Kërko

1574679272706.JPG

Papa, autoriteteve japoneze: dialogu, arma e vetme e denjë për njeriun

Paralajmërimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, paqja që arrihet me drejtësi dhe solidaritet, roli i feve, mbrojtja e më të brishtëve. Të shumta, temat që preku Papa Françesku, në takimin e fundit, sot në Kantei, me autoritetet dhe Trupin diplomatik në Japoni.

R.SH. - Vatikan

Ishte një reflektim i thellë dhe i rëndësishëm mbi temat e këtij udhëtimi apostolik në Japoni, ai që Papa Françesku u ofroi autoriteteve dhe Trupit diplomatik. Në qendër të fjalëve të tij, shtyllat ku mbështetet papnia e Bergoglios: dialogu, paqja, drejtësia për të përjashtuarit e të harruarit e kësaj bote, por edhe thirrja për solidaritet, për ta mbrojtur jetën, për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e çdo njeriu.

Në Japoni, për të përforcuar në fe

         “Erdha – tha Papa - për t’i përforcuar katolikët japonezë në fe, por edhe në impenjimin e tyre të bamirësisë për nevojtarët dhe në shërbimin për vendin, qytetarë të të cilit ndihen me krenari”. Para së gjithash, kujtoi marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Japonisë, lindur falë pranisë së misionarëve të rëndësishëm, si jezuiti Alessandro Valignano, me origjinë nga Chieti i Italisë, emëruar më 1573 vizitator i misioneve në Lindje. Ai qëndroi në Japoni për gati 10 vite:

         “Si komb, Japonia është veçanërisht e ndjeshme ndaj vuajtjeve të më fatkëqinjve dhe të njerëzve me aftësi të kufizuara. Motoja e vizitës sime është ‘Të mbrohet çdo jetë’, duke pranuar dinjitetin e saj të pacënueshëm dhe rëndësinë për solidaritet e mbështetje ndaj vëllezërve dhe motrave, para çdo nevoje”.

T’i bëhet ballë çështjes bërthamore

         Ashtu si paraardhësit e tij, Papa Françesku iu lut Zotit të mos përsëritet më çfarë ndodhi në Hiroshima e Nagasaki, gjatë Luftës II Botërore. Ftoi që të përdoret çdo lloj ndërmjetësimi e udhe paqësore që të mos përsëritet më vepra shkatërrimtare e së kaluarës, me dy qytetet japoneze, që akoma vuajnë pasojat e bombave atomike:

         “Historia na mëson se konfliktet ndërmjet popujve dhe kombeve, edhe ato më të rëndat, mund të gjejnë zgjidhje të vlefshme vetëm përmes dialogut, e vetmja armë e denjë për qeniet njerëzore, e aftë të garantojë një paqe të qëndrueshme. Jam i bindur për nevojën e përballimit të çështjes bërthamore në nivel shumëpalësh, duke promovuar një proces politik dhe institucional të aftë për të krijuar konsensus dhe reagim më të gjerë ndërkombëtar”.

Japonia, kultura e dialogut dhe e takimit

         Ati i Shenjtë kujtoi se për një botë më të drejtë dhe vëllazërore është thelbësore të ecet drejt kulturës së takimit dhe të dialogut. Kontaktet personale, nënvizoi ai, kanë favorizuar zhvillimin, harmoninë, drejtësinë, solidaritetin dhe pajtimin, të cilat janë “çimentoja për ndërtimin e paqes”. Është një lloj “fryme olimpike”, që bashkon në kërkimin e maksimumit të forcave njerëzore, por nuk krijon rivalitet të kotë. E Papa përmendi Lojërat e ardhshme Olimpike dhe Paralimpike:

“Jam i sigurt se Lojërat Olimpike dhe Paralimpike, të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Japoni, do të shërbejnë si nxitje për ta përforcuar frymën e solidaritetit, në mënyrë që të kapërcejë kufijtë kombëtarë dhe rajonalë dhe të kërkojë të mirën e gjithë familjes sonë njerëzore”.

