Libri i ri i Papës: "Nëna jonë Tokë" Libri i ri i Papës: "Nëna jonë Tokë" 

Papa: të rishikohen kriteret e jetës, për të shpëtuar jetën mbi tokë

Në një shkrim, që do të shohë së shpejti dritën e shtypit, Françesku kujton se, për ta kapërcyer krizën e sotme ekologjike, është e nevojshme të kërkojmë falje e të falim, çka mund të bëhet vetëm në Shpirtin Shenjt!

R. SH. - Vatikan

Në një shkrim, që do të shohë së shpejti dritën e shtypit, Françesku kujton se, për ta kapërcyer krizën e sotme ekologjike, është e nevojshme të kërkojmë falje e të falim, çka mund të bëhet vetëm në Shpirtin Shenjt. Teksti, nga i cili “Corriere della Sera” boton vetëm një përmbledhje të shkurtër shkëputur nga vëllimi titulluar “Nëna jonë Tokë”, shtypur nga Lev (Shtypshkronja e Vatikanit), me parathënie të Patrikut Bartolomeu, është një përmbledhje e fjalimeve të Papës kushtuar kujdesit për tokën. Do të dalë më 24 tetor në Itali e në Francë.

Kriza ekologjike, pasojë e shikimit të sëmurë mbi veten, mbi të tjerët, mbi botën e mbi kohën

Kriza ekologjike është pasojë e shikimit të sëmurë mbi veten, të tjerët, botën, kohën, që shkon pa kthim. Ky shikim i sëmurë na pengon ta perceptojmë gjithçka si dhuratë e ofruar e ta ndjejmë se Dikush na do! E kjo është dashuria e vërtetë, e cila nganjëherë vjen në mënyrë të papërfytyrueshme e të papritur, për të na kërkuar t’i rishikojmë stilet tona të jetës, kriteret e gjykimit, vlerat mbi të cilat e bazojmë vetë jetën tonë.  Dihet tashmë se ndotja, ndryshimet klimaterike, shkretimi i tokës, migrimet ambientale, konsumi i parregullt i burimeve të planetit, acidifikimi i oqeaneve, reduktimi i biodiversitetit, janë aspekte të lidhura pazgjidhshmërisht me ndotjen shoqërore: me përqendrimin në rritje të pushtetit e të pasurisë në duart e pak njerëzve e shoqërive,  të ashtuquajtura “të mirëqenies”, të begatisë, të shpenzimeve të çmendura ushtarake, të kulturës së hedhurinës, të interesimit të papërfillshëm të botës për periferitë, të mungesës së kujdesit për fëmijët e pleqtë e ligshtë e të ferishteve, që nuk e kanë parë ende dritën e kësaj bote.

Nuk mjaftojnë rrugëzgjidhjet thjesht ambientale

Nuk mjaftojnë rrugëzgjidhjet thjesht ambientale. As leximi i fenomenit  si aspekt i krizës globale. Kriza globale duhet t’i nxisë të gjithë t’i bëjnë pyetje vetes për misterin e krijimit e për çka ia vlen të jetosh. E kjo kërkon rishikimin e modeleve tona kulturore dhe ekonomike, për ndarjen me drejtësi të pasurive të tokës, me synimin që kush është i flakur sot jashtë radhëve, të përfshihet në gjirin e shoqërisë, e kush do të vijë nesër, të mund t’i shijojë akoma bukuritë e botës sonë, e cila është e rimbetet dhuratë për lirinë tonë e përgjgjësinë tonë!

Të ndërgjegjësohemi, përballë kulturës, që na imponohet!

Të ndërgjegjësohemi, përballë kulturës që na imponohet, është një kapitull tjetër i librit të ri të Françeskut, titulluar “Nëna jonë Tokë”.

Ka të bëjë me atë, që na imponohet përmes leximit, takimeve, orëve të prehjes, mediave - bazuar e tëra mbi pasjen! Pasjen e gjërave, të suksesit, dukjes, pushtetit. Kush ka shumë, vlen shumë, admirohet, ushtron pushtetin e vet mbi të tjerët! Kush ka pak, rrezikohet ta humbasë edhe fytyrën e vet, të bëhet një nga të padukshmit! E secili nga ne është viktimë e kësaj mendësie. Në këtë situatë, ajo që ka rëndësi nuk është të akuzojmë a të gjykojmë, por të sillemi në mënyrë të urtë e sidomos, të ndërgjësohemi.

Strukturat e mëkatit

Jemi përfshirë në strukturat e mëkatit (siç i quante Shën Gjon Pali II). Struktura që prodhojnë të keqen, ndotin ambientin, plagosin e poshtërojnë  të varfërit, favorizojnë logjikën e pushtetit, shfrytëzojnë me tepri pasuritë e natyrës, detyrojnë popullsi të tëra të largohen nga trojet e tyre, ushqejnë urrejtjen, dhunën e luftën. Është një trend kulturor, që ndikon mbi shtrembërimin e shpirtin njerëzor por që, falë krijimit tonë sipas shëmbëllesës së Zotit - na orienton drejt së mirës, dashurisë, shërbimit ndaj të afërmit!

Duhet ta ndjejmë përsëri se i pëkasim një familjeje të vetme - vijon të kujtojë Papa - gjë që mund të arrihet vetëm përmes faljes. E pikërisht falja do të na ndihmojë për ta kapërcyer krizën ekologjike.

Të rinisemi nga marrëdhëniet: arritjet e teknologjisë janë të pamjaftueshme

Kjo që po them - nënvizon akoma Papa në librin e ri titulluar “Nëna jonë Tokë”, mund të duket shumë idealiste e pak konkrete, ndërsa duken shumë më të lehta udhët, që synojnë zhvillimin e teknologjive të reja, të energjisë nga burime të rinovueshme etj. etj. Po kjo nuk mjafton. Ekologjia është ekologji e njeriut dhe e krjimit, që duhet parë në tërësi, jo vetëm pjesërisht. Ashtu si në rastin e një sëmudjeje të rëndë nuk mjafton vetëm një ilaç, por duhet shikuar i sëmuri për të kuptuar shkaqet e ligcinës, kështu  edhe kriza e kohëve tona duhet  përballuar në rrënjë.  E për këtë, ka vetëm një rrugë: duhet rimenduar ardhmëria jonë, duke u nisur nga marrëdhëniet: burrat e gratë e kohëve tona kanë etje për të vërtetën, për t’i rishikuar sinqerisht kriteret e jetës, për të  theksuar përsëri çka vlen, për ta rindërtuar jetën e kulturën.

Kjo, thënë me dy fjalë, përmbajtja e vëllimit titulluar “Nëna jonë Tokë”, shtypur nga Lev (Shtypshkronja e Vatikanit), që përmbledh fjalimet e Papës kushtuar kujdesit për tokën. Libri, me parathënie të Patrikut Bartolomeu, do të dalë më 24 tetor në Itali e në Francë.

16 tetor 2019, 16:36