Kërko

Papa gjatë kuvendimit mbi Kishën e muzikën Papa gjatë kuvendimit mbi Kishën e muzikën 

Kuvendim për Kishën e muzikën. Papa: të bëhemi gjithnjë më mirë interpretues të Ungjillit

Me audiencën e sotme të Papës Françesku, përfundoi, në Vatikan, Kongresi III ndërkombëtar, titulluar “Kisha, Muzika, Interpretuesit: dialog i nevojshëm”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës. Papa i nxiti muzikantët të bëhen gjithnjë më mirë, ditë për ditë, “interpretues të Ungjillit”.

R. SH. - Vatikan

Në fjalimin, që u drejtoi pjesëmarrësve të kuvendimit ndërkombëtar, titulluar “Kisha, Muzika, Interpretuesit: dialog i nevojshëm”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, Papa kujtoi se interpretues është ai që, posaçërisht në fushën muzikore, “interpreton, sipas frymëzimit të vet, çka shkroi kompozitori, që kompozimi të tingëllojë sa më i bukur e sa më  i përkryer artistikisht”. “Interpretuesi i mirë - shtoi Papa - mban qëndrim të përvujtë përballë veprës së artit, që nuk i përket, sepse nuk është ai, që e krijoi”.

Interpretuesi muzikor ka shumë gjëra të përbashkëta me studiuesin e Biblës, me lexuesin e Fjalës Zotit. Në kuptimin më të gjerë, edhe me ata, që kërkojnë të intepretojnë shenjat e kohëve. E akoma më në përgjithësi, me njerëzit - ashtu siç duhet të jemi të gjithë - që e mirëpresin dhe e dëgjojnë tjetrin, duke shkëmbyer me të një dialog të sinqertë. Parë me këtë sy, çdo i krishterë është interpretues i vullnetit të Zotit në jetën e tij, e me Të këndon plot gëzim himnin e lavdërimit e të falënderimit.

Interpretues të botës së padukshme

Françesku shprehu një dëshirë: që çdo njeri të bëhet gjithnjë më shumë e më mirë, ditë për ditë, interpretues i Ungjillit, i bukurisë, që Ati na e zbuloi në Jezu Krishtin. E kujtoi, posaçërisht, fjalët e shqiptuara nga Pali VI, më 7 maj 1964, gjatë takimit historik me artistët: “Siç e dini - pati pohuar me atë rast Papa Montini - shërbesa Jonë është ta predikojmë e ta bëjmë sa më të kuptueshme, madje sa më prekëse, botën e shpirtit, të padukshmen, të pashprehshmen e Zotit. E në këtë veprimtari, që e shpreh botën e padukshme me formula të kuptueshme, të kapshme nga intelekti, ju jeni mjeshtra. Është mjeshtria juaj, misioni juaj; e arti juaj është të kuptoni nga qielli i shpirtit thesaret e tij e t’i shprehni me fjalë, me ngjyra, me forma. Ta bëni të kapshme, të pakapshmen”.

E pasi kujtoi fjalët e Palit VI, Papa Françesku nënvizoi se intepretuesi, ashtu si artisti, shpreh të pashprehshmen, duke përdorur fjalë e lëndë, që shkojnë përtej koncepteve. E kështu krijohet dialogu ndërmjet autorit të veprës dhe interpretuesit. Është themelore - shpjegoi Papa – ta interpretosh realitetin e Zotit:

“Artisti, interpretuesi e - në rasin e muzikës - dëgjuesi, kanë të njëjtën dëshirë: të kuptojnë se bukuria, muzika, arti na mundësojnë ta njohim realitetin e Zotit, për të cilin njerëzit kanë nevojë sot, më shumë se kurrë. Ta interpretosh realitetin hyjnor, është themelore për botën e sotme”.

Kuvendimi “Kisha, muzika, interpretuesit”

Kuvendimi i tretë ndërkombëtar “Kisha, Muzika, Interpretuesit: dialog i nevojshëm”, u organizua nga Këshilli Papnor i Kulturës, në bashkëpunim me Institutin Papnor të Muzikës Kishtare dhe Institutin Liturgjik të Universitetit Papnor të Shën Anselmit. Pjesa e parë e punimeve, nisur më 7 nëntor, në Sallën e Vjetër të Sinodit, në Vatikan, iu kushtua kuptimit të interpretimit në muzikën kishtare. U fol  kryesisht për përdorimin e zërit, për mjeshtrinë korale si dhe lidhjen ndërmjet fjalës e tingullit në muzikën kishtare. Sot, dita e fundit, para takimit me Papën Françesku, u përqendrua kryesisht tek reflektimet për lidhjet ndërmjet muzikës dhe inkulturimit.

09 nëntor 2019, 16:44