Kërko

 Mesha Shenjte për përfundimin e Sinodit Mesha Shenjte për përfundimin e Sinodit 

Papa e mbyll Sinodin: britma e të varfërve është britmë shprese për Kishën

Me meshën e kremtuar sot nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, përfundoi Sinodi i jashtëzakonshëm i ipeshkvijve kushtuar Amazonës, i cili, për tri javë me radhë, mblodhi në Romë jo vetëm ipeshkvij, por edhe ekspertë, rregulltarë e murgesha, vullnetarë e sidomos, përfaqësues të indiosve të rajonit, që shtrihet në nëntë shtete të Amerikës së Jugut. Dje pasdite u mbajt kongregacioni i fundit i përgjithshëm e më pas, takimi me gazetarët, për Dokumentin përfundimtar sinodal.

R.SH. - Vatikan

Sot, gjatë homelisë së Meshës solemne, me rastin e mbylljes se Sinodit kushtuar Amazonës, kremtuar në Vatikan, Ati i Shenjtë Bergoglio komentoi leximet liturgjike dhe u përqendrua në lutjen e fariseut e të tagrambledhësit, paraqitur nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, si edhe në lutjen e të varfërit, nga Libri i Siracidit.

Lutja e fariseut

Në Ungjillin e sotëm, Krishti u tregon dishepujve shëmbëlltyrën e fariseut e të tagrambledhësit, që i luten Zotit në dy mënyra të ndryshme. Fariseu e fillon me falenderim, por pastaj s’bën tjetër, veçse lëvdon vetveten. “Është në tempullin e Zotit – tha Papa – por praktikon fenë e unit personal”. Jo vetëm kaq, por, duke menduar se lutet, përbuz gjithë të tjerët, edhe vetë tagrambledhësin aty pranë. “Sa herë – nënvizoi Ati i Shenjtë – kush është përpara, si fariseu në krahasim me tagrambledhësin, ngre mure për t’i rritur distancat, duke i konsideruar të tjerët edhe më hedhurina. Ose, duke i marrë për të prapambetur e me pak vlerë, u përbuz traditat, ua zhduk historinë, u pushton territoret, u përvetëson pasuritë. Sa të ashtuquajtura ‘epërsi’, që shndërrohen në shtypje e shfrytëzim, edhe sot”, denoncoi Papa Françesku. “Feja e unit personal vijon, hipokrite me ritet dhe ‘lutjet’ e saj, harron kultin e vërtetë të Zotit, që kalon gjithnjë përmes dashurisë për të afërmin”.

Lutja e tagrambledhësit

 Lutja e tagrambledhësit, vijoi Papa komentin e Ungjillit të sotëm, na ndihmon të kuptojmë ç’i pëlqen Hyjit. Vërtet, tagrambledhësi, që ndoshta, ishte edhe më i pasur se fariseu, nuk mburret para Zotit, madje, as që i afrohet tempullit, sepse e mban veten për mëkatar të madh. E i lutet Hyjit t’ia falë mëkatet. Kjo do të thotë, theksoi Papa, “të lutesh e ta lësh Zotin të ta shohë shpirtin, pa trillime, pa justifikime, pa arsyetime të kota. Sepse djalli të bën të errët e të rremë, nga Zoti vjen veç drita dhe e vërteta”. E Ati i Shenjtë i falenderoi etërit sinodalë, që folën e diskutuan me qartësi e sinqeritet për të gjitha problemet e Amazonës, duke ia paraqitur ato Zotit, që t’i ndihmojë t’i zgjidhin.

Të besojmë se kemi nevojë për shëlbim

Duke pasur parasysh tagrambledhësin, vijoi akoma Françesku, kuptojmë nga duhet filluar kthesa: duhet të besojmë se kemi nevojë për shëlbim. Është hapi i parë drejt “fesë së Zotit”, çasti që fillon e lë mënjanë “fenë e unit personal”. “Nëse shohim në shpirt me sinqeritet – theksoi Papa – vërejmë se i kemi të dy, si tagrambledhësin, ashtu edhe fariseun. Jemi pak tagrambledhës, sepse mëkatarë, e pak farisenj, sepse jemi mendjemëdhenj, gati për ta justifikuar veten, madje, kampionë për t’u shfajësuar me të gjitha mënyrat! Shpesh, me të tjerët funksionon, me Zotin, jo. Të lutemi për hirin që ta ndiejmë se kemi nevojë për mëshirë, të ndihemi të varfër në shpirt”.

Lutja e të varfërit

E këtu, Papa Françesku kaloi në komentin e Librit të Siracidit, një nga leximet liturgjike të sotme, ku flitet për lutjen e të varfërit e thuhet se ajo “përshkon retë” e mbërrin deri në Qiell. Të varfërit, tha Ati i Shenjtë, janë “portierët e Qiellit”: “janë ata, që do të na i hapin ose jo portat e jetës së amshuar, pikërisht ata, që nuk e kanë konsideruar veten zotërinj në këtë jetë, që nuk e kanë vënë veten para të tjerëve, që si pasuri kanë pasur vetëm Zotin. Ata janë ikonat e gjalla të profecisë së krishterë”.

Gjithësia nuk shfrytëzohet, është shtëpi për t’u ruajtur

 “Në këtë Sinod – vërejti Papa, duke folur së fundi për Takimin e ipeshkvijve kushtuar Amazonës - patëm hirin të dëgjojmë zërat e të varfërve dhe të reflektojmë për pasigurinë e jetës së tyre, kërcënuar nga modele grabitqare zhvillimi. E megjithatë, pikërisht në këtë situatë, shumë na dëshmuan se është e mundur ta shikojmë ndryshe realitetin, duke e mirëpritur krahëhapur si dhuratë, duke mos e konsideruar Gjithësinë si mjet për t’u shfrytëzuar, por si shtëpi për t’u ruajtur, me besim në Zotin… Sa herë, madje edhe në Kishë, zërat e të varfërve nuk dëgjohen e, ndoshta, edhe përqeshen, ose heshtohen, sepse janë të pakëndshme. Të lutemi për hirin që të dimë si ta dëgjojmë britmën e të varfërve: është britma e shpresës në Kishë. Duke e bërë tonën thirrjen e tyre, edhe lutja jonë do të shpojë retë”.

27 tetor 2019, 11:43