Marrëdhëniet e mira me fetë e ndryshme

         Në reflektimin e tij, Papa Françesku u ndal në trashëgiminë e vlerave të ruajtura në Japoni, që të kujtojnë Deklaratën për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar bashkë me Imamin e Madh të Al-Azharit, shkurtin e kaluar, në Abu Dabi. Kjo i dha shkas Atit të Shenjtë të theksojë rëndësinë e kulturës së dialogut si rrugë për t’u ndjekur; të bashkëpunimit, si qëndrim e, të njohjes së ndërsjellë si metodë e kriter:

         “Marrëdhëniet e mira ndërmjet feve të ndryshme nuk janë të domosdoshme vetëm për një të ardhme në paqe, por edhe për të përgatitur brezat e sotëm e të ardhshëm që të vlerësojnë parimet etike, të cilat shërbejnë si bazë për një shoqëri me të vërtetë të drejtë dhe njerëzore”.

Brishtësia e luleve të qershisë

         Të rinjtë, nënvizoi Papa, duan përgjigje të vërteta, sidomos përsa i përket qëndrimit ndaj Gjithësisë e ambientit. Duan fakte, jo iluzione, ngriti zërin Ati i Shenjtë, duke kujtuar lulen e qershisë, simbol i Japonisë, e duke vënë në dukje bukurinë, por edhe brishtësinë e saj:

“Delikatesa e luleve të qershisë na kujton brishtësinë e shtëpisë sonë të përbashkët, që i nënshtrohet jo vetëm fatkeqësive natyrore, por edhe lakmisë, shfrytëzimit dhe shkatërrimit nga dora e njeriut. Kur bashkësia ndërkombëtare e ka të vështirë të respektojë angazhimet e saj për mbrojtjen e Gjithësisë, janë të rinjtë ata, që gjithnjë e më shumë, ngrenë zërin dhe kërkojnë vendime të guximshme”.

Në qendër të gjithçkaje, dinjiteti njerëzor

         Mbrojtja e shtëpisë së përbashkët kërkon vëmendje për ekologjinë e njeriut, kërkon ngushtimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve në një sistem ekonomik global, që i çon deri në skaj ndryshimet. Papa Françesku vuri në dukje programet e qeverisë japoneze në këtë fushë dhe e inkurajoi të kontribuojë në rritjen e vetëdijes për këto tema, në nivel ndërkombëtar:

“Dinjiteti njerëzor duhet të jetë në qendër të çdo veprimtarie shoqërore, ekonomike dhe politike; duhet promovuar solidariteti ndërmjet brezave, në të gjitha nivelet e jetës së bashkësisë, duhet të shqetësohemi për të harruarit e të përjashtuarit. Mendoj veçanërisht për të rinjtë, të cilët shpesh ndihen të vegjël përballë vështirësive të jetës. Mendoj edhe për të moshuarit e të vetmuarit, që vuajnë izolimin. E dimë se, në fund të fundit, qytetërimi i një kombi, ose i një populli, nuk matet nga fuqia e tij ekonomike, por nga vëmendja, që u kushton nevojtarëve dhe promovimit të jetës”.

Abe: të punojmë për një botë të lirë nga armët bërthamore

         Në përshëndetjen e kryeministrit Shinzo Abe, i cili pati një takim privat me Papën më parë, vërehej admirimi i liderit politik për Atin e Shenjtë dhe për punën e tij të palodhur në favor të të varfërve. Një shembull, shpjegoi Shinzo Abe, që Japonia dëshiron ta ndjekë, sepse nuk mund të braktisen njerëzit në humnerën e dëshpërimit. Duke kujtuar fotografinë e fëmijës me vëllain e vdekur, për shkak të bombës atomike, që Papa e tregon vazhdimisht, kryeministri nënvizoi angazhimin e vendit për një botë pa armë bërthamore. Në fjalët e Shinzo Abes, edhe kontributi i shumë të rinjve në zonat e varfra të botës, të rinj që japin shpresë, sepse janë rritur me idenë se duhet të kenë ëndrra të mëdha për të ardhmen.

25 nëntor 2019, 14:13