Kërko

2019.10.06 Apertura Sinodo dei Vescovi 2019.10.06 Apertura Sinodo dei Vescovi 

Papa: të dielën më 27 tetor Mesha e mbylljes së Sinodit për Amazonën në Vatikan

Të dielën më 27 tetor, kur Kisha katolike kremton të Dielën e 30-të gjatë kohës së zakonshme, sipas kalendarit liturgjik, në ora 10 paradite, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e përfundimit të Asamblesë së jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar Amazonës.

R.SH. - Vatikan

Në Vatikan vazhdojnë punimet e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar Amazonës. Të shumta, tematikat, për të cilat 179  Etër sinodalë diskutuan sot në grupe të vogla. Kujtojmë se Asambleja e jashtëzakonshme e Sinodit të ipeshkvijve kushtuar Rajonit Panamazonik, që filloi më 6 tetor e do të përfundojë më 17 tetor, ka si temë: “Amazona: udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme”, që lidhet edhe me skenarin aktual, shqetësues, të ekosistemit botëror. Për Kishën katolike, është themelore “t’i dëgjojë popujt indigjenë e të gjitha bashkësitë, që jetojnë në Amazonë”

Të dielën më 27 tetor, kur Kisha katolike kremton të Dielën e 30-të gjatë kohës së zakonshme, sipas kalendarit liturgjik, në ora 10 paradite, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e përfundimit të Asamblesë së jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar Amazonës. Njoftimin e  jep salla e shtypit e Vatikanit, duke njoftuar se " me Papën do të bashkëkremtojnë vetëm anëtarët e Sinodit".

Ati i Shenjtё Jorge Mario Bergoglio, para Asamblesë sinodale të mbledhur në Romë, nga data 6  deri mё 27 tetor, rekomandoi një "kujdes tё guximshëm" për të rindezur zjarrin qё kemi marrë si dhuratë nga të krishterët qё kanё flijuar jetën e tyre pёr  "dashurinë qё kanё pasur për Zotin dhe për vëllezërit", duke mos lejuar qё zjarri i dashurisë të "shuhet nga hiri i frikës dhe nga shqetësimi për të mbrojtur me doemos status quo-në". "Çdo popull ka identitetin e vet, ndërgjegjen nga e cila vjen ndërgjegjësimi, një mënyrë për të vështruar të vërtetën, historinë, hermenutikën", theksoi Papa Françesku, duke paralajmëruar edhe një herë të ruhemi nga" kolonizimi ideologjik, kaq i zakonshëm", që "shkatërron historinë e një populli".

Punimet e Sinodit të Ipeshkvijve për Amazonën, kujtojmë, trajtojnë çështje thelbësore që kanë të bëjnë me Kishën në Amazonë, me inkulturimin dhe ndërkulturalitetin, me mungesën e priftërinjve dhe të Sakramenteve, me ekologjinë e gjithanshme, çështje si ujit dhe me Shtëpinë e Përbashkët, Mjedisin. Kështu u shpreh , në fillim të punimeve më 7 tetorin e kaluar, para asamblesë së Etërve sinodal, kardinali brazilian Claudio Hummes, duke propozuar të paktën gjashtë "tematika" kryesore.

"Ky Sinod është si një tryezë që Zoti e ka shtruar për të varfërit e tij dhe na kërkon t’u shërbejmë në atë sofër". Me këtë thirrje drejtuar sivëllezërve, Etërve të Sinodit,  që gjatë punimeve të kësaj Asambleje, të mos përqendrohen mbi çështje personale, por të nisen nga përdëllimi për ta dëgjuar britmën e të varfërve dhe të tokës", tha kardinali brazilian Claudio Hummes në relacionin e tij,  në hapjen e punimeve sinodale më 7 tetorin e kaluar.

Pyjet e Amazonës, mushkëri me rëndësi jetësore për gjithë planetin, vuajnë nga ndërhyrja shkatërrimtare e njerëzve, gjë që dëshmon për përhapjen e “kulturës së hedhurinave”, shkruhet në dokumentin vatikanas. 7 milion e gjysëm kilometra katrore, një nga rezervat më të mëdha të biolarmisë dhe më se një e treta e pyjeve të botës: këto janë karakteristikat e Amazonës, e cila shtrihet në disa shtete, si Brazili, Bolivia, Ekuadori, Peruja dhe Venezuela. Në këtë territor jo homogjen, përshkuar nga lumi Rio, njeriut i është dashur të përshtatet me natyrën, ndërsa Amazonës, me sistemet politike e me qëndrimet njerëzore.

Sinodi i  Ipeshkvijve vë në dukje kërcënimin, që u vjen pyjeve amazonike nga interesat e njëanshme ekonomike, të cilat sjellin shkatërrimin dhe ndotjen e ambientit. Kësaj situate, i shtohet plaga e trafikut të drogës dhe ajo e krizës së ekonomisë botërore, që vë në rrezik mbijetesën e indigjenëve. Model, denoncon dokumenti, ku “fitimi është më i rëndësishëm se dinjiteti njerëzor”. Shtimi pa kontroll i veprimtarisë bujqësore, mineralnxjerrëse dhe çpyllëzuese ushqen një zhvillim jo të gjithanshëm e jo gjithëpërfshirë.

18 tetor 2019, 14:08