Kërko

Papa Françesku: të jemi më të vetëdijshëm për varfërinë

Në një videomesazh për “Takimin Vëllai 2019”, promovuar në Lurdë nga Shoqata “Vëllai”, në periudhën nga 14 deri më 17 nëntor, Papa Françesku kujton Ditën Botërore të të Varfërve, themeluar në vitin 2017.

R.SH. - Vatikan

Rast për t’u bërë më të vetëdijshëm për varfërinë, për atë që jetoi edhe Jezusi, kur u la mënjanë dhe nuk u pranua. Ky është kuptimi i Ditës Botërore të të Varfërve, në fjalët e Papës Françesku, në një videomesazh për “Takimin Vëllai 2019”, që promovohet në Lurdë nga Shoqata “Vëllai”. Ngjarja - 4 ditë miqësi dhe lutje - është planifikuar për të enjten 14 nëntor e do të vazhdojë deri të dielën 17 nëntor, datë në të cilën kremtohet Dita e tretë Botërore e të Varfërve, themeluar nga Papa Bergoglio në vitin 2017.

Ditë Botërore e të varfërve në Lurdë

         Në videomesazhin e regjistruar më 5 tetor, publikuar në profilin Facebook të Shoqatës, që impenjohet në promovimin e nismave në favor të më të varfërve dhe më të brishtëve, Françesku kujton se varfëria ka origjinën dhe arsyet e veta. Papa i nxit anëtarët e shoqatës të rrinë me të varfërit: do të ishte mirë, nënvizon ai, që të shkojnë, të shoqëruar, në takimin e Lurdës, për të ndenjur pranë “Nënës së Jezusit”, e cila e njeh mirë “gjuhën e varfërisë”.

Shpresa nuk do të zhgënjehet

         Qershorin e kaluar u bë i njohur Mesazhi i Papës për Ditën e të Varfërve, me temë “Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë”. Françesku kujton se feja arrin të ngulitë në zemrën e të varfërve një “të vërtetë të thellë”: “u kthen shpresën e humbur para padrejtësive, vuajtjeve dhe pasigurisë së jetës”. Në tekst, mendimi i Papës shkon veçanërisht tek burrat, gratë, të rinjtë, fëmijët, viktimat e skllavërive të reja, që i bëjnë ata emigrantë, jetimë, të pastrehë e të mënjanuar.

17 tetor 2019, 13:03