Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: humbja e kuptimit të jetës, kërcënim i rëndë në vendet e zhvilluara

Është hipokrizi të flasësh për paqen, ndërsa shet bomba për luftën. Në katekizmin e së mërkurës, kushtuar shtegtimit të tij apostolik prej tetë ditësh në Tajlandë e Japoni, Papa i dënoi përsëri me forcë armët bërthamore. Humbja e kuptimit të jetës dhe angazhimi kundër shfrytëzimit të grave e fëmijëve, ishin ndërmjet temave kryesore, që preku Ati i Shenjtë. Françesku njoftoi edhe se të dielën e ardhshme do të shkojë në Greçio, për t’u lutur në vendin e Shpellës së parë të Betlehemit, vepër e Shën Françeskut.

R. SH. - Vatikan

Jeta nuk kërcënohet vetëm nga armët atomike. Sot kërcënimi më i rëndë në vendet më të zhvilluara është humbja e kuptimit të jetës. Duke rikujtuar çastet më prekëse të vizitës së tij në Tajlandë e Japoni, prej nga u kthye dje, Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, theksoi atë, që është më  themelore për njeriun:

“Për ta mbrojtur jetën, duhet ta duash, e sot kërcënimi më i rëndë në vendet më të zhvilluara, është humbja e kuptimit të të jetuarit. Viktimat e para të një jete boshe, pa pikën e kuptimit, janë të rinjtë, prandaj ua kushtova pikërisht atyre një nga takimet në Tokio. Dëgjova pyetjet që më bënë, njoha ëndrrat, që m’i treguan, i inkurajova t’i kundërvihen së bashku çdo forme të bullizmit e ta mposhtin frikën dhe mbylljen brenda vetes  përmes dashurisë së Zotit, lutjes dhe shërbimit ndaj të afërmit”.

Gjatë shtegtimit në Japoni, Papa u takua edhe me të rinjtë e Universitetit “Sophia” që, ashtu si të gjitha shkollat katolike, vlerësohet shumë në Japoni.

Hipokrizi, të flasësh për paqen e të shesësh armë!

Kujtojmë se motoja e vizitës së Papës në Japoni, që nisi të shtunën e kaluar e përfundoi dje, ishte “Ta mbrojmë jetën!”. Është fjala për një vend, që i ka ende të dukshme shenjat e plagëve, shkaktuar nga bombardimi atomik. Prej këndej është, “për të gjithë botën, zëdhënës i së drejtës themelore  për jetë e për paqe”. Papa rikujtoi etapat e shtegtimit të tij në Hiroshima e Nagasaki, lutjet, takimin me të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, dënimin e vendosur të armëve bërthamore e të hipokrizisë së atyre, që  flasin për paqen e shesin armë shkatrrimtare. Fliste kështu nga një vend, që  dëshmoi aftësi të jashtëzakonshme në luftën për jetën, si pas tragjedisë së rëndë, ashtu edhe kohët e fundit, pas katastrofës së trefishtë të 2011-tës në Fukushima, që u godit njëherësh nga tërmeti, tcunami e centrali bërthamor.

Japonia, shembull  për paqen dhe harmoninë me ambientin

Takimi i parë në Vendin e Lindjes së Diellit, ishte ai me ipeshkvijtë e kësaj Kishe shumë të vogël, por në shekuj kumtuese e Ungjillit të Krishtit. Në Tokio Papa, përveç autoriteteve dhe trupit diplomatik, pati rastin t’i bënte një vizitë edhe perandorit Naruhito. Në horizontin e kësaj kulture të takimit, aq të dashur për Françeskun, uroi që Japonia “duke mbetur besnike e vlerave të saj fetare e morale,  e hapur për mesazhin ungjillor, të jetë një nga vendet shembullore për një botë më të drejtë e më paqësore si dhe për harmoninë ndërmjet njeriut e ambientit.

Tajlanda, etapa e parë e shtegtimit

Në Tajlandë, Mbretëri e lashtë, shumë e modernizuar, etapë e parë e shtegtimit, Papa u takua me mbretin, kryeministrin dhe autoritetet e tjera dhe vlerësoi posaçërisht “traditën shpirtërore dhe kulturore të popullit Thai”, popull “i buzëqeshjes së bukur” - kujtoi - duke shpjeguar se ky popull quhet kështu, nga që është gjithnjë me buzë në gaz e duke nënvizuar, më pas, sa domethënës ishte takimi ekumenik ndërfetar në Universitetin më të madh të vendit.

Të shërohen plagët e shfrytëzimit të grave të fëmijëve

“Inkurajova angazhimin për harmoninë ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë, duke theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të jetë në dobi të të gjithëve e se duhen shëruar plagët e shfrytëzimit, posaçërisht të grave e të miturve. Feja budiste është pjesë përbërëse e historisë dhe e jetës së këtij populli, prandaj vizitova edhe Kryepatrikun e budistëve, duke vijuar ecjen në rrugën e nderimit të anasjelltë, të nisur nga paraardhësit e mi, në mënyrë që në mbarë botën të lulëzojnë dhembshuria e  vëllazërimi”.

Papa vijoi të kujtojë, më pas, vizitën në spitalin Saint Louis, çastet kushtuar meshtarëve, ipeshkvijve, njerëzve të kushtuar, jezuitëve, e edhe  Meshën e kremtuar në Bangkok me gjithë popullin e Zotit; e pastaj, të rinjtë, në katedrale, që përjetuan se në familjen e formuar nga Jezusi, dëgjohet edhe zëri i popullit Thai. Në fjalët e fundit të audiencës, u ndje një mirënjohje e thellë për popujt e Tajlandës e të Japonisë: “Zoti i bekoftë - përfundoi Papa - e u dhëntë me begati, prosperitet e  paqe!”.

Afërsia me popullin shqiptar

Papa nuk e harroi as popullin shqiptar, në këto çaste tragjike, plot me plagë shkaktuar nga tërmeti. Kujtoi se e do shumë Shqipërinë, vendi i parë evropian, që vizitoi, e edhe popullin e vogël, aq më tepër në këto çaste zije.

Në Greçio, atje ku u ngrit Shpella e parë e Betlehemit

Në atmosferën e afrimit të Kohës së Ardhjes, Papa njoftoi se të dielën e ardhshme do të shkojë në Greçio, për të uruar, më pas, që pritja e Shëlbuesit t’i mbushë zemrat plot me shpresë e gëzim, në shërbim të nevojtarëve:

“Do të shkoj në Greçio për t’u lutur tek vendi i Shpellës së parë të Betlehemit, që e pati bërë Shën Françesku i Asizit e për t’i  dërguar mbarë popullit besimtar një letër, që ta kuptojë domethënien e Shpellës së Betlehemit”.

27 nëntor 2019, 13:53