1570437737316.JPG

Papa hap punimet e Sinodit: t’i kuptojmë dhe t’u shërbejmë popujve të Amazonës

Pas procesionit nga Bazilika e Vatikanit në Sallën e Sinodit, i shoqëruar nga pjesëmarrësit, përfshirë përfaqësuesit e popujve indigjenë, Papa Françesku hapi Sinodin për Rajonin Panamazonik dhe uroi që ai të jetë një proces baritor, kulturor, shoqëror dhe ekologjik, për të reflektuar, për të dialoguar, për të dëgjuar me përvujtëri, për të folur me guxim dhe pa doreza, për të shohitur si duhet e për të mbrojtur vëllazërimin.

R.SH. - Vatikan

T’i kuptojmë, t’i kundrojmë dhe t’u shërbejmë popujve të Amazonës, në një takim, që nuk është tryezë e rrumbullakët apo konferencë, por udhëtim sinodal, sepse “Sinodi nuk është parlament”, por një mundësi për të reflektuar, për të dialoguar, për të dëgjuar me përvujtëri, duke folur me guxim dhe pa doreza, duke i shoshitur mirë punët dhe duke ruajtur vëllazërimin. Ky ishte reflektimi i Papës Françesku në seancën, që përuroi Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Rajonin Panamazonik, me temë: “Shtigje të reja për Kishën dhe për një ekologji të gjithanshme”. Ati i Shenjtë i këshilloi etërit sinodë t’u afrohen popujve amazonikë “në majë të gishtave”, duke respektuar historinë, kulturën, stilin e jetës, poezinë e tyre. Prandaj, larg qëllimeve pragmatike, larg programeve për zhvillimin shoqëror ose për mbrojtjen e kulturave, larg qëndrimeve të njëjta me ato, që çuan në shpyllëzim dhe shfrytëzim, por – kërkoi Papa – punime me përmasa, që kanë sy e zemër dishepujsh e misionarësh, pa prozelitizëm, duke respektuar realitetin e një populli, që është sovran.

Françesku në procesion

         Dje, Mesha e hapjes, ndërsa sot në mëngjes, procesioni nga Bazilika e Vatikanit në Sallën e Sinodit, ku zhvillohen punimet. Papa u ndal në Shën Pjetër për një çast lutjeje me pjesëmarrësit në kuvend, duke përshëndetur veçanërisht përfaqësuesit e popujve indigjenë, të cilët, përveç këngëve të tyre, sollën në procesion, edhe një kanoa të mbushur me mjete dhe objekte simbolike të historisë dhe të traditës së tyre. Përgjatë udhës në Sheshin e Shën Pjetrit, e mbështollën dhe e shoqëruan Atin e Shenjtë me ngrohtësinë e zemrës dhe me parrullat e tyre për ekologjinë e gjithanshme, por edhe duke bartur kujtimin e njerëzve, që humbën jetën në mbrojtje të tokave të Amazonës dhe më gjerë. Në sheshin para Sallës Pali VI, Françesku përshëndeti të pranishmit dhe hyri në Sallën e Sinodit për lutjen e fillimit.

Përmasat e Sinodit

         Pastaj, në spanjisht, falënderimet e Papës për “punën e gjatë përgatitore”, nga Puerto Maldonado, në zemër të Amazonës peruviane e, deri më sot. Ati i Shenjtë nënvizoi 4 përmasat e Sinodit: “baritore, kulturore, shoqërore dhe ekologjike”, udhëhequr gjithnjë nga “protagonisti kryesor”, që s’është tjetër, përveçse Shpirtit Shenjt. Françesku i nxiti të gjithë të shkojnë përtej kolonizimeve ideologjike, duke respektuar origjinalitetin e kulturës së popujve indigjenë: ideologjitë – kujtoi Papa, duke përmendur prirjen për të krijuar “izma” (ideologjizma, kulturizma…) - janë armë e rrezikshme, sepse nuk i shqyrtojnë çështjet katërcipërisht dhe janë bazë për “parrullat” e fjalët fyese, që planifikojnë mënyrën e trajtimit të popujve autoktonë. Papa shprehu trishtimin e tij për një shaka pa kripë, dëgjuar dje për një njeri me pendë në kokë: në fund të fundit, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk ka ndonjë dallim të madh ndërmjet pendëve dhe kapeles me tre cepa a me tre brirë, që përdorin disa nga zyrtarët e dikasterve të Vatikanit.

Instrumentum Laboris

         Më pas, Françesku kërkoi të punohet mbi “Instrumentum Laboris”, që është - shpjegoi ai, duke bërë pak shaka - një “tekst martir”, i destinuar të ndryshohet, madje, edhe të shndërrohet krejtësisht gjatë punimeve, sepse është pikënisja e një udhëtimi, që do të frymëzohet nga Shpirti Shenjt. Të jesh në Sinod, vazhdoi Papa, do të thotë të hysh “në një proces”, që nuk është zënia e një “hapësire” në sallë, por – si fëmijët – ta lejosh Kishën Nënë dhe bashkësinë e krishterë të të rrethojë me “ngrohtësi”, të kujdesesh për aspektin vëllazëror, intimitetin, të përdorësh delikatesë dhe maturi edhe në komunikimin me jashtë, për të shmangur çdo keqkuptim.

07 tetor 2019, 13:08