Kërko

Dy logot e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Tajlandë e në Japoni Dy logot e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Tajlandë e në Japoni 

Programi i udhëtimit të Papës në Tajlandë e në Japoni

Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur programin e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Tajlandë e në Japoni, që do të realizohet nga 19 deri më 26 nëntor.

R.SH. - Vatikan

Një udhëtim i pritur, i njoftuar më 13 shtatorin e kaluar e që do të fillojë të martën, më 19 nëntor me nisjen nga aeroporti Fiumicino për në Tajlandë, etapa e parë, ku Ati i Shenjtë do të arrijë të nesërmen, në orën 12.30, e ku do të qëndrojë deri më 23 nëntor. Motoja e kësaj etape është “Dishepuj të Krishtit, dishepuj misionarë”, për të kujtuar 350-vjetorin e krijimit të Vikariatit Apostolik të Siamit, ngritur më 1669.

Pas pritjes zyrtare në aeroportin ushtarak të Bangkokut, Papa do të shkojë në Selinë e Qeverisë, ku në oborr, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes; në të njëjtën ndërtesë, në “Dhomën e Fildishtë”, takimi me kryeministrin dhe më pas, ai me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Në të njëjtën ditë, Papa do të vizitojë Patriarkun e Lartë të Budistëve në tempullin budist. Gjithnjë paradite, Ati i Shenjtë do të takohet me personelin mjekësor të Spitalit St. Louis, ku do të vizitojë edhe të sëmurët e njerëzit me aftësi të kufizuara. Pas drekës në nunciaturë, do të shkojë në Pallatin Mbretëror, ku do t’i bëjë një vizitë mbretit Maha Vajiralongkorn “Rama X”. Angazhimi i fundit i ditës, mesha në Stadiumin Kombëtar.

E nesërmja është plot me fjalime, së pari në famullinë e Shën Pjetrit, për meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, seminaristët e katekistët, ndërsa, më vonë,  Papa Françesku do t’u flasë ipeshkvijve të Tajlandës dhe të FABC në shenjtëroren e të Lumit Nicholas Boonkerd Kitbamrung. Në një dhomë ngjitur me shenjtëroren, ai do të ketë, siç ndodh shpesh në udhëtimet e tij, një takim privat me jezuitët. Pas drekës, Ati i Shenjtë do të takojë drejtuesit e krishterë dhe ata të feve të tjera, në Universitetin Chulalongkorn. Edhe kjo ditë do të përfundojë me meshë: kremtimi eukaristik me të rinjtë në katedralen e Zojës së Madhe.

Pas ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e Bangkokut, të shtunën 23 nëntor, Papa do të niset për në Japoni, ku do të qëndrojë deri të martën 26 nëntor. “Mbrojtja e çdo jete”, me “j”-në e madhe në formën e një kryqi, është motoja e zgjedhur për këtë vizitë, marrë nga “Lutja e krishterë për Krijimin”, e cila mbyll Enciklikën e Françeskut “Laudato si’”. Papa do të arrijë në orën 17.40, në aeroportin Tokio-Haneda. Takimi i parë do të jetë ai me ipeshkvijtë në nunciaturë. E diela do të karakterizohet nga ndalesat në Nagasaki dhe Hiroshimë. Në qytetin e parë, ku Ati i Shenjtë do të arrijë me aeroplan nga Tokio, do të shqiptojë “Mesazhin mbi armët bërthamore” në Parkun që kujton hedhjen e bombës atomike dhe do t’u bëjë një “Tribut shenjtorëve martirë” në Monumentin e Dëshmorëve Nishizaka Hill, ku do të thotë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pas drekës në kryeipeshkvi, mesha në Stadiumin e Baseball-it. Pastaj, nisja me aeroplan për në Hiroshimë, ku do t’i drejtojë një mesazh Takimit për Paqen në Memorialin e Paqes. Në mbrëmje, kthimi në Tokio.

Këtu, të nesërmen, papa do të takohet me viktimat e Fatkeqësisë së trefishtë në “Bellesalle Hanzomon” dhe, më vonë, do të bëjë një vizitë private tek perandori Naruhito në Pallatin Perandorak. Edhe në Tokio nuk do të mungojë takimi me rininë në katedralen e Shën Marisë. Pas drekës në nunciaturë, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Tokyo Dom dhe më pas, do t’i flasë kryeministrit, autoriteteve dhe Trupit diplomatik në Kantei.

Dita e fundit e udhëtimit të tij apostolik do të hapet me meshën private me jezuitët në kapelën e Qendrës Kulturore të Unversitetit Sofia. Pastaj mëngjesi dhe takimi privat me Kolegjin Massimo në Universitetin Sofia, ku do të vizitojë meshtarët e moshuar dhe të sëmurë. Dita mbyllet me ceremoninë e lamtumirës në aeroportin Tokio-Haneda dhe me nisjen për në Romë, ku Papa pritet të arrijë në orën 17.15.

02 tetor 2019, 16:42