Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës Françesku

Disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të Papës Françesku gjatë javës së kaluar: Motu proprio "Aperuit illis", audienca e përgjithshme, mesha e shugurimit ipeshkvnor

R.SH. - Vatikan

Të hënën e kaluar, Papa Françesku, me Letrën Apostolike në formën e Motu proprio “Aperuit illis” (këtu teksti i plotë në gjuhë të huaj), themeloi Ditën e Fjalës së Zotit. Do të kremtohet në të dielën e 3-të të kohës së zakonshme të vitit liturgjik. Titulli është marrë nga një rresht prej Ungjillit të Lukës: “Ua shndriti mendjet që t’i kuptonin Shkrimet” (Lk 24,45) ndërsa vendimi për këtë takim të veçantë, shkruan Françesku, synon t’u përgjigjet kërkesave të shumta, pas Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës. Në dokumentin “Misericordia et misera”, vetë Ati i Shenjtë fton të mendohet për një “të Diel kushtuar plotësisht Fjalës së Zotit, për të kuptuar pasurinë e pashtershme, që vjen nga ai dialog i vazhdueshëm i Zotit me popullin e tij”.

Mund të thuhet se çdo të diel dëgjohet në kishë Fjala e Zotit e kjo është e vërtetë. Por, Papa dëshiron t’i kushtojë asaj një çast të veçantë, shoqëruar me gjeste veçanërisht domethënëse, për të nxjerrë edhe më tepër në pah se Shkrimi Shenjt është dhe duhet të jetë në qendër të jetës së çdo të krishteri e të mbarë Kishës. Për më tepër, duke u kremtuar në janar (e diel, data 26, në vitin 2020) është afër Ditës për thellimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, si edhe Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, pra, merr vlerë ekumenike dhe ndërfetare.

Por e Diela e Fjalës së Zotit ka edhe kuptime të tjera. I fton ata, që nuk e njohin mirë, ta lexojnë dhe të luten më shumë me Shkrimin Shenjt, nënvizon nevojën për ta zbatuar atë në jetë, u bën thirrje meshtarëve ta vënë në dukje pasurinë e tij në homeli. Duke u nisur nga vetëdija se, siç thotë Shën Jeronimi, në festën liturgjike të të cilit u bë i njohur Motu proprio i Papës: “Injoranca për Shkrimin Shenjt është injorancë për Krishtin”.

Audienca e përgjithshme

“Shpirti Shenjt është protagonisti i ungjillëzimit”. Papa Françesku e theksoi këtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, kushtuar Veprave të Apostujve.

“O Atë, unë ungjillëzoj” – e thjeshtoi shpjegimin Ati i Shenjtë, duke folur pa letër – “Po, çfarë bën?”. “Ah, unë e shpall Ungjillin dhe them se kush është Jezusi, përpiqem t’i bind njerëzit se Jezusi është Zot”. “I dashur, ky nuk është ungjillëzim, sepse pa Shpirtin Shenjt nuk ka ungjillëzim. Ky mund të jetë prozelitizëm, mund të jetë publicitet, por ungjillëzim do të thotë ta lejosh Shpirtin Shenjt të të nxisë drejt kumtimit: shpalljes së Ungjillit me dëshmi, madje, edhe me martirizim, dhe me Fjalën e Zotit”.

Shenja se çdo i krishterë vepron, i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, është gëzimi, nënvizoi Papa, i cili, në përfundim u lut: “Shpirti Shenjt i shndërroftë të pagëzuarit në burra e gra, që shpallin Ungjillin për t’i tërhequr të tjerët jo drejt vetvetes, por drejt Krishtit; në burra e gra, që dinë t’i bëjnë vend veprimit të Zotit, që dinë t’i bëjnë të tjerët të lirë dhe të përgjegjshëm para Hyjit”.

Papa Françesku krijoi 13 kardinaj të rinj

Me koncistorin e pasdites së djeshme, Papa Françesku krijoi 13 kardinaj të rinj. Ati i Shenjtë e përqëndroi homelinë e tij në fjalën “dhembshuri”, që është mënyra me të cilën Jezu Krishti i zgjidh problemet që i paraqiten, është qëndrimi ungjillor i të krishterit, nënvizoi Papa. Dhembshuria është pjesë e pandarë e krejt historisë së Shëlbimit. Zoti ka qenë, është dhe do të jetë i dhembshur. Papa iu lut Zotit për kardinajtë e rinj, që, me ndërmjetësimin e Shën Pjetrit Apostull, t’u japë hirin e një zemre të dhembshur, që të jenë dëshmitarë të Atij, i cili i pa me mëshirë, i zgjodhi, i shuguroi dhe i dërgoi për t’u çuar të gjithëve Ungjillin e shëlbimit.

Papa Françesku kremtoi meshën për shugurimin ipeshkvnor

Njëri nga kardinajtë e krijuar në koncistorin e djeshëm nga Papa Françesku ishte ipeshkëv vetëm prej një dite. Vërtet, kardinali i sotëm Michael Czerny, jezuit, zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve në Dikasterin për Shërbimin e gjithanshëm të Zhvillimit Njerëzor, u shugurua ipeshkëv, të premten, më 4 tetor, në orën 17.00, gjatë meshës së kremtuar nga Ati i Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit. Bashkë me të, Papa shuguroi ipeshkëv edhe 3 të tjerë, të cilët i pati emëruar nuncë apostolikë më 3 shtator. Është fjala për imzot Antoine Camilleri, për imzot Paolo Rudelli dhe për imzot Paolo Borgia.

06 tetor 2019, 09:15