Shtatoret indigjene, që u vodhën dhe u hodhën në lumin Tiber të Romës Shtatoret indigjene, që u vodhën dhe u hodhën në lumin Tiber të Romës 

Papa kërkon falje për shtatoret indigjene, hedhur në lumin Tiber

Papa kërkoi sot falje për shtatoret indigjene “Pachamama”, që u vodhën nga një kishë, pranë Vatikanit, ku ishin ekspozuar, dhe u hodhën në lumin Tiber të Romës.

R.SH. - Vatikan

Në fund të lutjes së pasdites, në Sinodin kushtuar Amazonës, që vijon deri të dielën, Ati i Shenjtë mori fjalën e tha: “Si ipeshkëv i dioqezës së Romës u kërkoj falje të gjithë njerëzve, që e kanë ndierë veten të fyer”. Një video me qëndrimin e Papës Bergoglio u publikua në rrjetet shoqërore nga një pjesëmarrës në Sinod. Françesku vë në dukje “bujën mediatike”, që shkaktoi ky fakt.

Ja teksti i plotë i fjalës së Papës Françesku:

“Mirëmbrëma, dua t’ju them një fjalë për shtatoret “Pachamama”, që u hoqën nga kisha në rrugën Traspontina, edhe pse ishin atje pa ndonjë synim idhujtar, dhe u hodhën në Tiber. Së pari, kjo ndodhi në Romë dhe si ipeshkëv i dioqezës kërkoj falje nga njerëzit, që janë fyer nga ky gjest. Pastaj, njoftoj se shtatoret, të cilat kanë krijuar kaq shumë bujë në media, janë gjetur në Tiber. Shtatoret nuk janë dëmtuar.

Komandanti i Karabinierëve dëshiron që të informoheni për këtë lajm, para se të bëhet publik. Për momentin [gjatë pasdites, në Sinod] lajmi është i rezervuar dhe shtatoret mbahen në zyrën e Komandantit të Karabinierëve Italianë. Komanda e Karabinierëve është gati të ndjekë çdo udhëzim, që mund të jepet për mënyrën e publikimit të lajmit dhe për nisma të tjera që mund të merren, për shembull, thotë komandanti, “për ekspozimin e shtatoreve gjatë meshës së mbylljes së Sinodit”. Do ta shohim. Delegoj Sekretarin e Shtetit të Vatikanit për t’u marrë me këtë çështje.

Ky është një lajm i mirë, faleminderit”.

25 tetor 2019, 18:37