Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Një javë e ngarkuar me veprimtari për Papën: nga Mesha, në festën e kushtimit të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, tek përgatitja për shtegtimin në Tajlandë e Japoni...

R. SH. - Vatikan

Papa do të kremtojë, të dielën e ardhshme, Meshën për ditën Botërore  të të varfërve

Të dielën e ardhshme, në orën 10.00, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve. Do t’u kushtojë shumë vëmendje edhe të burgosurve Ati i Shenjtë, me dëshirën për t’u dhuruar shpresë e për t’i kujtuar shoqërisë bashkëkohore se udha drejt lirisë e begatisë, kalon përmes përfshirjes së të varfërve në jetën shoqërore, formimit të tyre, punësimit, jo përmes flakjes së tyre ndër qeli. Kështu shoqëria jonë e dënon përgjithmonë atë që është në burg a në rrugë të madhe, duke krijuar një masë të varfërish, të cilëve u mungon liria, shpresa, mundësia për të ndërruar rrugë. Mbeten gjithnjë njerëz,  të cilëve nuk mund t’u besosh. Po pikërisht këtyre njerëzve Papa u beson. Prandaj do t’ua kushtojë Meshën e së dielës III gjatë vitit, e edhe gjithë të dielën e ardhshme, e cila do të kremtohet si “Ditë botërore e të varfërve”.

Dje Papa Françesku kryesoi Meshën, në festën e kushtimit të Bazilikës së Shën  Gjonit në Lateran

Dje, duke nisur nga ora 17.30, Papa Françesku kryesoi Meshën në Katedralen e Romës, me rastin e festës së kushtimit të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Me Papën bashkëkremtuan mëkëmbësi, Angelo de Donatis dhe ipeshkvijtë ndihmës të dioqezës. Hirësia e Tij, De Donatis, i dhuroi Papës librin “Shenjtëria është fytyra më e bukur e Kishës”, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Libri përmbledh katekizmat, mbajtur nga vetë mëkëmbësi, nga imzot Marco Frisina dhe nga Don Gabriele Faraghini, kushtuar nxitjes apostolike Gaudete et exsultate, që e shoqëruan dioqezën e Romës vitin e kaluar baritor.

Pjesëmarrësit në Meshë mundën të admirojnë amvonën e re e edhe një kryq   të ri, varur mbi altar. Papa qe  veshur me një kazulë të qepur për këtë rast nga motrat e një manastiri romak, në të cilin binte në sy një kryq i qëndisur sipas modelit të absidës lateranense. Edhe lutjet e muzika ishin në harmoni me këtë kremtim

“Amvona është vendi liturgjik i Fjalës së Zotit” - nënvizoi atë Giuseppe Midile, drejtor i Zyrës liturgjike dioqezane. E amvona e re u bekua  nga Ati i Shenjtë, me dorëzimin e Leksionarit lexuesve, sepse çka e bekon amvonën, është  pikërisht  shpallja e Fjalës.

Gjatë kremtimit të së shtunës, besimtarët mundën të sodisin për herë të parë edhe Kryqin, vepër e mjeshtrit perugjin, Stefano Lazzari.

Lutjet e Papës gjatë kremtimit qenë shkruar posaçërisht për Meshën e kushtimit të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Tekstet e Meshës së kënduar, edhe ata me një meldoi të re, u interpretuan nga kori i seminaristëve të Seminarit të Madh Papnor Romak, të Kolegjit Kapranika dhe të Kolegjit dioqezan Redemptoris Mater, drejtuar nga mjeshtri  Nikolay Bogatzky, shoqëruar nga organisti Giandomenico Piermarini. Shërbimi liturgjik  i qe besuar  Seminarit  të Zojës së Dashurisë Hyjnore.

