Kërko

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku 

Papa Françesku: arsyet e krishtera për kujdesin ndaj Gjithësisë

Sot, në përkim me ditët e fundit të Sinodit kushtuar Amazonës e më se katër vjet pas enciklikës “Laudato sì”, del një libër i ri me tekste e fjalime të Papës Françesku mbi ambientin, si dhe me një shkrim të panjohur, me synimin për të shpjeguar këndvështrimin e krishterë mbi ekologjinë.

R.SH. - Vatikan

Del sot në librari “Nëna jonë Tokë.  Këndvështrim i krishterë për sfidën e ambientit”, botuar nga “Libreria Editrice Vaticana”. Në libër përmblidhen tekste të Papës Françesku mbi ambientin, njëri prej të cilëve nuk është i njohur, ndërsa parathënien e shkruan Patriarku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili përshkon hapat e bashkëpunimit me Atin e Shenjtë, veçanërisht në hartimin e mesazheve të Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Gjithësisë, themeluar në vitin 2015. Kjo ditë i bashkon Kishën Katolike dhe Kishën Ortodokse në “shqetësimin për të ardhmen e krijimit të Zotit”.

Uniteti i familjes njerëzore

         Në kapitullin e parë, “Këndvështrim i gjithanshëm”, janë përzgjedhur disa tekste, sidomos fragmente nga enciklika e Papës “Laudato Si’”, të cilat theksojnë nevojën e mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët, përmes bashkimit të “gjithë familjes njerëzore në kërkimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm”. Nevojitet një kthesë ambientale, nënvizon Papa Françesku, që mund të bëhet e mundur përmes promovimit të një edukimi të vërtetë ekologjik, për të ndërgjegjësuar veçanërisht të rinjtë. Në pjesën, që përmbledh fjalime, audienca dhe homeli, vërehet se Papa Françesku, që në ditët e para të papnisë së tij, e trajton me urgjencë maksimale problemin e ambientit. Fjalët e Atit të Shenjtë janë thirrje e vazhdueshme për të drejtën e jetës, një e drejtë që kalon përmes fjalëve kyçe si: përgjegjësi, drejtësi, barazi, solidaritet.

Interpretimi shpirtëror i ekologjisë

         Në shkrimin e pabotuar, që mbyll librin “Nëna jonë Tokë”, Papa Françesku e larton vështrimin drejt qiellit për të na ofruar të gjithëve të ashtuquajturën “teologji të ekologjisë”, pra, një këndvështrim shpirtëror mbi mbrojtjen e ambientit. Krijimi, nënvizon Ati i Shenjtë, është fryt i dashurisë së Zotit për çdo krijesë, por sidomos për njeriun, të cilit ia bëri dhuratë Gjithësinë. Prandaj, në të, duhet të zbulojmë vazhdimisht praninë e Hyjit. Gjithashtu, vijon  Papa, “kjo do të thotë se aftësia e njeriut për bashkim me natyrën kushtëzon gjendjen e gjithësisë... Prandaj, fati i njeriut përcakton fatin e universit”. Shfrytëzimi i papërgjegjshëm i burimeve natyrore, për pushtet e pasuri, përqendruar në duart e pak vetëve, krijon një çekuilibër të destinuar të shkatërrojë botën dhe vetë njeriun.

Të rinisemi nga falja e nga Shpirti Shenjt

Nuk mjafton revolucioni teknologjik dhe impenjimi individual, thekson më tej Papa. Ndërgjegjësimi vjen përmes “frymës së vërtetë të bashkimit”. Duhet të fillojmë nga falja, sugjeron Ati i Shenjtë. T’u kërkojmë falje fillimisht të varfërve, të përjashtuarve, që të mund t’i kërkojmë falje edhe “tokës, detit, ajrit, kafshëve...”. E falja është e mundur vetëm në Shpirtin Shenjt, sepse është hir i Zotit. Në çastin që kërkon falje, kupton se je në gabim, prandaj, rezultati i saj është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe i mendësisë. Por edhe kjo nuk mjafton. Besimtari ka nevojë për një këndvështrim e atë e krijon sidomos në meshë. Buka dhe vera janë ushqimet e para, që njeriu ka përftuar duke shndërruar frytet e natyrës: grurin dhe rrushin. Njeriu i ofron bukë dhe verë Zotit dhe Ai, përmes Shpirtit Shenjt, i shndërron ato në Korpin dhe Gjakun e Krishtit. U jep njerëzve dhuratën më të madhe: Birin e Tij. Buka dhe vera, nënvizon Papa Françesku, janë pjesë e një rrethi simbolesh: dhurata e Zotit, impenjimi i njeriut, puna, lodhja; ushqimi i nevojshëm dhe buka e përditshme, gëzimi dhe vera e festës. “E ashtu si në Eukaristi buka dhe vera bëhen Krishti, sepse preken nga Shpirti Shenjt - dashuri personale e Atit Qiellor, ashtu edhe gjithësia bëhet fjalë personale e Zotit kur përdoret me dashuri”. Në këto pak rreshta, shpresa e Papës Françesku.

24 tetor 2019, 13:16