Papa Françesku: të mos jetojmë një fe “sakristie”

Në Lutjet Mbrëmësore, që hapën dje Muajin e Jashtëzakonshëm Misionar, Papa Françesku e nxiti Kishën të mos kërkojë “oaza të mbrojtura”, por të jetë gjithnjë “kripa e tokës dhe maja për botën”. E ftoi t’i përdorë talentet, të vërë në lojë jetën, që nuk është “barrë, por “dhuratë”, të jetë një Kishë në dalje dhe misionare, martire sepse dëshmon e para fenë.

R.SH. - Vatikan

Ngjyrat e botës shkëlqyen mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Një botë, që ende ka nevojë për kumtin e Jezusit, për shpresën e Krishtit, për të besuar tek dëshmitarët e vërtetë, plot me dashuri për Zotin, dëshmitarë që kanë guximin t’i besojnë, duke i lejuar t’i dërgojë në skajet më të largëta të Tokës. Janë murgesha, rregulltarë e, edhe dy laikë, të cilët, në fund të Mbrëmësores, Papa i nisi në mision, duke u dhënë një kryq: spirancë e sigurt ku të kapen pa frikë. Ata do të shkojnë në Brazil, në Sudanin e Jugut, në Republikën Demokratike të Kongos, në Kazakistan, por edhe në Kamboxhia, Tajvan, Bangladesh dhe Kirgizistan.

Aktivë për të mirën, jo noterë të fesë

         Duke hapur Muajin e Jashtëzakonshëm Misionar me temë: “Të pagëzuar dhe të dërguar: Kisha e Krishtit me mision në botë”, njoftuar në Engjëllin e Tënzot të 22 tetorit 2017, Papa Françesku, në përkujtimin liturgjik të shën Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtore e misioneve, kërkoi “guxim dhe krijimtari” për t’i shfrytëzuar mirë talentet, që Zoti i ka dhënë secilit prej nesh, pasuri që s’duhen lënë në kasafortë, sepse janë thirrja e Hyjit për të gjithë:

“Zoti do të na pyesë nëse jemi vënë në diskutim, në lojë, duke rrezikuar, ndoshta, edhe pa pyetur për veten. Ky muaj i jashtëzakonshëm misionar dëshiron të jetë një tronditje që na provokon për t’u bërë aktivistë të së mirës. Jo noterë të fesë dhe roje të hirit hyjnor, por misionarë”.

Misionarë, dëshmitarë e martirë

         Papa kujtoi se, kur provojmë dashurinë e Zotit, nuk mund të mbetemi indiferentë, të heshtur, joaktivë. I ftoi të gjithë që ta pyesin veten, sidomos gjatë këtij muaji, sa e dëshmojnë fenë, sa e rrezikojnë edhe vetveten për këtë:

         “Dëshmitar është fjala kyçe, fjalë që ka të njëjtën rrënjë si martiri. E martirët janë dëshmitarët e parë të fesë: jo me fjalë, por me jetë. Ata e dinë që feja nuk është propagandë apo proselitizëm, por është dhuratë për jetën. Jetojnë duke përhapur paqe dhe gëzim, duke i dashur të gjithë, madje edhe armiqtë e tyre, për hir të dashurisë për Krishtin”.

Zoti të thërret edhe ty

         Askush nuk përjashtohet nga misioni i Kishës, tha Françesku, duhet të nisemi për të shkuar atje ku nuk ka shpresë dhe dinjitet, të jetojmë me guxim dhe me sigurinë së Shpirti Shenjt na e ka përgatitur tashmë rrugën për kumtimin e Krishtit, sepse “shumë njerëz ende jetojnë pa gëzimin e Ungjillit”. “Në këtë muaj Zoti të thërret edhe ty”, tha Papa, duke u dhuruar të pranishmëve fjalë me parfumin e lutjes:

         “Të thërret ty, baba a nënë e familjes; ty, i ri që ëndërron për gjëra të mëdha; ty, që punon në një fabrikë, në një dyqan, në një bankë, në një restorant; ty, që je pa punë; ty, që je në një shtrat, në spital... Zoti të kërkon ta dhurosh vetveten aty ku je, siç je, me ata që ke përreth; për të mos e vuajtur jetën, por për ta dhuruar atë; për të mos u qurravitur, por për ta lënë zemrën të tronditet nga lotët e atyre që vuajnë. Guxim, Zoti pret shumë nga ty”.

02 tetor 2019, 09:02