Kërko

 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa Françesku: të ungjillëzosh do të thotë t’i ndihmosh zemrat të afrohen tek Zoti

“Të mahnitemi nga të papriturat e Zotit, pa e penguar krijimtarinë e Tij”. Këtë hir kërkoi Françesku gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar pikërisht Prijësit të Apostujve.

R. SH. - Vatikan

Të kapërcehen sektarizmat, për t’ia hapur zemrën universalitetit të shëlbimit! Të mposhten rezistencat e t’i besohet planeve të Zotit dhe frymës së Tij krijuese, që hap gjithnjë rrugë të reja! Françesku, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, vijoi “shtegtimin e Ungjillit nëpër botë”, sipas rrëfimit të Lukës, në Veprat e Apostujve. E sot u ndalua tek figura e Shën Pjetrit, për të nënvizuar  se ungjillëzuesi nuk mund të jetë pengesë e veprës krijuese të Zotit. Përkundrazi, favorizues i takimit të zemrave me Perëndinë.

Të rilindemi, duke dalë nga vetvetja

Vetë Zoti - shpjegoi Papa - i nxit njerëzit t’i lënë mënjanë sektarizmat, për të jetuar plotësisht si vëllezër:

“Ky është synimi: të kapërcehen partikularizmat e të hapen zemrat për universalitetin e shëlbimit, sepse Zoti dëshiron t’i shpëtojë të gjithë! Sa e sa njerëz u rilindën nga uji e nga Shpirti Shenjt! Të pagëzuarit janë të thirrur të dalin nga vetvetja, t’ia hapin zemrat të tjerëve, të jetojnë  pranë e pranë me stilin e jetës së përbashkët, që e shndërron çdo marrëdhënie  ndërpersonale në përvojë vëllazërimi”.

Të shkohet tutje, duke shikuar zemrën

Papa u ndalua, pastaj, tek “provokimi” hyjnor ndaj Pjetrit, ngjarje që ndikoi mbi kthesën përfundimtare të jetës së tij e ia ndryshoi krejtësisht mendësinë. Ndërsa lutej, Pjetri pati një vegim. Përballë refuzimit të Apostullit për të ngrënë ç’i zbret nga qielli, mbështjellë në një mësallë, sepse hebre i mirë siç ishte, e konsideron të papastër, Zoti  i flet, duke e nxitur të mos e shikojë si të përlyer, çka u pastrua:

“Me këtë fakt Zoti dëshiron që Pjetri të mos i vlerësojë më ngjarjet dhe njerëzit sipas kategorive të së pastrës e të papastrës, por të mësohet të shkojë tutje, për të parë njeriun e ndjetet e zemrës së tij. Çka e bën njeriun të papastër, nuk vjen nga jashtë. Vjen vetëm nga brenda, nga zemra. E Jezusi na e thotë qartë këtë”.

Pjetri është i lirë

Gjatë vizitës në shtëpinë e çenturionit Korneli, i huaj e i parrethprerë, por që jep gjithnjë lëmoshë e i lutet papushim Zotit, Pjetri krijon atmosferë shkandulli. Aty, tek ky njeri, që konsiderohet “i papastër”, predikon Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, faljen e mëkateve të të gjithë atyre, që besojnë në Të e i pagëzon të gjithë, në emër të Krishtit:

“Kjo ngjarje e jashtëzakonshme - e para herë që ndodh një gjë e tillë -  përhapet në të katër anët e Jeruzalemit ku vëllezërit, të shkandulluar nga sjellja e Pjetrit, e qortojnë rreptësisht. Doemos! Prishi zakonin, shkeli ligjin! Prandaj duhej qortuar! Ndërsa Pjetri, pas takimit me Kornelin, çlirohet nga vetvetja, ndjehet shumë më pranë Zotit e të afërmit, sepse në veprimin e Shpirtit Shenjt ai pa vetë vullnetin e Zotit”.

Takimi i zemrës

Episodet e shpjeguara nga Papa na nxisin të pyesim vetën: “Thua sillemi në një mënyrë, që bëhet pengesë për takimin me Zotin e me vëllezërit, në rrugën që çon drejt  Atit?”:

“Ungjillëzuesi nuk mund të jetë pengesë e veprës krijuese të Zotit. Përkundrazi, favorizues i takimit të zemrave me Zotin. Të kërkojmë hirin e që të mahnitemi nga të papriturat e Zotit, pa e penguar krijimtarinë e Tij, por duke i pranuar e duke i favorizuar udhët gjithnjë të reja përmes të cilave i Ngjalluri dikon Shpirtin e Tij mbi Botë e i tërheq zemrat, duke i bërë ta njohin si ‘Zot i të gjithëve’”.

Gjon Pali II

Në përshndetjet drejtuar shtegtarëve polakë, Papa kujtoi ditën e zgjedhjes së Shën Gjon Palit II:

“Të kujtojmë se thirrja e tij për t’ia hapur zemrat Krishtit, është gjithnjë aktuale. Përmes ndërmjetësisë së Tij, i kërkoj Zotit dhuratat e begata të Shpirtit Shenjt për ju të gjithë, për familjet tuaja, bashkësitë dhe për mbarë Kishën. Ju bekoj me gjithë zemër!”.

16 tetor 2019, 12:45