Kërko

 Mesha për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve, vdekur gjatë këtij viti Mesha për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve, vdekur gjatë këtij viti 

Françesku: ringjallja është kuptimi dhe qëllimi i jetës

Në homelinë e Meshës, kremtuar për shpirtin e Kardinajve dhe Ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, Papa kujtoi tri udhë reflektimi mbi ringjalljen, për të cilën - pohoi - është i thirrur çdo njeri. E, në vitin 2019, u thirrën 13 kardinaj e 147 ipeshkvij.

R. SH. - Vatikan

Të shkosh tek Jezusi, duke dalë nga vetvetja, plot ndjenja e gjeste dhembshurie e të marrësh vendime të rëndësishme para syve të Zotit, ishin dy këshillat kryesore, propozuar në homelinë e Papës Françesku. Fliste për ringjalljen, Papa, “për të cilën erdhëm në botë”, siç na e kujtojnë leximet e Meshës, kryesuar në Bazilikën e Vatikanit, për shpirtin e kardinajve e ipeshkvijve, që ndërruan jetë gjatë këtij viti.

Të shkojmë tek Jezusi, i Gjalli

Duke kujtuar Ungjillin e Shën Gjonit, që propozohej nga liturgjia e sotme, në të cilën Jezusi pohon: “Atë që vjen tek unë, unë nuk e nxjerr jashtë”,  Papa Françesku u drejtoi besimtarëve disa pyetje, që të mund ta kuptojmë për ku drejtohet jeta jonë. Ku jemi nisur të shkojmë:

“A jetoj duke shkuar tek Zoti, apo rrotullohem rreth vetvetes? Për ku jam nisur? Përpiqem të bëj figurë të mirë, të mbroj rolin tim, kohët e mia, hapësirën time, apo shkoj tek Zoti?”.

Fraza e Jezusit është e padiskutueshme: “Kush vjen tek unë, unë nuk do ta lë jashtë”. Si të donte të thoshte se parashikohet edhe dëbimi për të krishterin, që nuk shkon tek Ai. Për kë beson, nuk ka rrugë tjetër; nuk mund të jesh i Jezusit, e të rrotullohesh rreth vetes! Kush është i Jezusit, jeton në dalje, si Zoti.

Jeta është e gjitha në ‘dalje’ - vijoi Françesku.-  Duke nisur nga barku i nënës, që është hyrja në këtë botë, për të arritur, pas disa etapave të jetës, në daljen prej kësaj bote. Por më e rëndësishmja, më e vështira, që i jep kuptim të gjitha daljeve, është dalja nga vetvetja:

“Sot, ndërsa lutemi për vëllezërit tanë Kardinaj e Ipeshkvij, që dolën nga kjo jetë, për të shkuar në takimin me Zotin, nuk mund ta harrojmë daljen më të rëndësishme, më të vështirë, që i jep kuptim gjithë të tjerave: atë nga vetvetja. Vetëm duke dalë nga vetvetja, mund ta hapim portën që të çon tek Zoti. T’ia lypim këtë hir!”.

Dhembshuri për të vdekurit

Sipas shembullit të Leximit, në të cilin Juda Makabe nderon plot dhembshuri kujtimin e të vdekurve, e sipas pohimit të Shën Palit “dashuria nuk ka fund”, Papa propozoi edhe një udhë të dytë reflektimi, edhe ajo, me pyetje për jetën dhe e lidhur me ringjalljen:

“Dhembshuria ndaj të tjerëve i hap në dy kapakët portat e amshimit! Të përkulesh mbi të varfërit, për t’u shërbyer, do të thotë t’i përgatisësh vetes paradhomën e Parrizit. Në se, siç na e kujton Shën Pali ‘dashuria nuk do të ketë kurrë mbarim”, atëhere pikërisht ajo është ura, që lidh tokën me qiellin. Mund ta pyesim atëhere vetveten. ‘A ecim mbi këtë urë! A prekemi thellë në shpirt, kur shikojmë ndokënd që vuan? A qajmë për kë vuan? A lutemi  për atë, që nuk e përfill askush? A e ndihmoj njeriun, që nuk ka me se të ma shpërblejë? Këto nuk janë mirësi hipokrite, dhembshuri për t’u dukur! Janë pyetje mbi jetën e, sidomos, mbi ringjalljen”.

Ta përfytyrojmë veten para Zotit

Nxitjen e tretë, lidhur me ringjalljen, Françesku e merr nga Shën Injaci:

“Shën Injaci këshillon që, para se të marrësh ndonjë vendim të rëndësishëm, ta përfytyrosh veten para Zotit, në mbarimin e ditëve. Atëherë çdo vendim për jetën, që merret në këtë perspektivë, është i orientuar mirë, sepse i marrë fare pranë ringjalljes, që është kuptimi dhe qëllimi i vetë jetës”.

Ja pra, ky është një ushtrim i nevojshëm, për ta parë realitetin me sytë e Zotit - kujtoi Papa, duke e përfunduar homelinë me një ftesë:

“Të prekemi të paktën prej njërit nga këto tre stimuj. Do të përkojmë më shumë me porosinë e Jezusit, në Ungjillin e sotëm: mos e humb asgjë, që  të dhuroi Ati! Ndërmjet zërave të shumta të botës, që na bëjnë ta humbasim kuptimin e jetës, të sintonizohemi me vullnetin e Jezusit të ngjallur e të gjallë; ta bëjmë sot, që jetojmë në agimin e ngjalljes!”.

04 nëntor 2019, 13:58