Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa kremton Ditën Botërore Misionare

Papa Françesku kremtoi sot meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e Ditës Botërore Misionare. Tema e këtij edicioni të 93-të është “Të pagëzuar e të dërguar. Kisha e Krishtit me mision në botë”.

R.SH. - Vatikan

Në mesazhin e tij, që është bërë i njohur më 9 qershor, në Solemnitetin e Rrëshajëve, Ati i Shenjtë Bergoglio shpjegon se tema e Ditës është e njëjtë me atë të këtij muaji të jashtëzakonshëm misionar, dëshiruar nga Françesku për të kujtuar 100-vjetorin e shpalljes së Letrës Apostolike “Maximum Illud” të Papës Benedikti XV (30 nëntor 1919). “Largpamësia profetike e propozimit të tij apostolik më konfirmoi sa e rëndësishme është akoma sot përtëritja e impenjimit misionar të Kishës, rikualifimi ungjillor i misionit të saj për t’ia kumtuar e për t’ia çuar botës shëlbimin e Jezu Krishtit, të vdekur dhe të ringjallur”.

E më tej, Papa Françesku përcakton qartë synimet e këtij tetori misionar. “Kremtimi i këtij muaji – shkruan ai në mesazh - do të na ndihmojë, në radhë të parë, të rizbulojmë kuptimin misionar të besimit tonë në Jezu Krishtin, fe, që na është dhuruar falas në Pagëzim. Ne i përkasim Zotit jo individualisht, por si bashkësi kishtare: nga bashkimi me Zotin, - Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt – lind një jetë e re së bashku me shumë vëllezër dhe motra të tjera. E kjo jetë hyjnore nuk është mall për t’u shitur - ne nuk bëjmë prozelitizëm - është pasuri për t’u dhuruar, për t’u komunikuar, për t’u shpallur: ky është kuptimi i misionit. Ne e morëm falas këtë dhuratë dhe falas e japim, pa përjashtuar askënd. Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen, duke arritur ta njohin të vërtetën dhe ta provojnë mëshirën e tij falë Kishës, sakrament universal i shëlbimit”.

 Pas meshës, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

20 tetor 2019, 12:30