Para se të përfundonte Mesha, Papa u dorëzoi mandatin  ekipeve baritore. Ishte etapa e fundit e një udhe, nisur në praninë e Papës Françesku në Katedrale, më 9 majin e  kaluar, për asamblenë dioqezane. Kujtojmë se më 24 qershor, gjatë kremtimit të mbrëmësoreve, në solemnitetin e lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, kardinali De Donatis i pati dorëzuar  asamblesë objektivat kryesore si dhe vijat baritore për vitin 2019-2010. Më pas, në shtator, u mbajtën takimet për veprimtarët e angazhuar në dëgjimin  e të rinjve, të varfërve, të sëmurëve dhe familjeve.

Në audiencën e përgjithshme, ftesa e Papës për të ndërtuar ura, që lidhin besimtarët  

“I krishteri duhet të ndërtojë ura, edhe me ata që kanë fe të ndryshme! Këtë e theksoi posaçërisht Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë së cilës vijoi katekizmin  kushtuar Veprave të Apostujve:

“T’i kërkojmë edhe ne sot Shpirtit Shenjt - tha Papa - të na mësojë të ndërtojmë ura me kulturat e atyre, që nuk besojnë, ose kanë besojmë të ndryshme nga jona. Të ndërtojmë gjithnjë ura, gjithnjë me dorën e shtrirë, pa agresion. T’i lutemi të na bëjë të aftë ta inkulturojmë me delikatesë mesazhin e fesë,  duke i shikuar ata, që nuk dinë asgjë për Krishtin, me shikim kundrues, që i  ngroh edhe zemrat më të ngurta”.

Pali shkon në vendet më të spikatura, më simbolike - vijoi Ati i Shenjtë - në sinagogë, në Shesh, në Areopag, ku zhvillohej jeta politike e kulturore. Nuk mbyllet brenda vetes, por takohet me të gjithë: judenj, epikurenj, stoikë e shumë e shumë të tjerë. Nuk e shikon Athinën dhe botën pagane me syrin e kundërshtarit,  por me syrin e fesë.

Kjo e Palit është, pra, një sjellje që - nënvizoi Papa - na bën ta pyesim veten për mënyrën si i shikojmë qytetet tona: me indiferencë, me përbuzje, apo me fenë, që i  njeh bijtë e Zotit edhe në mes të turmave paemër!

Papa: lutjet  e nëntorit i kushtohen Lindjes së Mesme.

 “Të lutemi, që në Lindjen e Mesme të lindë fryma e dialogut, e takimit, e pajtimit”. Kjo, ftesa e fuqishme, që Papa Fançesku u drejton të krishterëve  në videomesazhin e nëntorit, përhapur nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, për ndjetet e tij të lutjes, më 5 nëntorin e kaluar. “Në Lindjen e Mesme  bashkëjetesa dhe dialogu ndërmjet feve monoteiste bazohen mbi lidhje shpirtërore e historike” - kujton Papa – duke theksuar se “sot shumë nga bashkësitë e krishtera, njëherësh me ato hebreje e myslimane, punojnë për paqen, pajtimin e faljen”.

Papa në Japoni: Jezuiti Kajiyama: shpresojmë se do t’ua prekë zemrën e të rinjve

Një mesazh kundër armëve bërthamore, për mbrojtjen e paqes: këtë presin japonezët nga Papa, që do ta vizitojë vendin nga 23 deri më 26 nëntor (ndërsa nga 20 deri më 23 do të jetë në Tajlandë). Bashkësia e vogël katolike si dhe e gjithë shoqëria presin një fjalë inkurajimi, sidomos për të rinjtë e vendit.

“Gjithnjë më shumë të rinj japonezë sot po anojnë nga e djathta, po bëhen shumë konservatorë, po joshen nga nacionalizmi. Papa i ftoi këta të rinj të mblidhen në Tokio, në katedrale. E shpresohet se do t’u kërkojë të angazhohen personalisht për një shoqëri më të drejtë. E kjo, sepse një nga problemet më shqetësuese në Japoni, është përparimi i nacionalizmit dhe  militarizimi. Prandaj punojmë me të krishterët e jo të krishterët, për të krijuar një front të fuqishëm në mbrojtje të paqes”. Kështu u shpreh atë Yoshio Kajiyama, jezuit, këto ditë në Romë për të marrë pjesë në Konferencën me rastin e 50-vjetorit të Sekretariatit të Jezuitëve për Drejtësinë dhe Ekologjinë.

