Kërko

 Papa: Lutja, frymëmarrje e jetës së re Papa: Lutja, frymëmarrje e jetës së re 

Papa: lutja e të krishterëve të jetë frymëmarrja e Kishës

Në një vëllim, që do të dalë së shpejti në libraritë, Françesku nënvizon rolin e lutjes në jetën e krishterë.

R. SH. - Vatikan

Në një shkrim, që do të dalë së shpejti në libraritë, Françesku nënvizon rolin e lutjes në jetën e krishterë. Teksti, nga i cili gazeta “Avvenire” boton vetëm një fragment, përfshihet në vëllimin “Lutja. Frymëmarrje e jetës së re”, botuar nga Lev. Vëllimi - i paraqitur në Panairin ndërkombëtar të Librit, në Frankfurt - përmbledh fjalimet e Papës kushtuar lutjes, posaçërisht “Atynës” e do të jetë në libraritë më 24 tetor, në Itali e në Francë, me parathënie të Patrikut të Moskës, Kirill.

Po shkëpusim vetëm një fragment nga libri i Françeskut, që na rikujton kuptimin dhe vlerën e lutjes në të përditshmen tonë, në çdo kohë e në çdo vend:

“Më pëlqen ta përfytyroj lutjen, atë personale e komunitare të ne, të krishterëve - shkruan Ati i Shenjtë - si frymëmarrje, si rrahje e zemrës së Kishës. Lutja e dikon forcën e vet në shërbim të atij që punon, që studion, që jep mësim, që e bën  pjellore dijen e njerëzve të urtë dhe përvujtërinë e kokulurve! Lutja i jep shpresë e guxim njeriut, që lufton kundër padrejtësisë. Lutje do të thotë t’i themi 'po' Zotit, dashurisë së Tij, që na pushton shpirtin! Do të thotë t’i hapësh krahët, për ta mirëpritur Shpirtin Shenjt që, pa u lodhur kurrë, na mbush të gjithëve plot me jetë e me dashuri".

Thoshte Shën Serafini i Sarovit, mësues i madh shpirtëror i Kishës ruse:

“Të fitojmë Shpirtin e Zotit është qëllimi kryesor i jetës sonë të krishterë. Lutjet, netët pa gjumë, agjërimet, lëmosha e veprime të tjera të virtytshme, të bëra në emër të Krishtit, nuk janë tjetër, veçse mjet, që shërben për ta arritur këtë qellim (Serafini i Sarovit, Bisedë me Motovilov). Jo gjithnjë jemi të vetëdijshëm se po marrim frymë. Po pa frymë nuk mund të rrimë asnjë çast!”.

 

20 tetor 2019, 17:12