Kërko

Lutja e Françeskut për përfundimin e dhunës në Etiopi

Papa Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, tha, së bashku me besimtarët, një FalemiMari për viktimat e vendit afrikan. Shprehu posaçërisht edhe dhimbjen për vuajtjen e të krishterëve ortodoksë.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shprehu dhimbjen  dhe afërsinë personale me të krishterët e Kishës Ortodokse Tewahedo, në Etiopi, viktima të dhunës, si dhe me patrikun Abuna Matthias. Më pas,   ftesa për të thënë së bashku FalemiMarinë:

“Jam  i pikëlluar  për dhunën, viktima të së cilës janë të krishterët e Kishës Ortodokse Tewahedo të Etiopisë. I shpreh afërsinë time kësaj Kishe të dashur si dhe patrikut të saj, vëllait Abuna Matthias e ju kërkoj të lutemi për viktimat e dhunës në këtë tokë”.

Situata në vendin afrikan

Dramatike situata, me çrregullime të shumta gjatë kësaj jave në Oromia, rajon qendror shumë i populluar, në Etiopi.

Sipas lajmeve që lexohen në sitin e revistës së Etërve të Bardhë “Africa”, një prelat i lartë, Melakehiwot Aba Woldeyesus Seifu, në deklaratën për Bbc, njofton se janë vrarë më se 60 besimtarë. Gjithsesi duhet kujtuar se nuk është e lehtë të përcaktohet saktësisht numri i të vdekurve:

“Kisha ortodokse, konfesioni më i madh fetar në Etiopi - lexohet në revistën “Africa” – ka pohuar shumë herë se institucionet dhe besimtarët e saj vihen në shënjestër. Gjë që ndodhi edhe këtë herë”.

Më se 2 milionë të shpërngulur të brendshëm

“Ka shumë mundësi që, në bazë të ndeshjeve, të jenë konfliktet etnike e fetare” - kujton agjencia Reuters – që, sipas Kombeve të Bashkuara, kanë krijuar më se dy milionë të shpërngulur të brendshëm. Varianti, i cili shpjegon se preteksti i shpërthimit të çrregullimeve ishte përgjigjja që i jepej vendimit të autoriteteve lokale për t’i hequr rojën e armatosur  gazetarit të njohur të etnisë oromo, nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Më 26 tetorin e kaluar Reuters shkruante se një turmë e madhe të rinjsh të të njëjtit grup etnik me gazetarin, protestuan kundër kryeministrit Abiy Ahmed, edhe ai Oromo, duke e akuzuar se i kishte tradhtuar pikërisht për shkak të trajtimit të Jawar-it. "Pati edhe orvatje për të djegur kisha e xhami. E edhe për ta shndërruar protestën në konflikt fetar” - shpjegon komisari i policisë rajonale të Oromiya, Kefyalew Tefer.

03 nëntor 2019, 15:02