Atë Kajiyama është njëri nga 180 sivëllezërit e Atit të Shenjtë Bergoglio, që kryen misionin në Japoni, vend që e ëndërronte si cak misioni pikërisht  jezuiti i ri argjentinas e që do ta vizitojë tani si Papë.

Comece, 30-vjet pas rënies së Murit të Berlinit

Ftesë për të punuar së bashku, në shërbim të një Evrope të bashkuar, përmes procesit të dialogut! E drejton Komisioni i episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) me rastin e 30-vjetorit  të rënies së Murit të Berlinit.

Comece kujton se ndërtimi i mureve dhe i perdeve të hekurta,  që ndajnë popujt, nuk zgjidh asnjë problem! Përkundrazi, krijon gjithnjë probleme të reja. Ajo që duhet bërë, është të krijohet një Evropë më e mirë, më e integruar:

“Rënia e murit të Berlinit nuk është ngjarje e së kaluarës për t’u kremtuar. Është simbol i një periudhe, që nuk duhet harruar kurrë. Që nuk duhet përsëritur kurrë më!”. Kështu shkruajnë, në një deklaratë, ipeshkvijtë e Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian(Comece), me rastin e  30-vjetorit  të rënies së murit të Berlinit.

Deklarata u hartua dhe u nënshkrua nga të gjithë ipeshkvijtë delegatë të Konferencave episkopale të BE-së, gjatë Asamblesë së tyre plenare, mbajtur nga 23 deri më 25 tetor, në Bruksel, kryesuar nga kardinali Jean-Claude Hollerich.

“Si të krishterë dhe qytetarë evropianë - vijon thirrja e ipeshkvijve të  Comece - i ftojmë të gjithë evropianët të punojnë së bashku për një Evropë të lirë dhe të bashkuar, përmes një procesi të ri dialogu, që shkon përtej mendësive e kulturave të veçanta, duke respektuar përvojat tona të ndryshme historike dhe duke shpresuar së bashku për një të ardhme paqësore”.

Ipeshkvijtë nënvizojnë se udha për t’u ndjekur është “kultura e takimit”. Prej këndej i ftojnë të gjithë t’i luten së bashku Zotit, Zotit të Historisë, që t’i ndihmojë t’i kushtohen një Evrope të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, zanafillë dhe bazë e shpresës, burim dhe forcë e çdo angazhimi të ri  për mbrojtjen e vlerave, mbi të cilat është themeluar Evropa: “drejtësia, liria dhe paqja”.

Imzot Auza: konfliktet e dhunshme, pasojë e shfrytëzimit të ambientit

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Bernardito Auza, kërkoi, në fjalimin e tij mbajtur në sesionin e 74-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, një rrugëzgjidhje etike për t’i përballuar sfidat, krijuar nga konfliktet e armatosura edhe nga rritja e nivelit të detit. Bëri thirrje edhe për ta respektuar përmasën njerëzore e shoqërore të natyrës.

Shqetësimi i Kishës, për sulmet e forcave ekstremiste. Ikja e të krishterëve nga Burkina Faso

Një shqetësim i ri, në Burkina Faso! Drejtuesit e World Council of Churches (Wcc) dhe të Acr Alliance, koalicion humanitar i njëqind kishave portestante, tërheqin vëmendjen e botës, për situatën e pasigurisë  të shumë të pagëzuarve në vendin afrikan. Kujtojnë se që prej pesë vjetësh bashkësia e krishterë në këtë vend vijon të goditet nga dhuna ekstremiste.

08 nëntor 2019, 16:45