Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: të hapen udhë të reja kumtimi, duke shkuar në gjirin e kulturave të popujve

Ftesë e fuqishme për kumtimin e Ungjillit, kjo e sotmja, që bëri Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas Meshës, me të cilën mbylli Sinodin për Amazonën, duke nxitur të mos përfundohet në ujin kënetor të ideologjive, por të dilet në detin e hapur, ku Shpirti Shenjt na nxit të hedhim rrjetat.

R. SH. - Vatikan

T’u kumtohet Ungjilli mbarë popujve: “Kjo vjen para së gjithash e vlen më shumë se të gjitha”. Me këto fjalë, në përfundim të Sinodit për Amazonën, Papa hyri në kuptimin më të thellë të udhës së përshkuar së bashku në këto tri javë, duke kujtuar fjalët e Shën Palit ndërsa priste vdekjen. E pikërisht në këto çaste, Pali shkruan: “Zoti ishte pranë meje e më dha forcë,  që unë të mund ta çoja deri në fund kumtimin e Ungjillit e të gjithë  njerëzit ta dëgjonin” (v. 17). Ja, kjo ishte dëshira e fundit e Palit: nuk kërkonte gjë për vete a për ndonjërin nga të tijtë, por për Ungjillin, që t’u kumtohej gjithë njerëzve.  

Papa kujtoi se pikërisht ky është çasti për ta pyetur veten: “Po unë, ç’ gjë të mirë mund të bëj  për Ungjillin?”:

Në Sinod - kujtoi Papa  gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot - ne e pyetëm veten, plot dëshirë për të hapur udhë të reja të kumtimit të Ungjillit. E sidomos ndjemë nevojën, ashtu si publikani i Ungjillit të sotëm, të gjunjëzohemi para Zotit, ta vëmë në qendër, si në nivel personal, ashtu edhe si Kishë. Sepse mund të kumtohet vetëm çka jetohet. E për të jetuar me Jezusin, për të jetuar për Ungjillin, duhet të dalim nga vetvetja.

“E ndjemë, atëhere, shtytjen për të dalë në det të hapur, për t’i lënë brigjet e porteve tona të sigurta e për të hyrë në ujërat e thella: jo në ujërat kënetore të ideologjive, por në detin e hapur, në të cilin Shpirti i Zotit na fton të hedhim rrjetat. Të dalim në det të hapur e të vihemi në lojë nga risia e Tij, do të thotë t’i përgjigjemi thirrjes për të dalë nga vetja e nga skemat tona, që në qendër të shkëlqejë Ungjilli, me stilin e vet: i varfër deri në rrënjë, misionar në baritori, sinodal në bashkim!”.

Papa u kthye, kështu edhe një herë, tek udha e bërë gjatë Sinodit, udhë dëgjimi, “pa i fshehur vështirësitë, por duke provuar bukurinë e ecjes përpara, për të shërbyer”. Udhë në të cilën arriti britma e të varfërit, njëherësh me brimën e tokës, arriti nga Amazona - theksoi  Papa - duke kujtuar se pas këtyre tri javëve, nuk mund të bëjmë sikur nuk dimë gjë, sikur nuk dëgjuam gjë:

“Zërat e të varfërve, së bashku me ato të shumë të tjerëve brenda e jashtë Asamblesë Sinodale - Barinj, të rinj, shkencëtarë - na nxisin të mos rrimë indiferentë – kujtoi. E dëgjuam shpesh frazën ‘më vonë është tepër vonë’: nuk mund të mbetet thjesht slogan!”.

Shikimi i Papës u drejtua, pastaj, drejt udhës që e pret Kishën në të ardhmen, ndaj iu lut Virgjërës Mari, që nderohet e duhet si Mbretëreshë e Amazonës:

“U bë kështu jo duke e pushtuar, por duke ‘u inkulturuar’: me guximin e përvuajtur të nënës, u bë mbrojtëse e të vegjëlve të saj, mbrojtëse e të shtypurve. Duke shkuar përherë tek kultura e Popujve: sepse nuk mund të ketë një kulturë standart, nuk ka kulturë të pastër, që pastron të tjerët. Vetëm Ungjilli është i pastër, e i pastron edhe të tjerët. Ungjilli i pastër, që inkulturohet! Asaj, që në shtëpinë e varfër të Nazaretit u kujdes për Jezusin, ia besojmë bijtë më të varfër dhe shtëpinë tonë të përbashkët” .

Kujtimi i Muajit misionar

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti me radhë shtegtarët e ardhur nga Italia e nga bota, duke kujtuar posaçërisht Muajin misionar:

“Kjo është e diela e fundit e tetorit, muaj misionar, që këtë vit pati karakter të jashtëzakonshëm e është edhe muaji i Rruzares! E përsëris ftesën për ta thënë Rruzaren, duke ia kushtuar misionit të Kishës sot, misionarëve e misionareve, që ndeshen me një mori vështirësish. E njëkohësisht, të vijojmë ta themi Rruzaren për paqen. Ungjilli e paqja ecin krah për krah”.

Së fundi:

“Të gjithëve u uroj të diel të gëzuar e, ju kujtoj, si gjithnjë. “Mos harroni të luteni për mua!”.

27 tetor 2019, 13:29