Kërko

Lutja e Françeskut para pllakës përkujtimore kushtuar të varfërve

Para Meshës në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Françesku u takua me një delegacion të Lëvizjes ATD Bota e Katërt, për të thënë lutjen e besimtarëve, krijuar nga themeluesi, Atë Joseph Wresinski. Papa u dorëzoi edhe mandatin ekipeve baritore.

R. SH. - Vatikan

Duke kremtuar dje Meshën e festës së Kushtimit të Bazilikës Lateranense, pikërisht në këtë Bazilikë, Françesku e nxiti dioqezën e tij ta jetojë, me shkathtësi shpirtërore stinën e re të ungjillëzimit, duke e ndjerë praninë e Zotit në çdo skaj e skutë të qytetit. Para Meshës, Papa u takua me një delegacion të lëvizjes ATD Bota e katërt, për të thënë së bashku lutjen e besimtarëve, krijuar nga themeluesi, Atë Joseph Wresinski.

Lutje korale

Ishte lutje korale, kushtuar miliona fëmijëve, të rinjve, burrave e grave,  që vuajnë, por që, megjithkëtë, kanë etje për dashuri, uratë, punë, për lindjen e një toke solidare, e edhe për t’i kërkuar Zotit të dërgojë shumë punëtorë në të korrat e Tij. Me këtë lutje Papa i parapriu Meshës për festën e Kushtimit të Bazilikës. Më pas, takimi me një delegacion të Lëvizjes ATD Bota e Katërt, para pllakës përkujtimore kushtuar viktimave të mjerimit.

Kështu Papa hapi zyrtarisht kremtimet kushtuar Ditës III Botërore të të Varfërve, që do të arrijë kulmin me Meshën e së dielës, më 17 nëntor, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Për nder të viktimave të mjerimit

E vendosur në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, pllaka përkujtimore është kopje e asaj, që u përurua më 17 tetor të vitit 1987 në lagjen Trocadero të Parisit, nga Wresinski. Mbi të lexojmë fjalët:

“Atje ku njerëzit dënohen të jetojnë në mjerim, të drejtat e njeriut janë të dhunuara. Bashkimi, për të siguruar respektimin e tyre, është detyrë e shenjtë!”.

Për këtë francez me origjinë tejet varfanjake, “prift në gjirin e popullit të vet”, siç i pëlqente të quhej, lidhja me të harruarit e të vuajturit e tokës, parë si “Fytyra e Jezu Krishtit”, u bë thirrja më e thellë e jetës:

“Këta njerëz të shtazëruar e të dërrmuar në korp e në shpirt, dinë gjëra që të tjerët rrezikohen të mos i kuptojnë kurrë, e as t’i përfytyrojnë”- thoshte atë Wresinski.

15 shtator 2000

Kopja e pllakës përkujtimore u vendos në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran më 15 tetor 2000, në Vitin e  Jubileut të madh. Sot mbishkrimi, që e lexojmë mbi të, është riprodhuar 30 herë. Përsëritet, kështu, në skaje të ndryshme të botës, britma e njerëzve më të varfër, të padukshëm mbi këtë tokë. Britmë që arrin në qiell. Por edhe në veshët e njeriut, për t’i kujtuar ata, të cilët historia nuk do t’i kujtojë kurrë, por mbi kurrizin e të cilëve është e ndërtuar:

“Asnjë shtyllëz, asnjë monument nuk u ngrit, asnjë pllakë përkujtimore nuk u vendos … mjerimi mbeti i skalitur vetëm mbi korpin e të munduarve. E pra në këto vise njerëzimi vuajti më shumë se në çdo vend tjetër. Pamë fëmijë duke lypur, ngarkuar me turpin e lypsarit. Pamë poshtërime të mëdha… E kush do t’i dijë? Kush është dëshmitar për ta?”.

(Atë Wresinski)

Nga Teksti i lutjes së besimtarëve

Për miliona fëmijë të uritur, që nuk dinë të buzëqeshin, por nuk kanë harruar akoma të duan. Për miliona të rinj, që e kanë humbur besimin në jetën e që e kërkojnë më kot ardhmërinë e tyre, në një botë pa pikë kuptimi:

ne të lutemi, o Atë, dërgo punëtorë për vreshtën Tënde!

Për miliona burra, gra e fëmijë, me zemrat që u rrahin ende fort nga dëshira për të luftuar e me shpirtrat e rebeluar kundër fatit të tyre të padrejtë, guximi i të cilëve kërkon të drejtën e dinjitetit të paçmueshëm:

ne të lutemi, o Atë,  dërgo punëtorë për vreshtën Tënde!

Që të gjithë ata, të cilët luten, t’i dëgjojë Zoti e t’u japë forcë për ta zhdukur mjerimin nga gjiri i njerëzimit, krijuar sipas shëmbëllimit të Tënd:

ne të lutemi, o Atë, dërgo punëtorë për vreshtën Tënde!

10 nëntor 2019, 13:07