Kërko

Françesku njofton se do të shtegtojë në Sudan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku i drejtoi Sudanit të Jugut një thirrje të fuqishme për pajtim kombëtar. Kërkoi edhe lutje për Bolivinë, pa e harruar as botën e punës në Itali, në Ditën Kombëtare të Falënderimit për frytet e tokës.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shprehu dëshirën të vizitojë, vitin e ardhshëm, Sudanin e Jugut. Këtë dëshirë Papa e pati shprehur edhe në rastin e audiencës me presidentin e Sudanit Jugor, Salva Kiir:

“Mendimi i posaçëm për popullin e dashur të Sudanit të jugut, arrin ndërsa këto ditë Vendi është dëmtuar rëndë nga përmbytjet, pas të cilave më se 490 mijë të mitur kanë nevojë për ndihmë humanitare. Emergjencë, kjo, që i shtohet situatës së pasigurt politike, në të cilën spikat sidomos zvarritja e bisedimeve ndërmjet presidentit Salva Kiir dhe ish-liderit rebel, Riek Machar, për të formuar qeverinë e unitetit kombëtar".

Thirrja për pajtim në Sudanin e Jugut

Papa kujtoi, me këtë rast, ushtrimet shpirtërore të Autoriteteve të Vendit, mbajtur në Vatikan, prillin e kaluar dhe ftesën drejtuar të gjithë aktorëve të procesit politik kombëtar për të kërkuar çka bashkon e për të kapërcyer çka përçan, me frymën e vëllazërimit të vërtetë, duke i nxitur të gjithë besimtarët të luten për Sudanin e Jugut:

“Populli jug-sudanez ka vuajtur tepër këto vitet e fundit, ndaj pret me shpresë të madhe një ardhmëri më të mirë, posaçërisht pret fundin e ndeshjeve dhe paqen afatgjatë. I nxis, prandaj, të gjithë drejtuesit e vendit  të vijojnë, pa u lodhur, angazhimin në favor të dialogut përfshirës në kërkim të marrëveshjes për të mirën e Kombit. Uroj edhe që bashkësia ndërkombëtare ta shoqërojë Sudanin në udhën e pajtimit kombëtar. Ju ftoj të gjithë të lutemi së bashku për këtë vend, posaçërisht të dashur”.

Kujtimi i së Lumes Riquelme dhe i Shën Bartolomeut

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi figurën e Marisë Emilia Riquelme Y Zayas, shpallur e Lume dje, në Granadë të Spanjës si dhe të Bartolomeut Fernandes të Martirëve për të cilin, në Braga të Portugalisë, u kremtua sot Mesha e shenjtërimit:

“E Lumja e re qe shembullore në afshin për adhurimin eukaristik e bujare në shërbim të më nevojtarëve: ndërsa Shenjti i ri, ungjillëzues i madh e bari i kujdesshëm i njerëzve të tij. Një duartrokitje për të dy!”.

Lidhja ndërmjet tokës e punës

Së fundi Papa kujtoi edhe Ditën Kombëtare të Falënderimit për frytet e tokës dhe të punës, që kremtohej në Itali. Në kornizën e kësaj feste, Ati i Shenjtë bashkoi zërin me atë të ipeshkvijve, për të kujtuar lidhjen e fuqishme ndërmjet bukës e punës, duke uruar politika guximtare punësimi, që e kanë mirë parasysh dinjitetin dhe solidaritetin, larg çdo rreziku të korrupsionit.

10 nëntor 2019, 16:06