Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Kursin e 5-të Ndërkombëtar për formimin e kapelanëve ushtarakë katolikë Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Kursin e 5-të Ndërkombëtar për formimin e kapelanëve ushtarakë katolikë 

Papa, kapelanëve ushtarakë: mbrojtja e dinjitetit të të burgosurve është detyrë morale

Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Kursin e 5-të Ndërkombëtar për formimin e kapelanëve ushtarakë katolikë në të drejtën ndërkombëtare humanitare, organizuar nga Kongregata e Ipeshkvijve. Ati i Shenjtë kërkoi të përforcohen normat e Konventës së Gjenevës, nënshkruar 70 vite më parë, veçanërisht ato për mbrojtjen e të burgosurve të luftës.

R.SH. - Vatikan

Normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare për mbrojtjen e dinjitetit të të burgosurve duhet të zbatohen edhe gjatë konflikteve të armatosura, “pavarësisht nga natyra dhe rëndësia e krimeve”, që “mund të kenë kryer” të arrestuarit. Sepse “respektimi i dinjitetit dhe i integritetit fizik të njeriut”, nuk mund të lidhet me “veprimet e kryera prej tij, por është detyrë morale për t’u respektuar nga çdo person dhe nga çdo autoritet”. Ky ishte thelbi i fjalës së Papës Françesku për 130 pjesëmarrësit e 70 vendeve të ndryshme dhe për mësuesit e Kursit V Ndërkombëtar për formimin e kapelanëve ushtarakë katolikë, të cilët po njihen me të rejat e fundit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kursi mbahet në Institutin e Etërve Augustinianë dhe është organizuar nga Zyra ndërkombëtare e Ordinariateve Ushtarake të Kongregatës së Ipeshkvijve.

70 vite më parë, firma e Konventës së Gjenevës

         Kursi mbahet në 70-vjetorin e nënshkrimit të Konventës së Gjenevës për mbrojtjen e viktimave të luftës, firmosur më 12 gusht 1949. Duke kujtuar këtë përvjetor, Papa Françesku kërkoi që normat e Konventës të zbatohen në çdo rrethanë. “Kur duhet – nënvizoi Ati i Shenjtë - ato mund të sqarohen dhe të përforcohen më tej, veçanërisht përsa u përket konflikteve të armatosura jo-ndërkombëtare, sidomos, mbrojtjes së dinjitetit të personave të privuar nga liria personale, për arsye që lidhen me këto konflikte”.

Çdo njeri është i shenjtë, jo armik për t’u asgjësuar

         “Edhe në mes të mizorive të luftës – u kërkoi Papa Françesku kapelanëve ushtarakë -  kujtohuni se çdo njeri është pafundësisht i shenjtë”, sepse ka dinjitetin, që i ka dhënë Zoti, i cili e ka krijuar në shembëllim me vetveten. E më pas, duke folur për të burgosurit e luftës, theksoi:

         “Jo rrallë, njerëzit e arrestuar në kuadrin e konflikteve të armatosura janë viktima të shkeljes së të drejtave të tyre themelore, viktima të abuzimeve, të dhunës dhe të formave të ndryshme të torturës e të trajtimit mizor, çnjerëzor e poshtërues”.

         Ati i Shenjtë i nxiti kapelanët të bëjnë ç’është e mundur që të drejtat ndërkombëtare të respektohen edhe për të burgosurit e, sidomos, të formojnë ndërgjegjen e vetë forcave të armatosura, që të mos e konsiderojnë armikun, si person për t’u poshtëruar e asgjësuar.

Kujtimi i rregulltarëve të rrëmbyer, ose të vrarë në zona lufte

         Së fundi, Papa Françesku kujtoi civilët, që “rrëmbehen, zhduken dhe vriten. Ndërmjet tyre, - nënvizoi ai - ka edhe shumë rregulltarë e murgesha”, që shpesh, japin jetën pa pasur paragjykime për flamuj e kombësi:

“Siguroj lutje për gjithë këta njerëz dhe për familjet e tyre, në mënyrë që ta kenë gjithmonë guximin për të ecur përpara dhe për të mos e humbur shpresën”.

31 tetor 2019, 14:12