Kërko

1978-10-16 Elezione di Papa Giovanni Paolo II 1978-10-16 Elezione di Papa Giovanni Paolo II 

Papa: kujton zgjedhjen e Wojtilës, faleminderit për të mirën bërë Kishës e botës

Papa Françesku e kujtoi, në audiencën e përgjithshme, 16 tetorin e vitit 1978, ditën e zgjedhjes së Papës Gjon Palit II në selinë e Shën Pjetrit: "Falënderojmë Zotin për të gjitha të mirat që u bënë në Kishë, në botë dhe në zemrat njerëzore nëpërmjet fjalëve të Gjon Palit II, veprave të tij e shenjtërisë së tij".

R.SH. - Vatikan

"Sot përkujtojmë ditën e zgjedhjes së kardinalit Karol Wojtila në Selinë e Pjetrit”. Me këto fjala Papa Françesku e kujtoi, në audiencën e përgjithshme, 16 tetorin e vitit 1978,  ditën e zgjedhjes së Papës Gjon Palit II në selinë e Shën Pjetrit, duke shtuar: "Falënderojmë Zotin për të gjitha të mirat që u bënë në Kishë, në botë dhe në zemrat njerëzore nëpërmjet fjalëve të Gjon Palit II, veprave të tij e shenjtërisë së tij. Të kujtojmë se thirrja e tij për t’ia hapur zemrat Krishtit –përfundoi Papa Françesku – janë  gjithmonë aktuale.

Pra, Kisha katolike përkujton sot datën e 16 tetorit të vitit 1978,  përvjetorin e ditës së zgjedhjes së Papës Gjon Palit II në selinë e Shën Pjetrit. Më 22 tetor të vitit 1978 nisi solemnisht misioni papnor i Karol Wojtiles, një papni ndër më të gjatat në historinë e  Kishës e cila zgjati gati 27 vjet.

Përvjetori i zgjedhjes së Shën Gjon Palit II  në selinë e Shën Pjetrit shënohet me emocion e mirënjohje ndaj Hyjit që i dhuroi Kishës e njerëzimit një figurë kaq të veçantë siç qe Papa Wojtila. Edhe Kombi e Kisha shqiptare e kujtojnë me dashuri e mirënjohje të thellë për gjithë ndihmën, dashurinë e mbështetjen që dha për rimëkëmbjen e lirisë, të demokracisë e të hierarkisë së Kishës martire e të popullit të vuajtur e të dashur shqiptar.

Është thënë e përsëritur shpesh për cilësitë njerëzore dhe shpirtërore që e bënë të dashur dhe të paharrueshëm Papën polak nëpër botë e edhe ndër shqiptarë. Tematikat që karakterizuan magjisterin e tij mund të gjinden qysh në fillim të papnisë së tij. Qe një magjister i mbushur me dashuri kundrejt Kishës dhe njeriut, e i shoqëruar nga aftësitë komunikuese të jashtëzakonshme.

Zëri i Shën Gjon Palit II jehonte me vendosmëri për të kumtuar fytyrën e Krishtit dhe për të denoncuar fytyrat e së keqes – një zë i vendosur, i aftë për të denoncuar padrejtësitë, shkeljet e të drejtave themelore të njeriut e të popujve. Një zë i dashur e përherë pranë atyre që vuanin nga persekutimet, tiranitë e pësonin padrejtësish dhunë. Një zë profetik që tregonte pareshtur udhën e respektit e të dashurisë vëllazërore ndërmjet popujve e feve.

Ishte mënyra e tij për të kuptuar e çuar përpara misionin e vet në përputhje me nevojat e Kishës e të popujve të mbarë botës përtej kufijve. Pavarësisht nga kalimi i viteve, kujtimi për Shën Gjon Palin II është përherë i gjallë e dëshmitarët janë ende të panumërt. Fakti që ishte i pari Papë në udhëheqje të Kishës jo italian pas disa shekujsh, ardhja e tij nga Lindja e regjimeve komuniste, mosha relativisht e re, posaçërisht fjalët e tij të vetvetishme e të pazakonta në Lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, flisnin vetë për një personalitet të fortë e të lirë, që do të dinte të vendoste një lidhje të drejtpërdrejtë, ta bënte për vete popullin e krishterë, e më tej, edhe botën mbarë.

Një vetëdije e qartë – e përvujtë por e fuqishme në fe – e madhështisë së thirrjes e të misionit së tij. Vetë Gjon Pali II na dëshmoi se Primati i Polonisë, kardinali Vishinski, i pati thënë, në ditët vendimtare të zgjedhjes, se ishte i thirrur t’i printe Kishës në mijëvjeçarin e tretë. E kjo edhe ndodhi, pavarësisht nga atentati e nga sëmundjet, duke hedhur poshtë realizmin mosbesues me të cilin e ndiqnin shumë prej nesh.

E Shën Gjon Pali II i priu një Kishe jo të mbyllur në vetvete, por të hapur dhe të aftë për të përballuar me guxim sfidat e kohës: që nga ‘Mos kini frikë!”, shqiptuar në ditët e para të papnisë, deri tek ‘Duc in altum’ – ‘Dil në det të hapur!”, në vitet e fundit, Papa Vojtila na dhuroi pasionin e kumtimit të Krishtit pa frikë, për një botë të pafundme e të trazuar, por gjithnjë të dashur nga Zoti, edhe në mijëvjeçarin e tretë. Ta mbajmë të gjallë këtë trashëgimi!

