Kërko

Vatican News

Papa: bukuria e artit, kundërhelm për kulturën e mllefit

Françesku përuron Muzeun Etnologjik të risistemuar dhe një ekspozitë kushtuar Amazonës, në mjediset e Muzeve të Vatikanit. “Bukuria të bashkon e të fton ta jetosh vëllazërimin, duke iu kundërvënë kulturës së mllefit, të racizmit e të nacionalizmit".

R. SH. - Vatikan

“Një shtëpi plot gjallëri, e banuar nga të gjithë, me porta të hapura në të dy kanatat për popujt e botës; një vend, ku secili mund të ndjehet i përfaqësuar e ku shikimi i Kishës perceptohet si shikim, që nuk njeh pengesa”. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë përurimit të  Muzeut Etnologjik “Shpirti i botës”, risistemuar në Muzetë e Vatikanit, pas përshëndetjes së kardinalit Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit:

“Kush hyn këtu, do të duhej ta ndjente se në këtë shtëpi ka vend edhe për të, për popullin e tij, traditën e tij, kulturën e tij: evropiani, si indiani; kinezi, si ai që lindi në gjirin e pyjeve amazonike a kongolezi; biri i Alaskës e i shkretëtirave australiane, si ai i ishujve të Paqësorit. Të gjithë popujt janë këtu, nën hijen e Kupolës së Shën Pjetrit, pranë zemrës së Kishës e të Papës. E kjo, sepse arti nuk është pa rrënjë: arti lind në zemër të popujve, është mesazh: del nga zemra e popujve, për të hyrë në zemrën e popujve”.

Vend dialogu e takimi

Kushdo që e kapërcen pragun e këtij vendi - vijoi Papa - duhet të gjejë në të hapësirën kushtuar dialogut, të ndjejë dëshirën për t’ia hapur zemrën tjetrit, për t’u takuar e edhe se arti i tij ka të njëjtën vlerë, të njëjtin dinjitet e ruhet me të njëjtin pasion, “që u kushtohet kryeveprave të Rilindjes ose skulpturave të pamort greke e romake, të cilat tërheqin çdo vit miliona njerëz”.

Veprat e artit, kundër mllefit e racizmit

Papa lavdëroi edhe riorganizimin, realizuar nën kujdesin arkitektëve, punëtorëve e artizanëve, duke shprehur, më pas, vlerësimin e tij për ekspozitën e veçantë kushtuar Amazonës, rajon në qendër të Sinodit  të ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, titulluar “Mater Amazonia - The deep brath of the world”. Më pas inkurajoi të shikohet çdo kulturë e çdo njeri me zemër të hapur e dashamirësi, duke fituar kështu, edhe përmes bukurisë, mbi viruset e shumta, që minojnë vëllazërimin:

“Bukuria bashkon. Na fton të jetojmë si vëllezër, duke iu kundërvënë kulturës së mllefit, të racizmit, të nacionalizmit, që rri gjithnjë në pritë. Këto janë kultura selektive, kultura me numër të mbyllur. Pak muaj më parë, nga ky Muze, u nisën për në Pekin disa vepra arti kinez. E, para tyre, të tjera arritën nga vende islamike….Këto nisma të mira, që mund të bëhen falë artit, arrijnë të kapërcejnë edhe muret e distancat”.

Tingëlloftë, në këtë vend arti,  zëri i Zotit!

Duke e falënderuar organizatorin e muzeut të ri, me emrin kaq tërheqës “Shpirti i Botës”, atë Nicola Mapellin, misionar i Pimes, Papa Bergoglio e përfundoi përshëndetjen me një urim:

“Uroj që ky Muze Arkeologjik ta ruaj në kohë natyrën e tij të veçantë e t’u kujtojë të gjithëve vlerën e harmonisë e të paqes ndërmjet popujve e kombeve. E arti, që u mblodh këtu, të bëjë të tingëllojë zëri i Zotit në zemrat e gjithë atyre, që do ta vizitojnë këtë koleksion”.

Origjina e Muzeut Etnologjik

Origjina e Muzeut Etnologjik nis nga viti 1925 kur, me nxitjen e Papës Piu XI, u hap Ekspozita e Vatikanit për njohjen e traditave kulturore, artistike e shpirtërore të mbarë popujve. Pas mbylljes, ekspozita, që ndodhej në Pallatin e Lateranit, u shndërrua në Muze Misionar Etnologjik, për t’u transferuar, në vitet ‘70, në Muzetë e Vatikanit. Në rrjedhë kohe, në këtë Muze u grumbullan mijëra e mijëra vepra, ardhur nga të katër anët e botës. Sot u shtohen edhe mijëra objekte parahistorike si dhe  dhuratat e Papës së sotëm, dëshmi të traditave të mëdha shpirtërore aziatike, të qytetërimeve parakolombiane e islamike. Nuk mungojnë as objekte krijuar nga popujt afrikanë e nga banorët e Oqeanisë, Australisë e popullsive indigjene të Amerikës.

19 tetor 2019, 13:52