Papa: Shpirti Shenjt na i copëton zinxhirët
R. SH. - Vatikan
Zinxhirë, që copëtohen; zemër, që hapet e mbushet me një gëzim të paprovuar kurrë, që e pranon Krishtin dhe “të gjithë ata, që janë të Krishtit”. Është çikja e Shpirtit Shenjt, në shpirtin e njeriut. "E Shpirti Shenjt është gjithnjë protagonist në misionin e Kishës”. Është Ai, që vepron përmes ungjillëzuesit.
Katekizmi i sotëm, mbajtur nga Papa gjatë audiencës së përgjithshme, u frymëzua nga fragmenti, shkëputur prej “Veprave të Apostujve”, në të cilin tregohet arritja e Palit dhe e Silës në Maqedoni, vend që Françesku e vizitoi pak kohë më parë e që sot e kujtoi me shumë dashuri, sepse e priti plot ngrohtësi e fe. E pikërisht atje nis “procesi i inkulturimit” në Evropë. Ai proces, që vijojn deri më sot.
Shpirti Shenjt tregon udhët që duhen ndjekur
Papa u ndal tek tre episode nga jeta e Palit në Maqedoni: tek ungjillëzimi dhe pagëzimi i tregtares, Lidies dhe familjes së saj; arrestimi, së bashku me Silën, pasi dëboi djallin, që kishte pushtuar një skllave, të shfrytëzuar nga zotërinjtë e, së fundi, kthimi dhe pagëzimi i rojes së burgut, ku ishte i lidhur me zinxhirë, dhe familjes së tij:
“Duke lexuar Veprat e Apostujve, shihet qartë se Shpirti Shenjt është protagonist i misionit të Kishës: është Ai, që u prin hapave të ungjillëzuesve, duke u treguar rrugën për t’u ndjekur”.
Lidia, grua me zemër të hapur
Duke shpjeguar si u kthye në fe tregtarja e purpurit, Lidia, që beson në fjalët e Palit, Françesku u ndalua tek fuqia e Shpirtit Shenjt, që e shndërron çdo njeri:
“Lidia e pranon Krishtin e merr Pagëzimin, së bashku me familjen e saj e i pranon edhe ata, që janë të Krishtit, duke e mikpritur Palin e Silën. Kemi këtu, dëshminë e ankorimit të krishterimit në Evropë: nisjen e procesit të inkulturimit, që vijon ende sot. Hyrjen e tij në Maqedoni”.
Nga ngushëllimi, në pikëllim
Duke folur për shërimin e falltares nga Pali e nga Sila, Papa kujtoi një episod të ndodhur në Buenos Ajres, kur njerëzit i paguanin ata, që ua lexonin të ardhmen në vijat e dorës. Shërimi i gruas u kushton shtrenjt dy shëruesve, sepse paditen të akuzuar si shkaktarë të çrregullimeve publike. “Ngrohtësinë, që shijuan në shtëpinë e Lidies, Palit e Silës - shpjegoi Papa - u duhet ta paguajnë me tmerrin e burgut: kalojnë, kështu, nga ngushëllimi i kthimit të familjes së Lidies, në pikëllimin e thellë të burgut":
“Zotërinjtë e skllaves fitonin shumë, e kjo skllave e shkretë bënte çka bënin falltorët; të tregonte të ardhmen, të lexonte dorën - siç thotë kënga ‘merre këtë dorë, o cigane’, e për këtë lexim paguhej! Më kujtohet sesi në dioqezën time, në një park shumë të madh, ishin më se 60 tavolina, ku rrinin në pritje lexuesit e së ardhmes, që të lexonin dorën. E njerëzit u besonin këtyre gjërave. E paguanin. Kjo ndodhte asokohe!”.
Shkëlqimi i dritës së Krishtit
Asnjë ankim, në burg. Në vend të ankimit, lavdërimi i Zotit. Pali e Sila i përgjigjen burgut me lutje. E lavdërimi i çliron. Një tërmet i fuqishëm lëkund tokën! Portat e burgut hapen vetvetiu, zinxhirët copëtohen e ndodh edhe mrekullia e rojes së burgut që, duke besuar se të burgosurit kishin marrë arratinë, donte të vriste veten. E, pikërisht në këtë çast dëshpërimi, arrin drita e Krishtit, që shpëton. Në zemër të natës - shpjegoi Papa - roja e burgut i pranon apostujt, ua lan plagët dhe merr pagëzimin:
“Në zemër të natës së rojes paemër! Drita e Krishtit shkëlqen dhe e dëbon errësirën: zinxhirët e zemrës bien e në shpirtin e tij e të familjarëve të tij shpërthen një gëzim i paprovuar kurrë. Kështu di ta kryejë misionin Shpirti Shenjt; që nga fillimi, nga Rrëshajët e më pas, është Ai protagonist i misionit. E na çon përpara, dëshiron të jemi besnikë ndaj thirrjes, që na bën. Për ta përhapur Ungjillin në të katër anët”.
Prej këndej, lutja e Papës drejtuar Shpirtit Shenjt për të na dhuruar “një zemër të hapur, që e dëgjon zërin e Zotit e i mikpret vëllezërit. E edhe për hapjen e zemrave tona, si zemra e rojes së burgut, që e lë Shpirtin Shenjt ta prekë shpirtin e tij”
Bashkësia e Shenjtorëve
Gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, në përfundim të audiencës, Papa i ftoi të gjithë besimtarët ta thonë Rruzaren, në përfundim të muajit marian.
Duke iu drejtuar besimtarëve polakë, kujtoi Solemnitetin e afërt të të Gjithë Shenjtorëve si dhe përkujtimin e besimtarëve të vdekur. E, duke cituar Shën Gjon Palin II, Françesku kujtoi se këto ditë “na ftojnë t’i lartojmë sytë drejt qiellit, caku i shtegtimit tonë tokësor”. Atje na pret Bashkësia festive e Shenjtorëve. Atje do t’i gjejmë të vdekurit tanë të dashur:
“Jetojmë - përfundoi Papa - misterin e bashkësisë së shenjtorëve, me shpresën se buron nga ngjallja e Zotit tonë Jezu Krishtit”.