Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa, Shoqatës Ndërkombëtare të Krishterë për Detarët: promovoni ekumenizmin

Me përshëndetjen françeskane “paqe e të mira”, Papa u dërgon një videomesazh pjesëmarrësve në Konferencën e 11-të Botërore të Shoqatës Ndërkombëtare të Krishterë për Detarët, që po mbahet në Tajvan. Ati i Shenjtë i inkurajon të vazhdojnë shërbimin në favor të detarëve, me frymë të përtërirë ekumenike. Rasti është 50-vjetori i veprimtarisë së Shoqatës.

R.SH. - Vatikan

Papa i dërgon një videomesazh shoqatës ICMA - Shoqata Ndërkombëtare e Krishterë për Detarët - e cila, që nga viti 1969, mbledh rreth vetes organizata jo-fitimprurëse të krishtera, që punojnë për mirëqenien e detarëve në rreth 125 vende të botës. Delegacionet e këtyre organizatave janë mbledhur në Kaohsiung të Tajvanit, nga 21 deri më 25 tetor, për Konferencën e tyre të 11-të Botërore, me temë “50 vjet punë së bashku për detarët, peshkatarët dhe familjet e tyre”. Shoqata kremton pikërisht 50-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, Ati i Shenjtë i nxit organizatat, që marrin pjesë në të, të vijojnë shërbimin e tyre “me frymë të përtërirë ekumenike”.

Forma të frytshme ndihme për detarët

         Ati i Shenjtë u drejtohet pjesëmarrësve në Kongres me përshëndetjen françeskane “paqe e të mira” dhe uron të gjejnë “forma gjithnjë e më të frytshme për të ndihmuar detarët, peshkatarët dhe familjet e tyre”. “Është akoma aktuale – vijon Françesku - Letra apostolike ‘Stella Maris’ e vitit 1997, me të cilën shën Gjon Pali II përvijonte bazat për kujdesin baritor të sa e sa njerëzve, që punojnë në det, si edhe për familjet e tyre e për ata që udhëtojnë përmes detit. Në atë dokument, Paraardhësi im na ftonte të punojmë ‘që njerëzit e detit t’i kenë të gjitha mjetet e nevojshme për një jetë shenjte’ (II 2)”.

Misioni, mikpritja dhe fryma ekumenike

         Duke u nisur nga ajo Letër Apostolike, Papa e fton secilin prej përfaqësuesve të “traditave të ndryshme të krishtera” në Shoqatë, “t’i ndihmojë njerëzit e detit ta njohin Jezu Krishtin dhe të jetojnë sipas mësimeve të Tij”, duke respektuar njëri-tjetrin. “Ju inkurajoj - shton Françesku në videomesazh – të kapërceni vështirësitë, që mund të hasni në misionin tuaj, duke promovuar me bindje frymën ekumenike”. “Ju shoqëroj - përfundon Ati i Shenjtë - me lutjen time dhe me bekimin, që plot dëshirë ia kërkoj Zotit për ju, për punën tuaj të këtyre ditëve dhe për ata, që i janë besuar shërbimit tuaj baritor”.

21 tetor 2019, 12:21