në zemrën tonë mund të hyjë “xhelozia, zilia, konkurrenca - kujtoi Papa - ndërsa mund të jetonim si vëllezër të gjithë, në paqe me Zotin e me njëri- tjetrin”. Kështu nis lufta. Kështu edhe dëshira për të shkatërruar - kujtoi Papa - që më pas vijoi dialoget e tij të zakonshme me besimtarët: “Po, o Atë, mua as që më shkon nëpër mend të rrënoj ndokënd!”. “Jo, e? Po përgojimet, i harrove? Harrove se e shpërrallon tjetrin? Se kur e përgojon vëllain, e shkatërron? Se shpifja vret?”. “Po, o Atë, unë jam i pagëzuar, jam i krishterë praktikant, si mund t’u bëkam vrasës?”. “Bëhemi, sigurisht - pohoi Papa - sepse në shpirt kemi luftën, që në zanafillë”. Kaini e Abeli ishin vëllezër - nënvizoi - po zilia e njërit e rrënoi tjetrin. Është realitet. Mjafton të shikojmë  lajmet në televizor, që të bindemi. Nuk shikon tjetër, veç luftë, shkatërrim, njerëz që për shkak të luftërave vdesin sa nga bombat, aq edhe nga sëmundjet.

Tundimi buron nga dikush, që mbjell mllef në zemrat tona

Papa kujtoi, më pas Gjermaninë, në përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit, e jo më pak, edhe nazistët e torturat kundër gjithë atyre, që nuk i përkisnin “racës së pastër”. E edhe tmerret e tjera të luftërave:

“Pas gjithë këtyre shëmtimeve, është dikush që punon për këto gjëra. Është  ai, që ne e quajmë tundim. Kur shkojmë për t’u rrëfyer, i themi meshtarit: ‘Atë kam pasur këtë tundim, e këtë tjetrin e këtë tjetrin…’. ‘Është ndokush, që të hyn në zemër të nxit të ecësh në rrugë të gabuar. Ndokush që hedh farën e shkatërrimit në zemrën tonë, që mbjell zilinë, urrejtjen. E sot duhet ta themi qartë se në botë ka shumë mbjellës të urrejtjes, që shkatërrojnë”.

Djalli e smiron natyrën tonë njerëzore

“Shumë herë - komentoi akoma Papa - mendoj se lajmet s’janë tjetër, veç tregime që flasin për urrejtjen. Për atë urrejtje, që le pas vdekje, rrënime e sëmundje. Lë pas njerëz pa ujë, pa shkolla, pa edukim shëndetësor. E kjo, sepse paratë që duhet të shpenzoheshin për këto kërkesa të domosdoshme,  shkojnë për fabrikimin e armëve, e armët prodhohen për të shkatërruar. Kjo ndodh në botë, por edhe në shpirtin tim, tëndin, të tjetrit! E e gjithë kjo, për shkak të farës së zilisë, që mbjell djalli, farës së urrejtjes. “E ç’ është ajo, që e paska kaq zili djalli? Është natyra jonë njerzore!”.

E ju, a dini pse? Sepse Biri i Zotit u bë një prej nesh. Këtë nuk mund ta honepsë, nuk mundet!

Politikanëve u pëlqejnë sharjet, më shumë se ballafaqimi i pastër

E atëhere, shkatërron ç’t’i dalë para. Kjo - shpjegoi Papa - është rrënja e zilisë së djallit, rrënja e të këqijave tona, e tundimeve tona, është rrënja e luftërave, e urisë, e gjithë fatkeqësive të botës. Shkatërrimi dhe mbjellja e urrejtjes - vijoi Françesku - nuk është gjë që duhet bërë në botën e politikës, por ja që bëhet! Disa e bëjnë! Sepse politikani tundohet shpesh  ta ndotë tjetrin, ta shkatërrojë tjetrin, ta shembë tjetrin, si me gënjeshtrat, ashtu edhe me të vërtetën, në vend që të bënte një ballafaqim të pastër, të shëndetshëm, për të mirën e vendit”.

I pëlqen më shumë të shajë, për ta rrënuar tjetrin. Nga që mendon se është më i miri, nuk mund të durojë tjetër mbi veten. Atëhere i lind tundimi ta flakë në pleh tjetrin:

“Do të dëshiroja që sot secili prej nesh ta mendonte këtë: pse sot në botë mbillet kaq shumë urrejtje? Në familje, që nganjëherë nuk mund të pajtohen, në lagje, në vendet e punës, në politikë. Bujku i urrejtjes hedh farë. Për shkak të zilisë së tij, në botë hyri vdekja. Disa mund të më thonë: “O Atë, djalli nuk ekziston, është e keqja, e keqja!”. Po Fjala e Zotit është e qartë: “Është djalli që u kap me Jezusin, lexojeni Ungjillin: e  besojmë a nuk e besojmë, kjo është e qartë”.

Krishti u bë njeri, për ta mundur të keqen në korpin tonë

Ta lusim Zotin - ftoi në përfundim Papa - që ta rrisë në zemrën tonë besimin në Jezusin, Birin e Tij, i cili mori natyrën tonë njerëzore, për të luftuar me korpin tonë e për të fituar në korpin tonë mbi djallin e mbi të keqen. E që ky besim, kjo fe, të na japë forcë për të mos hyrë në lojën e këtij ziliqari të madh, këtij rrenacaku të madh, këtij mbjellësi të madh të urrejtjes!

12 nëntor 2019, 14:54