Papa Françesku nxit një pranverë të re misionare në Kishë

U bë i njohur sot videomesazhi me të cilin Papa Françesku paraqet ndjetin e lutjes të tetorit, në fillim të këtij muaji misionar të jashtëzakonshëm. Ati i Shenjtë dëshiron të lutemi që të ketë “një hov të ri misionar në veprimtarinë e Kishës”.

R.SH. - Vatikan

Në muajin tetor, që sapo filloi, video për ndjetin e lutjes së Papës Françesku u drejtohet të gjithë katolikëve, që të gjallërojnë vetëdijen për misionin e tyre e t’i bëjnë ballë sfidës “për kumtimin e Jezusit të vdekur e të ringjallur”. Pikërisht sot, më 1 tetor, filloi Muaji i jashtëzakonshëm Misionar (#MissionaryOctober), të cilin Ati i Shenjtë e dëshiroi me forcë “për të ushqyer zjarrin e veprimtarisë ungjillëzuese të Kishës ‘ad gentes’”. Veprat Misionare Papnore (POM) i bëjnë jehonë këtyre fjalëve, në mënyrë që ky muaj “të jetë rast hiri intensiv dhe i frytshëm për të promovuar nisma dhe për të intensifikuar veçanërisht lutjen – shpirti i çdo misioni”.

Misioni “ad gentes” (ndër njerëz)

         “Dalja në mision është paradigma e çdo vepre të Kishës”. Ka zona në të cilat Kisha është ende në fillimet e saj dhe ka nevojë për mbështetje të veçantë - të ashtuquajturat territore misioni. Aktualisht, këto zona janë 1109, në Afrikë, në Azi dhe në ishujt e Oqeanisë e të Amerikës. Vlerësohet se 37% e Kishës universale është territor misioni, pra, një e treta e Kishës Katolike. Kjo kërkon veprimtari të vazhdueshme për të ngritur institucione shoqërore, arsimore dhe baritore, që u përgjigjen nevojave të vendit.

Të krishterët të shkojnë në periferi

         Në videomesazhin për këtë muaj, Papa Françesku u propozon gjithë të krishterëve “të shkojnë në periferi, në ambientet njerëzore, kulturore dhe fetare, që akoma nuk e njohin Ungjillin”. Pra, u bën thirrje të bëhen dishepuj misionarë. Por, pavarësisht se Ati i Shenjtë kërkon një hov të ri misionar, paralajmëron se ai nuk është prozelitizëm. Keni, u thotë aspirantëve misionarë, “një jetë për të komunikuar: Zotin, jetën e Tij hyjnore, dashurinë e Tij të mëshirshme, shenjtërinë e Tij! E është Shpirti Shenjt që na dërgon, na shoqëron, na frymëzon: Ai është autori i misionit”. Programi misionar është pjesë e gëzimit të Ungjillit, e Françesku sqaron se ai duhet kumtuar duke respektuar kulturën dhe traditat e popujve, me vetëdijen se “zemra e misionit të Kishës është lutja”.

         Prandaj, si anëtarë të një Kishe shtegtare e, për natyrën e saj, misionare, Papa Françesku u kërkon të gjithëve të luten gjatë këtij Muaji të jashtëzakonshëm kushtuar misionit, që “Shpirti Shenjt të zgjojë një pranverë të re misionare për të gjithë të pagëzuarit e të dërguarit e Kishës së Krishtit në botë”.

Teksti i videomesazhit:

Sot është i nevojshëm një hov i ri në veprimtarinë misionare të Kishës për t’i bërë ballë sfidës së kumtimit të Jezusit të vdekur e të ringjallur. Të arrijmë në periferi, në ambientet njerëzore, në ambientet kulturore dhe fetare akoma të huaja për Ungjillin: ky është ai, që e quajmë “missio ad gentes”.

E të kujtojmë se zemra e misionit të Kishës është lutja.

Në këtë Muaj të Jashtëzakonshëm Misionar, të lutemi që Shpirti Shenjt të zgjojë një pranverë të re misionare për të gjithë të pagëzuarit e të dërguarit e Kishës së Krishtit.

01 tetor 2019, 12:07