Kërko

1570187238440.JPG

Papa mbjell një lis nga Asizi në Kopshtet e Vatikanit, në festën e Shën Françeskut

Sot, në Kopshtet e Vatikanit u kremtua festa e Shën Françeskut të Asizit, gjatë së cilës Papa Françesku mbolli një lis nga Asizi, simbol i impenjimit të tij për një ekologji të gjithanshme. Ngjarja përfundoi me lutjen, që ia kushtoi ndërmjetësimit të Shën Françeskut Sinodin e ardhshëm për Amazonën.

R.SH. - Vatikan

Festa e shën Françeskut të Asizit, atij që i këndonte “vëllait Diell e motrës Hënë”, ishte sot rasti, në Vatikan, për të nënvizuar edhe një herë rëndësinë e Kohës së Gjithësisë, që u mbyll pikërisht sot, pas një muaji. Ishte edhe dita, e cila i dha Papës Françesku mundësinë për të bërë një gjest të dukshëm e simbolik, që nënvizon impenjimin e tij e të Kishës në të mirën e Shtëpisë së Përbashkët, të ambientit e të ekologjisë së gjithanshme.

Ati i Shenjtë mbolli një lis

Në prag të Sinodit për Amazonën, në Kopshtet e Vatikanit, ku në mesditë u kremtua festa e Shën Françeskut, në praninë e disa kardinajve, ipeshkvijve, meshtarëve dhe indigjenëve të Amazonës, që e mbushën atmosferën me këngët, kostumet e ritet e tyre, në praninë e Atit të Shenjtë u mboll një lis, ardhur pikërisht nga Asizi, atdheu i Shenjtit të madh. Gjithashtu, përmes një lutjeje të fuqishme, Sinodi i Amazonës, që do të fillojë më 6 tetor, iu kushtua ndërmjetësimit të Shën Françeskut pranë Zotit, që ky proces të jetë hap i frytshëm në gjetjen e shtigjeve të reja për Kishën dhe për ambientin në këtë rajon kritik, shtrirë në nëntë vende.

Në kremtimin e Vatikanit, morën pjesë liderë indigjenë dhe kishtarë nga Amazona, ndërsa krejt kremtimi u organizua nga Urdhëri i Fretërve të Vegjël, nga Repam (Rrjeti Kishtar Panamazonik) dhe nga Lëvizja Globale Katolike për Klimën.

Sinodi për Amazonën, nën mbrojtjen e shën Françeskut

Festa e Shën Françeskut të Asizit, këtë vit, ka një rëndësi të veçantë, pasi bie në përkim me disa data simbolike. Ajo kremtohet vetëm dy ditë para Sinodit për Amazonën, i pari që ka në qendër temën e ekologjisë së gjithanshme. Gjithashtu, festa e Shën Françeskut mbyll Kohën e Krijimit apo të Gjithësisë, kremtimi i përvitshëm i së cilës bëhet ndërmjet 1 shtatorit dhe 4 tetorit. E së fundi, bie edhe pak para festimit të 40-vjetorit të shpalljes së Shën Françeskut si pajtor i mbrojtësve të ekologjisë (29 nëntor) nga Shën Gjon Pali II.

Papa Françesku ka mbjellë edhe një pemë tjetër në Kopshtet e Vatikanit, më 8 qershor 2014, me rastin e takimit për paqen në Lindjen e Mesme, së bashku me presidentin izraelit Shimon Peres, me atë palestinez Abu Mazen dhe me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu I.

Lutja për t’ia kushtuar Shën Françeskut Sinodin e Amazonës

         Duke vendosur të mos e lexojë fjalën e shkruar për këtë rast, Papa Françesku fillimisht u lut, së bashku me të pranishmit, për t’ia kushtuar Sinodin e Amazonës ndërmjetësimit të Shën Françeskut të Asizit e, në fund, tha, së bashku me përfaqësuesit e popujve indigjenë, lutjen “Ati ynë”, para se t’i përshëndeste të gjithë e të largohej. Ja lutja për Shën Françeskun:

“Lavdi të qoftë Ty, O Zoti i bukurisë, për vijueshmërinë e atij shiu të lehtë, që bie edhe pse sytë tanë mezi e shohin; shi që sjell jetë, duke përkëdhelur gjithçka të krijuar nga rënia e tij e butë dhe e qetë. Pika që, gradualisht, mblidhen në vija të vogla uji, të cilat, së bashku me shumë të tjera, bëjnë të lindin lumenjtë. Lumenj që, kur mblidhen, i japin një shumëllojshmëri tronditëse Amazonës së madhe, që është burim jete të begatë për të gjithë.

         Bëj o Zot ta kuptojmë indin e imët të jetës, nga gjithçka është e vogël dhe e thjeshtë e deri në gjithësinë Tënde të madhërishme, ku e ke vendosur edhe njeriun, në një vend të privilegjuar, me aftësi për ta krijuar e për ta rikrijuar jetën, bashkëpunëtor i përvuajtur i Yti, edhe kur shpesh, dështon para këtij plani.

         Lavdi të qoftë Ty o Zot, për gjurmët delikate të krijimit Tënd, ku shprehet lidhja e pabesueshme ndërmjet të gjitha sendeve të krijuara në tokë. Rrahjet e zemrave tona u bashkofshin me rrjedhën e jetës që lind, që tingëllon e ritingëllon pa pushim në çdo pjesëz, që Të zbulon e shpreh misterin Tënd të dashurisë, dhuruar megjithësej.

         Me popujt e kësaj Amazone, o Zot i mishërimit, Jezus i lindjes e deri në vdekjen tragjike për padrejtësisë e djeshme e të sotme, Krisht i sigurisë për jetën e re në ringjallje të pandalshme, le të mësojmë si ta njohim të vërtetën Tënde në larminë e çdo kulture të atyre tokave. Të mësojmë si ta dallojmë të vërtetën e thirrjes Tënde në zërin dhe në jetën e popujve dhe të bashkësive, që jetojnë në harmoni me tokën, me të tjerët dhe me forcën hyjnore.

         Përmes jetës së përvuajtur, por lëshuar plotësisht në dorën Tënde, frymëzuar nga Shën Françesku i Asizit, të lutemi të na udhëheqësh, përmes së vërtetës, për të gjetur udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme në Amazonë. Po të kushtohemi Ty, në këtë Sinod, që ta kuptojmë ëndrrën Tënde të mrekullueshme për bijtë e bijat e shumta, që jetojnë atje. Bëj të të njohin Ty të ringjallur e që ringjallesh në shpresat e në betejat e përditshme të jetës së tyre, në urtinë e në dëshirën e tyre për Mbretërinë e Hyjit përmes Zotit Jezus”.

04 tetor 2019, 13:00