Françesku, të vegjëlve të kësaj toke: jeni thesari i Kishës

Videomesazh i Papës Françesku për shtegtarët e Shoqatës “Vëllai”, mbledhur në Lurdë për Ditën e tretë Botërore të të Varfërve.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Papës Françesku drejtuar shtegtarëve të Shoqatës “Vëllai”, mbledhur në Lurdë për Ditën e tretë Botërore të të Varfërve, shprehin gjithë dashurinë e tij për të vegjlit e kësaj toke. “Vëllezër dhe motra - thotë Ati i Shenjtë në videomesazh - unë kam nevojë për ju, për secilin prej jush. Jini të vetëdijshëm që Zoti ju do. Zoti e dëgjon në mënyrë të veçantë lutjen tuaj”. Në një botë të vuajtur, “lutja e të varfërve e mallëngjen Hyjin”, vazhdon Françesku, i cili dëshiron t’i ngushëllojë këta vëllezër të tij, këta bij të Zotit, që i quan “thesari i Kishës”:

“Ju që jeni të vegjël, jeni të varfër, jeni të brishtë, ju jeni thesari i Kishës. Ju jeni në zemrën e Papës, në zemrën e Marisë, në zemrën e Zotit. Sa herë që jeta juaj është shkelur, keqtrajtuar e fyer, është shkelur, keqtrajtuar e fyer Jezusi. Sot, Papa dëshiron t’ju ngushëllojë, përpiqet t’ju japë balsam për shpirtin, t’ju thotë se ju do fort e ju fton të ktheheni tek burimi”.

Shoqata “Vëllai”

         “Vëllai” është një shoqatë franceze e përbërë nga laikë të përkushtuar në Kishë. Në zanafillë, ata morën pjesë në një shtegtim të madh, që solli në Romë më 2014 dhe, në nëntor 2016, disa mijëra njerëz, të cilët jetojnë në rrugë. Pasi i takoi në audiencë, Papa Françesku shpalli një Ditë të re Botërore: atë të të varfërve.

Lutjet dhe sakramentet

         E sot, u foli për kthimin te burimi, për kthimin te Zoti. Për këtë, ka dy mënyra, nënvizon Françesku në videomesazh. E para është lutja, përmes së cilës, shpjegon Ati i Shenjtë, ne marrim në zemër shën Marinë, “portën e hapur dykanatësh të Kishës”, në këmbët e së cilës mund të strukemi:

“Lutuni! E për këtë, merrni Marinë në zemër, strukuni pranë saj. Ajo është porta e hapur e Kishës. Ajo e pranoi plotësisht Shpirtin Shenjt. Ajo na dhuron Jezusin dhe na çon tek Ai”.

Hapi i dytë janë sakramentet, “dhuratat” i quan Papa Françesku, përmes të cilave Zoti shëron dhe tregon butësinë e tij:

“Dëshironi të jeni të krishterë? Kërkoni pagëzimin. Ju ftoj të zbuloni veçanërisht rrëfimin, sakramentin e faljes në të cilin Zoti na tregon butësinë e tij dhe na çliron. Jetojeni Eukaristinë për ta pranuar vetë Zotin në trupin dhe në shpirtin tuaj. Ai ju jep fe dhe gëzim. Jetojeni edhe sakramentin e vojimit të të sëmurëve, aq i çmuar për disa nga ju, të plagosur në trup, ose në mendje”.

Dashuria e shpëton botën

Në përfundim, me sigurinë se dashuria e shpëton botën dhe se Zoti dëshiron ta shpëtojë atë përmes secilit prej nesh, Papa bën një ftesë tjetër. Sfiduese, natyrisht, por e aftë për të përhapur atë dashuri, që mund të na largojë nga zgjedha e vdekjes:

“Së fundi, kur të ktheheni, mos u largoni ashtu siç shkuat. Kthehuni në shtëpi me shpresë, jini dëshmitarë të dashurisë së Zotit përreth jush. Tregojini botës cili është thesari juaj: ‘Jezusi’. Shkoni me Marinë, që ajo t’ju bëjë apostuj të dhembshurisë së Hyjit. Papa ju do dhe beson në ju”.

15 nëntor 2019, 13:18