Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Papa Françesku, në mesazhin për FAO-n, audienca e përgjithshme e së mërkurës së kaluar, libri i ri i Atit të Shenjtë “Nëna jonë Tokë” dhe “Click to pray eRosary”, ndër ngjarjet e javës së kaluar në Vatikan e në botë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, në mesazhin për FAO-n: “ka ushqim për të gjithë, por, mizorisht, shpërdorohet”

         “Mos harroni se ka nga ata që ende ushqehen jo në mënyrë të shëndetshme”. Në mesazhin e tij të së mërkurës, 16 tetor, për FAO-n (Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë), Papa Françesku ngre zërin në favor të të uriturve në Ditën Botërore të Ushqimit. Këtë vit, tema e saj ishte: “Veprimet tona janë e ardhmja jonë: Ushqim i shëndetshëm për një botë me #UriZero”.

         “Është mizore, e padrejtë dhe paradoksale – shkruan Ati i Shenjtë në mesazh - që, në ditët e sotme, ka ushqim për të gjithë e, megjithatë, jo të gjithë mund të ushqehen”. “Ose që ka rajone të botës ku ushqimi shpërdorohet, hidhet, konsumohet tej mase apo destinohet për qëllime të tjera, jo ushqimore”.

         “Për të dalë nga kjo spirale”, propozon Papa, në vazhdën e Enciklikës “Laudato si’”, “duhet të promovohen institucione ekonomike dhe programe shoqërore, që u japin mundësinë më të varfërve të përdorin rregullisht të mirat materiale themelore”. Familja, thekson më tej Françesku, ka një rol të veçantë në vendosjen e një mënyre të drejtë jetese, pasi falë ndjeshmërisë femërore dhe amnore, mësojmë t’i shijojmë frytet e tokës pa abuzuar me to, si edhe zbulojmë udhët më të mira për të përhapur një stil jete, që respekton të mirën personale dhe kolektive”. Në shkallë globale, nënvizon së fundi Papa, fakti që kombet ndërvaren nga njëri-tjetri “mund të ndihmojë në mënjanimin e interesave të veçanta dhe në shtimin e besimit e të miqësisë ndërmjet popujve”.

Papa Françesku: të mos i vëmë fre krijimtarisë së Zotit

         Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa Françesku u nis nga figura e shën Pjetrit, në Veprat e Apostujve, që provokohet prej Hyjit për të dalë nga mendësia ngushtësisht hebraike, për t’ia hapur zemrën universalitetit të shëlbimit të Krishtit.

         Zoti, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk dëshiron që Pjetri t’i vlerësojë ngjarjet dhe njerëzit sipas kategorive “i pastër – i papastër”, por të shohë zemrën e personave.

         Zoti “dëshiron që bijtë e Tij të lënë mënjanë çdo veçori, në mënyrë që t’ia hapin mendjen universalitetit të shëlbimit”, nënvizoi Papa, gjatë audiencës, më 16 tetor. “Ata që rilindin nga uji dhe Shpirti Shenjt – kërkoi Françesku - janë të thirrur të dalin nga vetvetja dhe t’ua hapin zemrën të tjerëve, të jetojnë pranë njëri-tjetrit, në stilin e bashkësisë, që shndërron çdo marrëdhënie ndërpersonale në përvojë vëllazërimi”. Edhe Shën Pjetri, ndërsa lutej, “pati një vizion, që ishte ‘provokimi hyjnor’, për të nxitur tek ai ndryshimin e mendësisë”. “Si sillemi me vëllezërit tanë – pyeti Papa në fund – sidomos me ata, që nuk janë të krishterë? Bëhemi pengesë për takimin e tyre me Zotin, apo i ndihmojmë”, duke mos i vënë fre krijimtarisë së Hyjit.

Papa: të pendohemi për të këqiat, që i kemi bërë tokës, detit, ajrit dhe kafshëve

U paraqit javën e kaluar libri i ri i Papës Françesku “Nëna jonë Tokë”. Për të u fol në Panairin e Librit në Frankfurt të Gjermanisë dhe pjesë të tij u botuan në gazetat italiane. “Sinqerisht – shkruan Ati i Shenjtë - ëndërroj të bëhemi më të vetëdijshëm e të pendohemi të gjithë, burra e gra të shekullit XXI, besimtarë e jo besimtarë, si edhe shoqëritë tona, që e kemi lënë veten në dorën e logjikave, që ndajnë, shkaktojnë uri, izolojnë dhe dënojnë. Do të ishte bukur sikur të ishim në gjendje t’u kërkojmë falje të varfërve, të përjashtuarve; atëherë do të pendoheshim sinqerisht edhe për të këqiat, që i kemi bërë tokës, detit, ajrit, kafshëve...”. E Ati i Shenjtë tregon edhe udhën: “Ta kërkosh e ta dhurosh faljen janë veprime, që bëhen të mundura vetëm falë Shpirtit Shenjt”, shkruan Papa në librin e tij “Nëna jonë Tokë”.

Mbërrin tekno-rruzarja, që aktivizohet me shenjën e kryqit

Mbërrin tekno-rruzarja. Një mënyrë ultra-teknologjike për t’u lutur, që aktivizohet duke bërë shenjën e kryqit. “Gjithçka duhet të bëhet pa u nxituar, me një gjest të ngadalshëm, tipik të lutjes”, sqarojnë organizatorët e nismës “Click to pray eRosary” (Kliko për t’u lutur me tekno-rruzaren), paraqitur të martën, më 15 tetor, në Vatikan. Koha e aktivizimit duhet të respektohet rreptësisht, përndryshe aplikimi nuk mund të funksionojë. Kostoja e tekno-rruzares, siç njoftojnë ideatorët e saj, është 99 euro.

Tekno-rruzarja u paraqit nga Rrjeti i Lutjes Botërore të Papës, në kuadrin e këtij muaji të jashtëzakonshëm misionar, dashur nga Ati i Shenjtë. Qëllimi është lutja për paqen në botë, me të gjitha mjetet e mundshme. “Click to pray eRosary” është një pajisje interaktive, që shërben për të mësuar si të lutemi me rruzaren. Mund të mbahet si byzylyk dhe sinkronizohet me një aplikim falas me të njëjtin emër, i cili jep mundësinë për të dëgjuar një audioguidë, për të parë fotografi ekskluzive dhe tekste të personalizuara për rruzaren”, shpjeguan ideatorët e firmës “Gadget Teck Inc”.

20 tetor 2019, 08:43