Një zjarr zëri dhe idesh, tonalitetesh dhe vlerash, kujtimi i të cilave ka prirje të mjegullohet në kujtesë e të zëvendësohet nga kujtime më të vonshme, më të vuajtura, më të flashkëta. Ndërsa ne duam ta kujtojmë Karol Vojtiuën në muajt e parë në Katedrën e Shën Pjetrit, duke e ndjekur në rrjedhën e zakonshme që karakterizonte ditën e Papës, në takimet e tij me njerëzit, në mësimin e tij të Ungjillit për çdo lloj kategorie njerëzish, duke dëgjuar disa copëza të fjalimeve të tija më të zakonshme e për këtë arsye edhe të lëna mënjanë nga retrospektivat biografike tashmë të njohura –e shpesh disi përsëritëse – që kanë të bëjnë me të.

Ishte Papë që prej tre muajsh e s’do të kalonte shumë e duke shkuar në Meksikë e në Puebla do të linte në kronikat e Kishës dhe të botës, shenjën e tij të parë të fortë të cilësive të tija apostolike. Qysh në sallën e aeroportit të Fiumiçinos, përpara nisjes, Gjon Pali II, duke folur me gazetarët, tregon se e ka të qartë vizionin e tij për rrethanat historike. Lufta e ftohtë ishte ende larg varrosjes së saj nën rrënojat e Murit të Berlinit dhe planeti i ndarë në dy blloqe lëkundej ndërmjet frikës dhe mosbesimit. E prapëseprapë Papa i ri e di se ka një vlerë më të madhe sesa ideologjitë apo leverditë ekonomike tek e cila mund të mbështetet, - siç edhe bëri, - ai që e ka vërtetë për zemër të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ishte 25 janari i viti 1979: “Sigurisht, situata e përgjithshme e botës së sotme, e kontinenteve të ndryshme, e sistemeve të ndryshme, nuk është një situatë  e thjeshtë, por mjaft e ndërlikuar. Nga ana tjetër do të doja të isha optimist, sepse ajo çka është e mirë tek mendja dhe tek zemra e njeriut mund të fitojë. Është detyrë e Kishës, është detyrë e imja, të ndihmojë atë që është e mirë në mendjen njerëzore, në zemrën njerëzore, për të fituar mbi të keqen.”

Ndërsa fjala që mbajti në Puebla qe si një bubullimë. Por që përpara e pas Krishtlindjes së vitit 1978, Papa i kishte mëshuar edhe temave të tjera qendrore të magjisterit të tij që do të vërtitej rreth “qenies njerëzore.” duke filluar që nga njeriu i palindur e prandaj edhe i paaftë të mbrohet ndaj abuzimeve. Ja sesi u drejtohej atyre që në repartet e një spitali përpiqen të ndërthurin besimin me profesionalizmin. “Shërbimi ndaj jetës duhet t’i gjejë të impenjuar, me entuziazëm të bollshëm, mbi të gjithë mjekët katolikë, të cilët në besimin e tyre në Zotin krijues, pasqyrë e të Cilit është njeriu, dhe në misterin e Fjalës së Amshuar të zbritur nga qielli te trupi i brishtë i një foshnjeje të pambrojtur, gjejnë një arsye të re e më të lartë për përkushtim të zellshëm, për përkujdesje e për tutelë të painteres për çdo vëlla, veçanërisht nëse është më i vogël, i varfër, i paaftë e i kërcënuar.”

Kjo ishte masa e besimit të Papës Wojtila “që kishte ardhur nga larg”. Një njeri dhe një meshtar mësuar në vendin e tij të mbrojë duke luftuar ato vlera që të krishterët nga kjo anë e Murit të Berlinit përjetonin me një natyrshmëri shpeshherë të mbrujtur me sipërfaqshmëri. Një mbrojtje konkrete, e kthjellët, siç dëshmoi duke folur për drejtësinë shoqërore gjatë një audience me një grup punëtorësh të krishterë. Ishte 9 dhjetori i viti 1978 dhe mendimet e tij janë tepër aktuale ende sot, ndonëse kanë kaluar 30 vjet. “U bëj thirrje ndërgjegjeve të të gjithëve, të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Të drejtat dhe detyrat u përkasin të dyja palëve, dhe në mënyrë që shoqëria të ruajë drejtpeshimin e paqes dhe të mirëqenies së përbashkët, është i nevojshëm impenjimi i të gjithëve për të luftuar dhe për të fituar kundër egoizmit. Sigurisht një ndërmarrje e vështirë kjo, por i krishteri duhet të jetë i drejtë në gjithçka e me gjithkënd, si në shpërblimin e punës dhe në mbrojtjen e punës, ashtu edhe në shpenzimin e forcave  të veta. Në fakt ai duhet të jetë gjithkund dëshmitar i Krishtit, e rrjedhimisht edhe në punë”.

16 tetor 2019, 15:28