Kërko

Papa nis misionarët Papa nis misionarët 

Papa dhe misioni: "Pa Krishtin, s'mund të bëjmë asgjë"

Sot, 4 nëntor, Agjensia katolike e lajmeve Fides boton disa pjesë nga libri-intervistë i gazetarit italian Gianni Valente me Papën, në përfundim të Muajit të jashtëzakonshëm Misionar. Vëllimi, me titull “Pa Atë nuk mund të bëjmë asgjë. Bisedë, si të jemi misionarë, sot, në botë”, do të dalë në librari, duke filluar nga data e nesërme, 5 nëntor. Libri është botuar nga Lev dhe San Paolo.

R.SH. - Vatikan

E diel, 22 tetor 2017, Dita Botërore Misionare: Papa Françesku shpall një muaj të jashtëzakonshëm misionar për tetor 2019, “që të shtohet më shumë vetëdija për ‘missio ad gentes’ dhe për një hov të ri në shndërrimin misionar të jetës dhe të baritorisë” së Kishës. Tani, në përfundim të kësaj nisme, Gianni Valente, gazetar italian i agjencisë katolike të lajmeve Fides, boton një libër-intervistë me Papën për të treguar ç’do të thotë të jesh misionar sot.

“Kisha në dalje” nuk është shprehje e modës, por urdhëresë e Jezusit

         Në pjesët e publikuara sot nga Agjencia Fides, Papa Françesku shpjegon se e ka ndierë gjithmonë se “kumtimi i Krishtit dhe i Ungjillit të Tij ka të bëjë me një lloj daljeje për një udhë të caktuar”. “Kisha në dalje – thekson Ati i Shenjtë - nuk është ndonjë shprehje e modës”, por “urdhër i Jezusit, i cili, në Ungjillin sipas Markut, u kërkon ndjekësve të Tij të shkojnë në gjithë botën dhe t’ia predikojnë Ungjillin çdo krijese”. “Kisha, ose është në dalje, ose nuk është Kishë. Ose kumton Lajmin e Mirë, ose nuk është Kishë”, ngul këmbë Papa. E shpjegon më tej: “Nëse Kisha nuk del, korruptohet, shpërfytyrohet. Bëhet diçka tjetër”, bëhet “shoqatë shpirtërore, kompani shumëkombëshe për nisma dhe mesazhe me përmbajtje etiko-fetare”. Nuk ka asgjë të keqe në këtë, nënvizon Papa, “por kjo nuk është Kishë”, sepse përfundojmë në një lloj “Krishti shtëpiak”, flasim “në emër të një ideje të caktuar për Krishtin”, duke u kthyer në “afaristë të vegjël të jetës kishtare”, në vend që të dëshmojmë veprën e Jezusit dhe të priremi drejt takimit me Të. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se “misioni, Kisha në dalje nuk është program, qëllim për t’u realizuar me dëshirën e mirë e me vullnet”: në të vërtetë, është Krishti, që “e bën Kishën të dalë nga vetvetja”, është Shpirti Shenjt që “të nxit e të çon”.

Paradigma e Veprave të Apostujve

Lidhur me këtë, Papa Françesku citon Veprat e Apostujve, ku “protagonisti i vërtetë nuk janë apostujt”, por “Shpirti Shenjt”. Përvoja e të Dymbëdhjetëve, shpjegon Bergoglio, “është si paradigma, që vlen përgjithmonë. Është ngjarje, histori njerëzish, në të cilën dishepujt gjithmonë vijnë të dytët”, “pas Shpirtit Shenjt, që vepron”, “përgatit dhe punon në zemra”. Prandaj, Papa thekson se pagëzimi i çdo të krishteri është “i mjaftueshëm për t’u bërë lajmëtarë të Ungjillit”. Misioni, në të vërtetë, është vepër e Shpirtit Shenjt; pa këtë të fundit, ai kthehet në “një plan pushtimi”, “fetar e madje, edhe ideologjik”. Pra, “është e kotë të shqetësohemi. Nuk ka nevojë të organizojmë ne, nuk ka nevojë të bërtasim”, ose të përdorim “gjetje të ndryshme apo strategji”.

Kisha rritet, për shkak të tërheqjes, që ushtron mesazhi i Krishtit

         Siç ka pohuar Benedikti XVI, në të vërtetë, “Kisha rritet, për shkak të tërheqjes”, përmes dëshmisë për veprat e Zotit. Nuk është fjala për “bindje, arsyetim, vetëdijësim, presion, ose detyrim”; nuk është “vendim i marrë në tryezë”, ose “një aktivizëm i vetë-nxitur” për të bërë “afaristin e misionit”, por është “joshje dashurie”, “rënie në dashuri” me Krishtin. Nëse është Ai, që na tërheq, “të tjerët e vërejnë këtë pa problem” dhe “nuk është e nevojshme ta provojmë e aq më pak të mburremi për këtë”. Ja pse - thotë Papa Françesku – “misioni nuk është projekt ndërmarrjeje” apo “shfaqje e organizuar për të llogaritur sa njerëz marrin pjesë në të falë propagandës”. “Maja e lirisë fetare - shpjegon Ati i Shenjtë – është ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na mbartë, duke hequr dorë nga llogaritë dhe nga kontrolli i gjithçkaje”.

Prozelitizmi është gjithnjë i dhunshëm, edhe kur ka “doreza”

         Sa i përket prozelitizmit, Papa pohon se është i pranishëm “kudo ku ekziston ideja se Kisha duhet të zhvillohet pa joshjen e Krishtit dhe pa dikimin e Shpirtit Shenjt, duke e përqendruar gjithçka në një lloj ligjërimi të mençur”. E kjo mund të ndodhë edhe “në famullitë, në bashkësitë, në lëvizjet, në kongregatat fetare”. Për këtë arsye, “proselitizmi është gjithmonë i dhunshëm për natyrën e vet”, edhe kur paraqitet i maskuar, ose “me doreza”: është gjithnjë i dhunshëm, sepse “nuk e toleron lirinë dhe fenë që transmetohet falas, me anë të hirit, nga një person në tjetrin”. Nga ana tjetër, të kumtosh Ungjillin, nënvizon Papa Françesku, do të thotë “t’u japësh të tjerëve arsyet për shpresën tënde”, duke dhënë “të njëjtën dëshmi me Krishtin”, pa “shpikur fjalime bindëse”, sepse mjafton “forca tronditëse e shkandullit të kryqit”.

04 nëntor 2019, 19:29